TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota12 Prill 2026, 07:15

Dështojnë negociatat SHBA-Iran, zv.presidenti i SHBA kërcënon Ajtollahët: Teherani nuk pranoi kushtet tona

Shkruar nga Pamfleti

Zëvendëspresidenti amerikan shpjegoi se iranianët refuzuan të pranonin "kushtet" e Uashingtonit, përfshirë "një angazhim të qartë prej tyre se nuk do të kërkojnë të pajisen me armë bërthamore".

Dështojnë negociatat SHBA-Iran, zv.presidenti i SHBA
Zëvendëspresidenti i SHBA-së J. D. Vance (djathtas), me përfaqësuesit e SHBA-së Jared Kushner dhe Steve Witkoff, gjatë një konference për shtyp në Islamabad më 12 prill 2026. JACQUELYN MARTIN / AP

Zëvendëspresidenti i SHBA-ve, JD Vance ka njoftuar se bisedimet maratonë me Iranin nuk çuan në një marrëveshje për t’i dhënë fund përfundimisht luftës.

Ishte ors 6:30 e mëngjesit në Hotelin Serena në kryeqytetin pakistanez kur zëvendëspresidenti i SHBA-së J.D. Vance u shfaq para shtypit amerikan kur dha lajmin.

Vërejtjet e tij ishin të shkurtra, koncize dhe mjaft të paqarta. Në thelb, kreu i delegacionit, me Steve Witkoff dhe Jared Kushner në krah, njoftoi dështimin e negociatave me Iranin vetëm pas një dite në terren.

"Ata zgjodhën të mos pranonin kushtet tona", tha J.D. Vance, në një deklaratë që foli shumë për qasjen e administratës Trump. Pas dyzet ditësh lufte, ai kishte pritur një dorëzim iranian, ndërsa Teherani, pavarësisht humbjeve të tij njerëzore dhe materiale, u ndje i inkurajuar në luftën e tij asimetrike, një betejë e të dobëtit kundër të fortit.

“Kemi qenë në bisedime për 21 orë dhe kemi zhvilluar një sërë diskutimesh thelbësore me iranianët. Ky është lajmi i mirë. Lajmi i keq është se nuk kemi arritur një marrëveshje,” tha ai. “Dhe mendoj se ky është më shumë lajm i keq për Iranin sesa për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pra, kthehemi në SHBA pa një marrëveshje.”, theksoi Vance.

Zëvendëspresidenti JD Vance tha se negociatorët iranianë refuzuan të pranonin kushtet e SHBA-së për një marrëveshje, të cilat ai këmbënguli se kishin qenë “mjaft fleksibël”.

“Ishim mjaft bashkëpunues. Presidenti na tha: ‘Duhet të vini këtu me vullnet të mirë dhe të bëni përpjekjen tuaj më të mirë për të arritur një marrëveshje.’ Ne e bëmë këtë dhe, për fat të keq, nuk arritëm të bënim asnjë përparim,” tha ai.

Vance sugjeroi se pika kryesore e mosmarrëveshjes ishte refuzimi i Iranit për të hequr dorë nga programi i tij bërthamor.

“Ne largohemi nga këtu me një propozim shumë të thjeshtë, një mënyrë mirëkuptimi që është oferta jonë përfundimtare dhe më e mira,” tha ai. “Do të shohim nëse iranianët do ta pranojnë.”

Reagimi i Iranit

Agjencia e lajmeve Tasnim e Iranit, tha se "topi është në fushën e Amerikës" dhe se "Irani nuk ka asnjë nxitim" për të negociuar.

"Irani ka paraqitur propozime të arsyeshme në negociata. Topi është në fushën e Amerikës për t'i parë çështjet realisht", tha burimi.

Burimi akuzoi Shtetet e Bashkuara për llogaritje të gabuara në negociata, ashtu siç kishin bërë në luftë, dhe paralajmëroi se asgjë nuk do të ndryshonte në Ngushticën e Hormuzit "derisa Shtetet e Bashkuara të bien dakord për një marrëveshje të arsyeshme".

Irani, shtoi burimi, "nuk ka asnjë nxitim".

Sipas Iranit, SHBA-të duhet të heqin dorë nga "kërkesat e tepërta dhe të paligjshme" 
"Përparimi i negociatave që po zhvillohen në kryeqytetin pakistanez, Islamabad, për t'i dhënë fund luftës në Lindjen e Mesme varet nëse Shtetet e Bashkuara do të heqin dorë nga kërkesat e tyre "të tepërta dhe të paligjshme", tha një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme iraniane në orët e para të mëngjesit.

"Suksesi i këtij procesi diplomatik varet nga serioziteti dhe besimi i mirë i palës tjetër, mungesa e çdo kërkese të tepërt dhe të paligjshme dhe pranimi i të drejtave dhe interesave legjitime të Iranit", theksoi Esmail Baghaei nëpërmjet X.

dështojnë negociatat shba-iran

1 Komente

  1. K
    Kissinger

    Në vend që të negociojnë për Ngushticën e Hormuzit ose dëmshpërblimet, SHBA dhe Irani të bien dakord për 3 zona detare neutrale (jashtë ujërave territoriale të Iranit) ku: Pakistani merr përsipër sigurinë e lundrimit për 6 muaj. Çdo anije (përfshirë ato amerikane dhe iraniane) lundron me flamur pakistanez në ato zona. · Nëse modeli funksionon, zgjerohet gradualisht. Kjo e anashkalon kontrollin e Hormuzit pa e humbur atë. 2. Mekanizmi i "Aseteve kundrejt Garancive të Mos-ndërhyrjes" SHBA-ja nuk i liron asetet direkt, por i transferon në një fond të mbyllur në Bankën e Pakistansit. Irani mund të tërheqë vetëm për blerje ilaçesh, ushqimi dhe pjesë këmbimi për energji – të verifikuara nga një komision i përbashkët (Pakistan, Kina, Zvicër). · Në këmbim, Irani angazhohet që për 12 muaj të mos kryejë asnjë operacion ushtarak në ngushticë (pa hequr dorë nga pretendimi për kontroll). Kjo krijon "hapësirë për frymëmarrje".

    Lini një Përgjigje