Takimi i 19 shkurtit në Uashington vjen ndërsa misioni i bordit është zgjeruar përtej Gazës dhe ka ngritur skepticizëm ndërkombëtar
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump po planifikon këtë muaj në Uashington mbledhjen e parë të ashtuquajturit “Bordi i Paqes”, sipas një zyrtari amerikan dhe një diplomati nga një vend i ftuar. Takimi vjen në një kohë kur organizata shumëpalëshe, e krijuar për zgjidhjen e konflikteve globale, përballet me pyetje të vazhdueshme mbi mandatin dhe rolin e saj.
Sipas informacioneve të siguruara nga CNN, SHBA kanë dërguar ftesa për eventin e 19 shkurtit, i cili pritet të mbahet në Institutin Amerikan të Paqes, të riemërtuar nga Trump me emrin e tij. Kjo do të thotë, se nëse pjesëmarrësit nuk do të kenë takime të programuara, nuk do të kenë mundësi të hyjnë në zyrën ovale në Shtëpinë e Bardhë.
Bordi kryesohet nga vetë presidenti amerikan.
Fillimisht, Bordi i Paqes ishte konceptuar si një strukturë e kufizuar për të mbikëqyrur rindërtimin e Rripit të Gazës, i shkatërruar nga lufta mes Izraelit dhe Hamasit. Megjithatë, sipas një draft-statuti të shpërndarë bashkë me ftesat, misioni i tij është zgjeruar për të adresuar konflikte në mbarë botën. Dokumenti nuk përmend më Gazën.
Një zyrtar amerikan tha se mbledhja synon pjesërisht edhe mbledhjen e fondeve, duke theksuar se detajet janë ende në përpunim.
Shtëpia e Bardhë nuk ka komentuar publikisht mbi këtë çështje.
Takimi, i raportuar fillimisht nga Axios, do të jetë i pari që pas ceremonisë së nënshkrimit të mbajtur muajin e kaluar në Forumin Ekonomik Botëror në Davos. Deri tani, rreth dy duzina shtetesh i janë bashkuar Bordit të Paqes.
Iniciativa është pritur me skepticizëm, veçanërisht lidhur me mundësinë që ajo të synojë të zëvendësojë rolin e Kombeve të Bashkuara. Shumica e aleatëve evropianë të SHBA-së nuk janë bashkuar, ndërsa Izraeli ende nuk e ka nënshkruar zyrtarisht statutin, pavarësisht se kryeministri Benjamin Netanyahu ka shprehur gatishmërinë për ta bërë këtë.
Nuk është e qartë se cilat vende do të marrin pjesë në takimin e 19 shkurtit dhe në çfarë niveli përfaqësimi.
Mbledhja zhvillohet ndërsa administrata amerikane po përpiqet të avancojë Fazën 2 të planit të saj të paqes për Gazën dhe të sigurojë mbështetje për rindërtimin. SHBA njoftoi në mes të janarit nisjen e fazës së radhës të armëpushimit, por ende nuk ka paraqitur plane konkrete për një nga çështjet më të ndërlikuara: çmilitarizimin e Hamasit.
Në Davos, dhëndri i Trump, Jared Kushner, prezantoi një plan vizionar për rindërtimin e Gazës, përfshirë investime masive dhe zhvillime urbane përgjatë bregdetit. Kushner deklaroi se plani nuk ka alternativë tjetër dhe se zbatimi i tij varet nga çmilitarizimi i Hamasit, pa dhënë detaje mbi mekanizmat e zbatimit.
Anëtarë të Bordit të Paqes janë, ndër të tjerë, Emiratet e Bashkuara Arabe, Arabia Saudite, Egjipti, Katari, Bahrejni, Pakistani, Turqia, Hungaria, Maroku, Kosova, Shqipëria, Bullgaria, Argjentina, Paraguai, si dhe Kazakistani, Mongolia, Uzbekistani, Indonezia dhe Vietnami.
Sipas zyrës së kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu pritet të takohet me presidentin Trump në Uashington këtë javë, me fokus kryesor negociatat lidhur me Iranin. /Përshtatur nga CNN/
Lini një Përgjigje