
Kur kryeministri britanik, Keir Starmer, u takua me Donald J. Trump në Trump Tower më 26 shtator, ishte pjesë e një ofensivë britanike për të ushqyer një marrëdhënie midis një lideri të krahut të majtë dhe një presidenti potencial të krahut të djathtë.
Kështu, kur Trump i tha Starmer-it se “ne jemi miq”, sipas një personi pjesëmarrës në takim, nuk kaloi pa u vënë re.
Për muaj të tërë përpara rikthimit politik të Trump-it, liderët e huaj kanë nxituar të lidhen me të. Emisarët e tyre kanë vendosur njerëz në orbitën e Trump-it ose në institutet kërkimore që pritet të kenë ndikim në përcaktimin e politikave për një administratë të dytë Trump.
Disa liderë, si presidenti Volodymyr Zelensky i Ukrainës, po hartojnë fushata për t’iu drejtuar Trump-it; të tjerë, si kryeministri Justin Trudeau i Kanadasë, kanë dërguar ekipe zyrtarësh në Shtetet e Bashkuara për të vizituar dhjetëra liderë republikanë. Kjo me shpresën se ata mund të moderojnë instinktet më radikale të Trump për vendosjen e tarifave.
Historia na tregon se shumë nga këto përpjekje për ndërtimin e urave do të dështojnë. Deri në fund të mandatit të tij të parë, Trump kishte acaruar disa liderë me të cilët fillimisht pati marrëdhënie të mira.
Politika e tij tregtare proteksioniste dhe neveria ndaj aleancave – së bashku me një personalitet jo të lehtë – nxitën përplasje.
“Kishte dy keqkuptime rreth Trump-it”, tha Malcolm Turnbull, një ish-kryeministër i Australisë, në një intervistë.
Në janar 2017, Turnbull pati një telefonatë tejet armiqësore me Trump-in: nëse Shtetet e Bashkuara do të respektonin një marrëveshje të kohës së Obamas për të pranuar 1 mijë e 250 refugjatë, të cilën Trump e kundërshtoi (Shtetet e Bashkuara përfunduan duke i marrë ata).
Turnbull tha se më vonë se e gjeti gjuhën e përbashkët me Trump. Ndryshimi këtë herë sipas Turnbull është se të gjithë e dinë saktësisht se çfarë do të marrin.
“Trump është shumë transaksional. Ju duhet të jeni në gjendje të demonstroni se një mënyrë e veçantë veprimi është në interesin e tij”, u shpreh ai.
Shumë përpara zgjedhjeve, udhëheqësit filluan të parashikonin një fitore të Trump-it. Zelensky e takoi në New York në të njëjtën javë me Starmer.
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, udhëtoi në pronën e Trump në Mar-a-Lago, në korrik, ashtu si edhe kryeministri hungarez, Viktor Orban. Ky i fundit takohet dhe flet rregullisht në telefon me Orban, ku thurin lavde për njëri-tjetrin.
Orban, ka thënë Trump, është një “lider shumë i madh, një njeri shumë i fortë”, të cilin disa nuk e pëlqejnë vetëm “sepse është shumë i fortë”. Orban, nga ana e tij, e ka vlerësuar Trump-in si shpresën e vetme për paqen në Ukrainë.
Si ta bindni Trump-in
Bindja e Trump-it se prioritetet e Ukrainës janë në interesin e tij, qëndron në qendër të strategjisë lobuese të Zelensky-t.
Skepticizmi i Trump për mbështetjen ushtarake për Ukrainën është i mirënjohur. Ai pretendon se mund t’i japë fund luftës brenda një dite, ndoshta edhe para se të merrte detyrën, megjithëse nuk ka thënë se si.
Analistët kanë frikë se ai do ta detyrojë Zelensky-n të bëjë një marrëveshje paqeje me presidentin Vladimir V. Putin, që do të rrënjoste fitimet territoriale të Rusisë në Ukrainë.
Në takimin e tyre në New York, Zelensky deklaroi se mbrojtja e Ukrainës është në interesat ekonomike të Shteteve të Bashkuara. Kjo për shkak se nga pjesa më e madhe e ndihmës ushtarake të Amerikës përfitojnë vetë kontraktorët e mbrojtjes së vendit – për shembull, Lockheed Martin, i cili realizon sistemin raketor HIMARS që është bërë një armë jetike në arsenalin ukrainas.
Zyrtarët ukrainas kanë punuar me aleatët republikanë në Washington për të zhvilluar mënyrat e strukturimit të ndihmës ushtarake, duke përfshirë krijimin e një programi huadhënie prej 500 miliardë dollarësh për të ndihmuar Ukrainën.
Kjo është ideja e Mike Pompeo-s, një ish-sekretar shteti dhe drejtor i CIA-s në administratën e parë Trump, i cili mund të marrë një rol të spikatur në administratën e re.
“Për mendimin tim, ne duhet të marrim një pozicion proaktiv”, tha Oleksandr Merezhko, kryetar i komitetit të marrëdhënieve të jashtme të Parlamentit të Ukrainës. Merezhko shprehet se ka lexuar disa libra për mandatin e parë të Trump për ta ndihmuar atë të kuptojë se si të lundrojë në një mandat tjetër të Trump.
