
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, tha se ai dhe Presidenti turk, Recep Tayyip, kanë rënë dakord që delegacione nga Turqia, Ukraina dhe SHBA-të të jenë të pranishme në Stamboll, duke shtuar se shpreson që të zhvillohet një takim me zyrtarët rusë.
“Një takim i tillë do të zhvillohet. Ne patjetër do të zhvillojmë një takim me palën ruse. Shpresoj që ky takim të zhvillohet. Axhenda është e qartë, ne jemi gati të takohemi. Po presim sinjale përkatëse nga pala turke, po presim detaje specifike, në çfarë ore, sot ose në çfarë ore do të takohen grupet nesër”, u tha Zelensky gazetarëve në Ankara, duke shtuar se po priste që turqit të konfirmonin kohën.
Zelensky, shtoi se vendosi të dërgojë një delegacion të nivelit të lartë në Stamboll, edhe pse Rusia dërgoi atje një ekip të nivelit më të ulët "nga respekti" për Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, dhe Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan.
“Pavarësisht nivelit relativisht të ulët të delegacionit rus, nga respekti për Presidentin Trump, nga respekti për nivelin e lartë të delegacionit turk dhe për Presidentin Erdogan, ne ende duam të përpiqemi të ndërmarrim të paktën hapat e parë drejt një armëpushimi, kështu që kam vendosur ta dërgoj delegacionin tonë në Stamboll tani. Jo të gjithë do të jenë atje, sigurisht, kreu i Shërbimit të Sigurisë dhe Shefi i Shtabit të Përgjithshëm nuk do të jenë atje. Por delegacioni do të udhëhiqet nga Ministri i Mbrojtjes. Pavarësisht faktit se homologu i tij nuk do të jetë atje”, tha Zelensky.
Më tej ai shtoi se Kievi nuk do t'i njohë kurrë pjesët e Ukrainës që aktualisht janë të pushtuara si pjesë të Rusisë, ndërsa konfirmoi se bisedimet e paqes do të vazhdojnë.
“Në të gjitha diskutimet, dhe e theksoj këtë, dhe ky është qëndrimi im i palëkundur, ne nuk njohim ligjërisht asnjë nga territoret tona të pushtuara përkohësisht si ruse. Kjo është toka ukrainase”, u tha Zelensky gazetarëve.
Nga ana tjetër, kreu i delegacionit rus në Stamboll, Vladimir Medinsky, i tha medias shtetërore ruse RIA se Moska ishte e gatshme për diskutime.
“Jemi të gatshëm për diskutime, për rifillimin e negociatave të Stambollit; jemi të përgatitur për kompromise të mundshme dhe diskutimin e tyre”, tha Medinsky, duke iu referuar bisedimeve të fundit të njohura të drejtpërdrejta midis Rusisë dhe Ukrainës që u zhvilluan në Stamboll në pranverën e vitit 2022.
Medinsky tha se delegacioni i tij përfshinte “përfaqësues të lartë nga të gjitha agjencitë përkatëse” – një përgjigje e mundshme ndaj kritikave nga Presidenti ukrainas Zelensky për faktin se Presidenti rus Vladimir Putin vendosi të mos udhëtonte vetë në Turqi dhe vendosi të dërgonte një ekip teknokratësh në vend të diplomatëve të nivelit të lartë./CNN
Lini një Përgjigje