TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2025, 22:09

Cilat kategori emigrantësh po dëbohen aktualisht nga SHBA-ja?

Shkruar nga Alonso Martinez

Cilat kategori emigrantësh po dëbohen aktualisht nga SHBA-ja?

Këto janë largime të detyrueshme të të huajve, bazuar në një urdhër dëbimi që mund të ketë pasoja administrative ose penale për përpjekjet e ardhshme për të hyrë në SHBA.

Në lidhje me çështjen e dëbimeve masive të nisura nga administrata aktuale e Donald Trump, është e rëndësishme të theksohet se jo të gjitha largimet nga SHBA kryhen në të njëjtën mënyrë. Ndërsa disa emigrantë pa dokumente përballen me largime të përshpejtuara, pa të drejtën e apelimit tek një gjykatë, të tjerë kanë mundësinë që ta çojnë çështjen e tyre në një gjykatë që merret enkas me çështjet e migracionit. Departamenti Amerikan i Sigurisë Kombëtare (DHS), përdor këto metoda kryesore të riatdhesimit të emigrantëve:

Largimi ose dëbimi i zakonshëm

Këto janë largime të detyrueshme të të huajve, bazuar në një urdhër dëbimi që mund të ketë pasoja administrative ose penale për përpjekjet e ardhshme për të hyrë në SHBA. Shumica e këtyre dëbimeve, kryhen përmes një procesi gjyqësor, në të cilin një gjyqtar vendos nëse një person duhet të largohet apo jo nga Shtetet e Bashkuara. Ai zbatohet për personat që e kanë shkelur lejen e qëndrimit, emigrantët pa dokumente, dhe ata që akuzohen për të ndryshme vepra penale.

Largimi i përshpejtuar

Ky është një largim pa një seancë gjyqësore, përveç rastit kur personi aplikon për azil. Zakonisht zbatohet për shtetasit jo amerikanë që kapen 100 milje (160 kilometra) ose më pak nga kufiri i SHBA-së, ose brenda 14 ditëve nga mbërritja pa dokumente të vlefshme.

Por administrata aktuale e ka zgjeruar gamën, dhe po e zbaton dhe për personat që kanë qenë deri në 2 vjet në SHBA pa dokumente të rregullta. Ky lloj dëbimi, mund të përfshijë dënime të barabarta ose më të rënda se një dëbim i zakonshëm, dhe personi mund të përballet me probleme për të rihyrë në SHBA apo për të aplikuar për vizë.

Riatdhesimet

Kjo është një praktikë shumë e ngjashme me largimin e përshpejtuar, dhe vlen për personat që kanë shkelur ligjet e migracionit. Ata rikthehen në vendin e tyre të origjinës pa iu nënshtruar procedurave formale. Por në dallim nga largimet, kthimet janë në përgjithësi më të shpejta dhe shpesh nuk kërkojnë një seancë dëgjimore para një gjyqtari të migracionit.

Ato zbatohen për personat e kapur pranë kufirit ose menjëherë pas hyrjes në SHBA, të cilët pranojnë të largohen vullnetarisht. Gjithsesi, pavarësisht se është një proces më pak formal, kthimet mund të sjellin sanksione, që mund të ndikojnë në përpjekjet e ardhshme për të hyrë në Shtetet e Bashkuara.

Largimi vullnetar ose “vetë-dëbimi”

Ky është një opsion për emigrantët që duan të largohen vetë nga Shtetet e Bashkuara, pa procedura të mëtejshme dëbimi dhe pasojat e tyre ligjore, të cilat do t’i lejojnë ata në parim të hyjnë në SHBA në të ardhmen. Kjo mund të kërkohet nga ata që përballen me një seancë para një gjykatësi të migracionit.

Megjithatë, jo të gjithë kanë të drejtë, dhe pasojat e ndalimit mund të ndryshojnë. Është gjithashtu një opsion për ata që përballen me dëbim, që ta shmangin një urdhër zyrtar. Për t’u kualifikuar për një largim vullnetar, kërkesat ndryshojnë në varësi të faktit nëse aplikimi është bërë para ose pas seancës përfundimtare.

Për rastet përpara seancës gjyqësore, ju duhet të aplikoni në ose përpara ditës së seancës, ku të pranoni se jeni në Shtetet e Bashkuara pa një status të ligjshëm, të hiqni dorë ose të tërhiqni çdo kërkesë për të qëndruar në vend, të tregoni synimin dhe mjetet financiare për t’u larguar, dhe të tregoni një karakter të mirë moral.

Për largimin vullnetar pas seancës dëgjimore, kriteret shtesë përfshijnë dëshminë se keni jetuar në Shtetet e Bashkuara për të paktën një vit përpara marrjes së njoftimit për t’u paraqitur, një garanci prej të paktën 500 dollarësh, demonstrimin e qëllimit dhe aftësisë financiare për t'u larguar, si dhe mospasjen e problemeve me ligjin për të paktën 5 vitet e fundit.

Çfarë ndodh kur një person arrestohet dhe dëbohet?

Një person mund të qëndrojë në një qendër paraburgimi deri në datën e seancës në gjykatën e imigracionit ose deri ditën e dëbimit. Ata që kanë hyrë në vend pa kaluar në kontrollin e zyrës së migracionit apo që nuk plotësojnë kërkesat për hyrje ose qëndrim, mund të dëbohen me shpejtësi.

Në raste të tilla, nuk kërkohet një seancë gjyqësore, pasi dëbimi ekzekutohet me një urdhër largimi të përshpejtuar. Ndërkohë në raste të tjera, procesi mund të jetë i gjatë, duke u zhvilluar përpara një gjyqtari të gjykatës së migracionit.

Dëbimet administrative

Për sa i përket largimeve, ka një sërë faktorësh që mund të çojnë në dëbim për probleme administrative, duke përfshirë krimet ose shkeljet e ligjeve të imigracionit. Së pari janë dëbimet për krime të rënda si vrasja, trafiku i drogës, grabitja, përdhunimi ose abuzimi seksual, pornografia me fëmijë, pastrimi i parave dhe trafikimi i qenieve njerëzore.

Së dyti, dëbimi për shkeljen e ligjeve të migracionit. Emigrantët që tentojnë të kryejnë mashtrime me viza, falsifikojnë dokumentet e migracionit ose gënjejnë gjatë intervistave për vizë mund të dëbohen. Është e zakonshme që disa emigrantë të bëjnë gabime njerëzore gjatë procesit të vizave, gjë që mund të ngrejë dyshime për mashtrim.

Së treti, dëbimi për shkelje të statusit të emigracionit. Kur një person ndodhet në SHBA pa dokumente ose autorizim ligjor apo shkel kushtet e vizës së tij, ai mund të dëbohet. Së katërti, dëbimi për rihyrje të paligjshme në SHBA. Emigrantët mund të apelojnë një urdhër dëbimi duke depozituar formularin EOIR-29 në zyrën që e ka dhënë vendimin.

Disa mund të jenë në gjendje të paraqesin Formularin 42B, Aplikimi për Anulimin e Largimit dhe Rregullimin e Statusit, në përpjekje për të anuluar dëbimin dhe për të fituar të drejtën e qëndrimit të përhershëm në SHBA./Përshtati "Pamfleti" nga “El Pais”

Lini një Përgjigje