TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota18 Prill 2026, 11:39

Britanikët ‘pendohen’ pas Brexit, mbi gjysma e votuesve kërkojnë rikthimin në BE

Shkruar nga Pamfleti

Britanikët ‘pendohen’ pas Brexit, mbi gjysma e votuesve

Një studim i publikuar nga The Guardian, bazuar në kërkime të organizatës “Best for Britain”, tregon se mbështetja e qytetarëve për rikthimin e plotë të Mbretërisë së Bashkuar në Bashkimin Evropian është në rritje, 10 vjet pas referendumit për Brexit.

Sipas të dhënave, 53% e të gjithë votuesve britanikë mbështesin rikthimin në BE. Mbështetja është dukshëm më e lartë mes votuesve të partive progresiste: 83% e votuesve të Laburistëve, 84% e Liberal Demokratëve dhe 82% e Partisë së Gjelbër janë pro rikthimit.

Edhe mes elektoratit konservator dhe atij të partisë Reform UK ka një nivel të caktuar mbështetjeje, përkatësisht 39% dhe 18%.

Britanikët ‘pendohen’ pas Brexit, mbi gjysma e votuesve

Studimi tregon gjithashtu se, ndonëse 61% e votuesve mbështesin qasjen aktuale të qeverisë britanike ndaj marrëdhënieve me BE-në, vetëm 19% e bëjnë këtë “fuqimisht”, çka sugjeron një mbështetje relativisht të dobët për kursin aktual.

Ekspertët paralajmërojnë se qasja e kujdesshme e Partisë Laburiste ndaj çështjes së Brexit mund të ketë kosto politike. Sipas tyre, kjo strategji rrezikon të humbasë mbështetje si nga votuesit progresistë, ashtu edhe në zonat tradicionale industriale të njohura si “red wall”.

Anketimi testoi disa skenarë për marrëdhëniet me BE-në, përfshirë ruajtjen e marrëveshjes aktuale të Boris Johnson, afrimin gradual me BE-në, anëtarësimin në tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor, si dhe rikthimin e plotë në BE.

Drejtori i politikave në “Best for Britain”, Tom Brufatto, thekson se zgjidhjet e ndërmjetme paraqesin rreziqe. Ai argumenton se rikthimi në tregun e përbashkët dhe bashkimin doganor do të kërkonte delegimin e një pjese të konsiderueshme të rregullave tek BE-ja, pa një rol të drejtpërdrejtë në vendimmarrje.

Aktualisht, politika e Laburistëve synon përafrimin me standardet e BE-së pa anëtarësim, çka nënkupton se Mbretëria e Bashkuar duhet të ndjekë rregullat evropiane pa pasur ndikim në hartimin e tyre.

Që nga dalja nga BE në vitin 2020, Britania ka devijuar nga 76 rregulla dhe standarde në kuadër të negociatave për marrëveshjen mbi produktet bujqësore, e cila synon të ulë burokracinë për eksportuesit.

Analisti i njohur John Curtice kritikon atë që e quan “strategji heshtjeje” të Laburistëve për Brexit, duke theksuar se partia po humbet më shumë votues drejt Liberal Demokratëve dhe të Gjelbërve sesa drejt partive pro-Brexit. Sipas tij, Laburistët kanë humbur rreth 10% të votuesve drejt Reform UK, por një në katër votues drejt partive pro-evropiane.

Ish-lideri laburist Neil Kinnock vlerëson se Brexit ka shkaktuar dëme të mëdha për ekonominë britanike dhe shpreh bindjen se në të ardhmen vendi do të rikthehet në BE, edhe pse pa një afat të përcaktuar.

Ndërkohë, Anand Menon nga instituti “UK in a Changing Europe” thekson se ka kontradikta në qasjen aktuale të qeverisë. Ai argumenton se është e vështirë të justifikohet një politikë që pranon se Brexit i ka kushtuar ekonomisë rreth 8% të PBB-së, ndërkohë që synon përfitime modeste prej vetëm 1% nga rregullimet aktuale.

Sipas tij, afrimi gradual me rregullat e BE-së do ta kthejë Britaninë në një “ndjekëse rregullash”, duke rritur ngarkesën administrative dhe vëmendjen politike që kërkon kjo qasje. 

 

brexit britania e madhe

Lini një Përgjigje