Kanadaja, gjithashtu, ka thurur një rrjetë të gjerë për të ndikuar në administratën e ardhshme. Duke filluar nga janari i kaluar, Trudeau dërgoi ministrat e kabinetit në vizita të rregullta në Shtetet e Bashkuara për të takuar zyrtarë federalë dhe shtetërorë.
Trump ka thënë se dëshiron që të gjitha mallrat e importuara t’i nënshtrohen një tarife prej 10 për qind ose më të lartë. Kjo do të ishte katastrofike për Kanadanë.
Vetë Trudeau ka pasur një marrëdhënie ulje ngritjesh me Trump-in.
Dikur shumë të dashur, të dy debatuan për tarifat, me Trump-in që e quajti Trudeaun “të pandershëm dhe të dobët”. Por zëvendëskryeministrja e Kanadasë, Chrystia Freeland, ka mbajtur marrëdhënie të mira me Robert Lighthizer, këshilltarin kryesor të Trump për tregtinë.
Të brendshëm dhe të jashtëm
Angazhimi i një administrate të re Trump është më e lehtë për disa vende sesa të tjerat.
Për disa muaj, zyrtarët izraelitë u kanë dhënë informacione për luftën në Gaza Jared Kushner-it, dhëndri i Trump, i cili ka punuar në çështjet e Lindjes së Mesme gjatë mandatit të tij të parë, dhe David Friedman-it, i cili shërbeu si ambasador i Trump në Izrael.
Kështu thanë dy zyrtarë izraelitë, të cilët folën në kushte anonimiteti për të diskutuar takime të ndjeshme. Yossi Dagan, një udhëheqës i kolonëve izraelitë që bëri fushatë për Trump-in, tashmë është ftuar të marrë pjesë në inaugurimin e tij në Washington. Dagan e priti Friedman në një event për të promovuar librin e Friedman muajin e kaluar.
Netanyahu, ashtu si Trudeau, ka pasur ulje-ngritjet e tij me Trumpin. Gjatë mandatit të tij të parë, Trump njohu Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit dhe zhvendosi Ambasadën Amerikane atje, duke i dhënë Netanyahu-t një fitore të madhe. Por në vitin 2020, Netanyahu e zemëroi atë duke e uruar Biden-in për fitoren e tij në zgjedhjet presidenciale.
Pas vizitës së tij në Mar-a-Lago, Netanyahu ishte ndër udhëheqësit e parë që thirri Trump-in në telefon, për atë që qeveria izraelite e përshkroi si një bisedë “të ngrohtë dhe të përzemërt”. Kjo ishte e përmbajtur, krahasuar me formulimin e përdorur nga udhëheqës të tjerë.
Presidenti i Kenias, William Ruto, i vetmi lider afrikan i pritur nga Biden për një vizitë shtetërore, tha se fitorja e Trump-it ishte një haraç për “udhëheqjen e tij vizionare, të guximshme dhe novatore”.
Tajvani, vetëqeverisja e të cilit është nën kërcënimin e një Kine gjithnjë e më ekspansioniste, është ndër pikat e nxehta globale më të etur për të fituar miqësinë e Trump. Kjo parashikon mbështetje më të fortë për Tajvanin nën drejtimin Trump. Por disponimi i tij ndaj ishullit është ftohur dhe nuk ka asnjë shenjë deri më tani për një telefonatë mes tij dhe presidentit aktual tajvanez, Lai Ching-te.
Si Lai ashtu edhe presidenti i Kinës, Xi Jinping, i dërguan mesazhe urimi Trump-it. Në Bashkimin Evropian, ankthi për kthimin e Trump ka çuar gjithashtu në një stuhi idesh parandaluese.
Javët e fundit, Björn Seibert, ndihmësi kryesor i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka mbajtur seanca të vogla me ambasadorët për të diskutuar skenarët për administratën e ardhshme.
Këto takime janë përqendruar te Trump-i dhe tregtia, thanë disa zyrtarë evropianë. Diplomatët evropianë janë realistë për detyrën që kanë përpara. Por ata mbahen pas idesë se me qasjen e duhur, Trump mund të lëkundet.
Karen Pierce, ambasadorja e Britanisë në Shtetet e Bashkuara, tha se “me Presidentin Trump, është arti i së mundshmes. Nëse mund të shpjegoni se çfarë mund të bëjmë së bashku dhe si mund t’i përmirësojmë gjërat në një mënyrë domethënëse, atëherë mund të bëni përparim”.
Paraardhësi i Pierce si ambasador, Kim Darroch, u detyrua të largohej nga posti i tij pasi një gazetë britanike zbuloi kabllogramet e tij diplomatike me kritika ndaj Trump-it.
Ndoshta është e kuptueshme, ai ka një pikëpamje tjetër për afrimin me Trump.
“Unë jam skeptik se ne do ta bëjmë atë të ndryshojë mendim në çështjet me angazhime publike, qoftë tarifat apo përfundimin e furnizimeve të armëve për Ukrainën”./New York Times
Lini një Përgjigje