Ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, do të marrë pjesë në seancën e Këshillit të Evropës më 18 prill, pavarësisht se kishte thënë paraprakisht se nuk do të udhëtonte në Strasburg për shkak të paralajmërimit se Kosova do të pranohet në këtë institucion.
Ministria e Punëve të Jashtme e Serbisë konfirmoi se Daçiç do të marrë pjesë në seancë, e cila mbahet në përvjetorin e 20-të të pranimit të Serbisë në Këshillin e Evropës. Siç raportojnë mediat serbe, ministri Daçiç do të përpiqet të ndalojë procedurën për pranimin e Kosovës në institucion.
Më herët Daçiç tha se 10 vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Brukselit, njoftohet se Komiteti i Ministrave të Këshillit të Evropës do të fillojë procedurën për pranimin e Kosovës në atë institucion.
“Kosova ka 10 vite që nuk i ka përmbushur obligimet e saj nga Marrëveshja e Brukselit dhe për këtë duhet të shpërblehet dhe të fillojë procedura për pranimin e saj në botën e Evropës që në atë ditë. Është një mesazh që Kosova mund të bëjë atë që duhet”, tha Daçiç.
Kosova aplikoi për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj të vitit të kaluar. Kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës fillimisht shqyrtohet nga Komiteti i Ministrave dhe pas vlerësimit të situatës në Kosovë fjalën e fundit e jep Asambleja Parlamentare e cila përbëhet nga përfaqësues kombëtarë të shteteve anëtare.
Për pranimin e një vendi në Këshillin e Evropës kërkohet një shumicë prej dy të tretash të votave. Shefi i Kabinetit të Presidentit të Kosovës, Bljerim Velja, tha se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është në përputhje me marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2023.
Lini një Përgjigje