Si e goditi Amerikën “Mjerimi i Ri”...
250-vjetori i eksperimentit amerikan do të mjaftonte si arsye për reflektim të thellë. Por zhvillimet historike të viteve të fundit e bëjnë këtë moment edhe më të ngarkuar me domethënie. Sot, vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te Shtetet e Bashkuara, mes pasigurie dhe shqetësimi për drejtimin e projektit amerikan, brenda dhe jashtë vendit.
Në planin e brendshëm, besimi në institucionet politike dhe civile ka pësuar një rënie të gjatë dhe të thellë. Në arenën ndërkombëtare, reputacioni i SHBA-së po gërryhet me shpejtësi, teksa qeveritë e huaja dhe tregjet globale e shohin gjithnjë e më shpesh Uashingtonin si një aktor të paparashikueshëm, madje si burim paqëndrueshmërie.
Kjo paparashikueshmëri buron nga vetë shoqëria amerikane: nga pakënaqësia e qytetarëve me vendin e tyre dhe me rolin e tij në botë. Ky zhgënjim po i shtyn amerikanët të rishqyrtojnë angazhimin tradicional ndaj rendit ndërkombëtar të ndërtuar pas Luftës së Dytë Botërore, Pax Americana, që për dekada ka mbështetur sigurinë, tregtinë dhe financat globale.
Ironia historike është e thellë. Pikërisht kur SHBA-ja doli nga Lufta e Ftohtë si superfuqia e vetme dhe e pakontestueshme globale, me ndikim më të madh se çdo perandori e mëparshme, nisi të shfaqej një shqetësim i brendshëm që sot po reflektohet në skenën botërore.
Ky dyshim i brendshëm shfaqet në një shoqëri me pasuri të jashtëzakonshme. Asnjë vend në histori nuk ka gjeneruar aq shumë pasuri sa Shtetet e Bashkuara sot, me një pasuri neto private që i kalon 180 trilionë dollarë. Pyetja thelbësore është pse vendi më i pasur dhe më i fuqishëm në histori është kaq i mbushur me pasiguri dhe pakënaqësi.
Përgjigje të rëndësishme gjenden te “aritmetika njerëzore” e Amerikës. Është e mundur të jesh njëkohësisht i begatë dhe i varfëruar në aspektin njerëzor. Krahas përparimeve materiale dhe arritjeve shoqërore, përfshirë çrrënjosjen e diskriminimit të ligjshëm racor, janë shfaqur pasoja të papritura të politikave publike dhe rritjes së fuqisë shpenzuese. Këto pasoja kanë prodhuar atë që përshkruhet si “Mjerimi i Ri”.
Brezi i Depresionit të Madh nuk do ta imagjinonte një Amerikë kaq të pasur, por me më shumë varësi nga ndihmat sociale, shpërbërje familjare, kriminalitet dhe ndoshta edhe më shumë vetmi e dëshpërim. Një nga problemet më të nënvlerësuara është rënia afatgjatë e punësimit për burrat në moshë pune.
Edhe pse treguesit zyrtarë të papunësisë duken relativisht pozitivë, norma e punësimit për burrat nga 25 deri në 54 vjeç ka qenë, mesatarisht, më e ulët në shekullin XXI sesa në fund të Depresionit të Madh. Sot, rreth 7 milionë burra në këtë grupmoshë nuk punojnë dhe as nuk kërkojnë punë. Shumë prej tyre janë të shkëputur nga shoqëria, të varur nga ndihmat, me probleme shëndetësore dhe shpesh të prekur nga ajo që quhen “vdekje nga dëshpërimi”.
Pasojat shtrihen përtej individëve: rritje më e ngadaltë ekonomike, pabarazi më të mëdha, familje më të brishta dhe një shoqëri civile më e dobët. Dështimi i elitave politike, akademike dhe mediatike për ta adresuar seriozisht këtë realitet ka thelluar hendekun e besimit dhe empatisë mes qeverisësve dhe qytetarëve.
Në të njëjtën kohë, udhëheqja politike amerikane pas Luftës së Ftohtë përshkruhet si e dobët dhe e shkurtërpamë, si në politikën e jashtme ashtu edhe në atë të brendshme. Rritja e borxhit publik, braktisja e disiplinës buxhetore dhe financimi i konsumit aktual përmes barrës mbi brezat e ardhshëm paraqiten si praktikë e paqëndrueshme dhe e pajustifikueshme.
Sot, Shtetet e Bashkuara mbeten një komb i madh, por në rrezik. Megjithatë, kërcënimet më serioze vijnë kryesisht nga brenda. Autori thekson se themelet e Amerikës janë ende të forta: rendi kushtetues, aftësia për të krijuar begati dhe roli historik i Pax Americana në mbrojtjen e lirive dhe reduktimin e varfërisë globale.
Ajo që mungon, sipas këtij vlerësimi, është besimi për t’i lënë këto themele të funksionojnë dhe një rikthim te optimizmi karakteristik amerikan që, historikisht, ka qenë burim force dhe rinovimi. /Përshtatur nga “Washinton Post”
Lini një Përgjigje