Katër zyrtarë amerikanë të informuar për operacionet ushtarake deklarojnë se administrata Trump nuk ka një strategji për fazën pas luftës në Iran, ndërsa brenda qeverisë paralajmërohen pasoja që mund të zgjasin për dekada
Administrata e Presidentit amerikan Donald Trump nisi luftën kundër Iranit pa një strategji të qartë për pasojat politike dhe pa një plan për fazën pas konfliktit. Katër zyrtarë amerikanë të informuar për operacionet ushtarake e thanë këtë për gazetarin Nick Turse në një raport të publikuar më 5 mars 2026.
Sipas burimeve të cituara, edhe në informimet konfidenciale për zyrtarët e qeverisë dhe Kongresin nuk është paraqitur një vizion i qartë për qëllimet përfundimtare të luftës apo për mënyrën se si Shtetet e Bashkuara planifikojnë të menaxhojnë situatën pas saj.
“Administrata nuk ka një ide të qartë. Nuk ekziston një arsye reale, një objektiv përfundimtar apo një plan për atë që do të ndodhë më pas”, deklaroi një nga zyrtarët amerikanë që foli në kushte anonimiteti për shkak të natyrës sekrete të diskutimeve.
Një zyrtar tjetër tha se vendimmarrja duket e kufizuar vetëm në objektiva ushtarake të menjëhershme. “Nuk ka një proces të menduar për pasojat afatgjata. Nuk bëhet fjalë për një ndryshim regjimi të koordinuar. Ideja është thjesht t’i bombardojnë derisa të konsiderohen më pak kërcënim”, tha ai.
Kritikat e brendshme vijnë në një moment kur Trump ka sugjeruar se lufta mund të zgjasë për një kohë të pacaktuar, megjithëse gjatë fushatës ai kishte premtuar se do të shmangte “luftërat pa fund” në Lindjen e Mesme. Presidenti amerikan ka përmendur edhe mundësinë e krijimit të një qeverie të re në Iran që do të mbështetej nga Uashingtoni, duke e krahasuar këtë skenar me situatën në Venezuelë pas operacionit amerikan të janarit, kur SHBA rrëzuan presidentin Nicolás Maduro dhe vendosën një qeveri të mbështetur nga Uashingtoni.
“Çfarë bëmë në Venezuelë është skenari ideal. Liderët mund të zgjidhen”, deklaroi Trump gjatë një interviste. Ai shtoi se do të kërkonte të kishte rol në përzgjedhjen e udhëheqjes së re në Iran, nëse një skenar i tillë realizohej.
Disa zyrtarë amerikanë paralajmëruan se lufta mund të ketë pasoja afatgjata për rajonin, duke e krahasuar situatën me pushtimin amerikan të Irakut në vitin 2003. Ky konflikt, sipas tyre, u zhvillua pa plan të qartë dhe prodhoi dekada destabilizimi në Lindjen e Mesme.
Një nga burimet që ka punuar në rajon e lidhi konfliktin aktual me një episod shumë më të hershëm në historinë e marrëdhënieve amerikano-iraniane: grushtin e shtetit të vitit 1953 kundër kryeministrit iranian Mohammad Mossadegh. Operacioni u organizua nga CIA dhe qeveria britanike dhe rrëzoi qeverinë e parë demokratike të Iranit. Pas këtij operacioni u vendos regjimi i Shah Mohammad Reza Pahlavi, i mbështetur nga SHBA, i cili qëndroi në pushtet për më shumë se dy dekada deri në revolucionin iranian të vitit 1979.
“Historia që përdor Trump fillon me revolucionin e vitit 1979, por ajo histori nis në vitin 1953. Lufta aktuale lidhet me atë moment”, deklaroi një nga zyrtarët për The Intercept.
Dokumentet e deklasifikuara të CIA-s konfirmojnë rolin e drejtpërdrejtë të agjencisë në rrëzimin e Mossadeghut. Në analizën e brendshme të CIA-s thuhet se grushti i shtetit u krye nën drejtimin e drejtpërdrejtë të agjencisë si pjesë e politikës së jashtme amerikane.
Raporti përmend gjithashtu përfshirjen e CIA-s në operacionin që çoi në vrasjen e liderit suprem iranian Ali Khamenei. Sipas zyrtarëve amerikanë, agjencia gjurmoi lëvizjet e tij dhe i transmetoi Izraelit informacionin për vendndodhjen e tij, duke mundësuar sulmin që e vrau atë.
Administrata amerikane ka dhënë shpjegime të ndryshme për arsyet e luftës. Në disa raste, Uashingtoni ka deklaruar se Irani përbënte një kërcënim të menjëhershëm për SHBA. Në raste të tjera, zyrtarët kanë sugjeruar se Izraeli e shtyu Uashingtonin të përfshihej në konflikt.
Në një letër zyrtare drejtuar Kongresit, Trump deklaroi se operacioni ushtarak kishte për qëllim “neutralizimin e aktiviteteve armiqësore të Iranit”. Në një bisedë telefonike me gazetarin Jonathan Karl të ABC News, presidenti amerikan tha se vrasja e Khamenei ishte pjesë e një serie tentativash reciproke për atentate.
“E godita para se të më godiste ai. Ata u përpoqën dy herë. Unë veprova i pari”, deklaroi Trump.
Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë për rrezikun e një reagimi afatgjatë kundër SHBA. Koncepti i “blowback”, që përdoret nga CIA për të përshkruar pasojat e paparashikuara të operacioneve sekrete, përmendet shpesh në dokumentet historike të agjencisë.
Historiani iraniano-amerikan Ervand Abrahamian shkruan në librin e tij “The Coup” se rrëzimi i Mossadeghut nga CIA la një plagë të thellë në shoqërinë iraniane dhe ndikoi drejtpërdrejt në zhvillimet politike që çuan në revolucionin islamik të vitit 1979.
Sipas të dhënave të Kryqit të Kuq Iranian, sulmet amerikano-izraelite kanë vrarë të paktën 787 persona dhe kanë plagosur qindra të tjerë që nga fillimi i operacioneve ushtarake. Mes viktimave janë edhe më shumë se 170 persona, shumë prej tyre fëmijë, që ndodheshin në një shkollë fillore në qytetin Minab në momentin e një sulmi ajror.
Annie Shiel, drejtore e avokimit në organizatën Center for Civilians in Conflict, deklaroi se civilët po mbajnë barrën kryesore të konfliktit. Ajo theksoi se ndërprerjet e internetit dhe sulmet në zona të banuara e bëjnë të vështirë vlerësimin e plotë të numrit real të viktimave.
Një nga zyrtarët amerikanë që foli për The Intercept paralajmëroi se pasojat e luftës mund të ndihen për dekada. “Do të duhen shumë vite për të kuptuar sa thellë do të ndikojë kjo luftë. Breza të tërë do të jetojnë me pasojat e saj”, tha ai.
Lini një Përgjigje