
“Trump-Putin: Flirt diplomatik dhe bombardime reale, Ukraina në mes të hipokrizisë gjeopolitike”
Trump zemërohet me Putinin, por i druhet pasojave ekonomike të ndëshkimit. Ndërsa Evropa përgatitet për ofensivë të re diplomatike, SHBA-ja tërhiqet nga përgjegjësia, dhe e fajëson Zelenskyn për dështimin e paqes.
Të thuash “Vladimir, ndalo!” dhe pastaj të mos bësh asgjë kur raketat hipersonike bien mbi fëmijë në Kiev, është më shumë sesa një dështim diplomatik. Është një mesazh cinik: ne flasim për paqe, por nuk bëjmë paqe.
Sulmet e fundit të Rusisë ndaj Ukrainës, ku humbën jetën 12 civilë përfshirë 4 fëmijë, ndodhën vetëm pak ditë pas një bisede që Trump e përshkroi si “të shkëlqyer” me Vladimir Putinin. Por ky “shkëlqim” telefonik nuk i ndaloi raketat. Përkundrazi, ato ishin më të sofistikuara, më të koordinuara dhe më vdekjeprurëse.
Në vend që të përballej me realitetin, se është përdorur dhe gënjyer nga Putin, Trump shfryn në rrjetin Truth Social, duke e quajtur presidentin rus “të çmendur”. Por ky zemërim nuk shoqërohet me asnjë veprim konkret: jo sanksione, jo ndërprerje marrëveshjesh tregtare, jo masa kundër oligarkëve rusë.
Pse ky ngurrim? Sepse Trump nuk dëshiron të rrezikojë çmimet e bursës.
Sanksionet e vërteta ekonomike ndaj klientëve të energjisë ruse do të preknin Wall Street-in, dhe kjo është vijë e kuqe për çdo president që mendon më shumë për rritjen e indeksit sesa për mbrojtjen e rendit ndërkombëtar.
Nga ana tjetër, sulmet verbale të Trump ndaj Zelenskyt janë një taktikë politike: nëse fajëson të dy palët njësoj, Putinin për agresionin dhe Zelenskyn për retorikën, atëherë justifikon tërheqjen amerikane nga procesi i paqes.
Kjo është logjika e re trumpiane: “nuk është lufta ime, është e tyre”. Një logjikë që i shërben vetëm një gjëje, shmangies nga përgjegjësia globale, ndërsa Putin përgatitet për ofensivën e re në Donbas.
Përfundimi: Trump nuk po udhëheq, ai po fshihet pas deklaratave. Dhe Ukraina po paguan çmimin./Pamfleti
Lini një Përgjigje