
Qeveria e Bullgarisë do të heqë taksat për tranzitin e gazit natyror rus me destinacion Serbi dhe Hungari.
Duke folur në televizionin publik, ministrja e Energjisë e Serbisë, Jedovic Hadanovic, shprehu kënaqësinë e saj për marrëveshjen e arritur me Bullgarinë për heqjen e taksës speciale ndaj Rusisë, duke vënë në dukje se masa ishte kundër rregulloreve evropiane ndaj gazit natyror.
Bullgaria në mesin e tetorit kishte vendosur taksa shtesë për importin dhe transportin e gazit rus, në shumën 20 BGN (rreth 10 euro) për megavat orë, si pjesë e sanksioneve kundër Rusisë, pas pushtimit të Ukrainës.
Qeveria e Nikolai Denkof shpjegoi se qëllimi i taksës nuk ishte të rriste çmimet e gazit për Serbinë dhe Hungarinë, por të ulte fitimet e gjigantit rus të energjisë Gazprom, i cili furnizon me gaz Serbinë dhe Hungarinë nëpërmjet Bullgarisë.
Beogradi dhe Budapesti e kishin cilësuar atëherë vendimin e Sofjes si "armiqësor". Serbia është plotësisht e varur nga gazi natyror rus dhe në nëntor iu drejtua Komunitetit të Energjisë, si organi rregullator i Bashkimit Evropian në sektorin e energjisë, duke kërkuar masën e heqjes së taksës nga Bullgaria.
Vihet re se Serbia gradualisht po fillon të diversifikojë burimet e saj të furnizimit me gaz natyror. Më 10 dhjetor, tubacioni interkonektor, i cili shtrihet nga qyteti serb i Nishit deri në periferi të Sofjes, u vu në punë. Ky tubacion, i cili ka kapacitetin për të transportuar 1.8 miliardë metra kub gaz natyror në vit, do të transportojë gazin azerbajxhanas që do të mbërrijë në Greqi nëpërmjet tubacionit TAP dhe më vonë nga terminali LNG në Aleksandropoli.
Përveç kësaj, më 15 nëntor nënshkroi një marrëveshje me Azerbajxhanin për të furnizuar 400 milionë metra kub gaz natyror në vit. Për të mbuluar nevojat e saj aktuale, Serbia ka nevojë për rreth 3.2 miliardë metra kub gaz në vit.
Lini një Përgjigje