Në një botë me aplikacione pagesash dhe euro digjitale, monedha po bën një rikthim modest, shkruan The Economist
Hyni në një kishë në Suedi në mes të dimrit të zymtë dhe do të gjeni një nga këndet e saj të ndriçuar lehtë. Qirinj të ndezur nga vizitorët që përkujtojnë një të dashur, shërbejnë si një shkëputje nga vrulli i jetës moderne. Dikur, këto pamje të qeta prisheshin vetëm nga tingulli i monedhave që binin në një kuti metalike donacionesh për çdo qiri.
Jo më. Në këto kohë moderne, qirinjtë mbeten, por kutia e parave shpesh është zëvendësuar nga një kod QR. Në vend që të kërkojnë në kuletat e tyre për monedha, ata që duan të ndezin një qiri dërgojnë disa korona drejt kishës përmes Swish, një aplikacion pagesash që përdoret kudo. Tingulli i monedhave mbi metal është zëvendësuar nga zhurma e shurdhët e telefonave celularë që njoftojnë se pagesa është kryer.
Europa, ose të paktën pjesa e saj veriore, është toka ku paraja cash është harruar. Në Norvegji dhe Suedi, monedhat dhe kartëmonedhat i përkasin së shkuarës.
Suedezët tani përdorin pagesa digjitale për 90% të të gjitha blerjeve; vetëm gjysma përdorin cash ndonjëherë gjatë një muaji të caktuar. Ndërkohë që japonezët mbajnë në kuleta dhe nën dyshekë kartëmonedha dhe monedha jen në vlerë sa 22% e PBB-së së tyre, në Suedi kjo shifër është nën 1%.
Pjesë të tjera të kontinentit po e ndjekin këtë rrugë. Në Europën Jugore, paraja cash mbetet më shpesh norma, aty ku njerëzit janë më të varfër dhe bizneset e vogla ndonjëherë nuk e kanë disiplinën fiskale skandinave për të deklaruar të gjitha të ardhurat te tatimet.
Gjermania dhe Austria ruajnë një afeksion të vjetër për paranë fizike, duke vlerësuar privatësinë që ajo ofron përballë shteteve dikur represive. Por edhe ato po e braktisin paranë cash.
Europa ka gjysmën e bankomatëve për frymë që ka Amerika, dhe ky numër po bie. Bankat në Danimarkë mbajnë aq pak para cash saqë grabitësit nuk marrin më mundimin t’i grabisin.
Kjo lëvizje e parave në mënyrë elektronike nga një llogari në tjetrën dikur dukej si mishërimi i modernitetit, pavarësisht protestave të artistëve të rrugës, lypësve dhe shmangësve të taksave. Politikanët kanë shtyrë prej kohësh për më shumë pagesa digjitale për të ndihmuar në luftën kundër të ardhurave të padeklaruara dhe pastrimit të parave.
Greqia i detyroi bizneset, përfshirë restorantet dhe taksitë, të pranonin pagesa digjitale dhe të lëshonin fatura (edhe pse pajisja e kartave në tavernë mund të rezultonte “rastësisht” jashtë funksionit kur vinte fatura).
BE-ja ka vendosur pragje për përdorimin e parasë cash, duke kërkuar legjislacion kombëtar që ndalon përdorimin e kartëmonedhave për pagesa të mëdha biznesi.
Në vitin 2019, Banka Qendrore Europiane madje ndaloi emetimin e kartëmonedhave të reja prej 500 euro. (Kjo kartëmonedhë shihej aq rrallë dhe dyshohej se përdorej shumë për financimin e veprimtarive të dyshimta, sa ishte pagëzuar “bin Laden”.) Në sytë e europianëve, cash ishte paraja e djeshme, dhe pagesat digjitale e ardhmja e ndritshme.
Disa protestuan, veçanërisht në të djathtën populiste. Ata prej kohësh i kanë denigruar pagesat digjitale si një dhuratë për bankat (që përfitojnë nga çdo kalim karte); cash, thonë ata, është një formë “lirie e shtypur”. Por konsumatorët kanë votuar me kuletat e tyre.
Në gjithë zonën e euros, paraja cash u përdor për 79% të transaksioneve fizike në vitin 2016, por vetëm për 52% në 2024 (dhe përbënte një pjesë më të vogël të vlerës, pasi kartat parapëlqehen për pagesa më të mëdha).
Kafenetë kuptuan se mund të bënin më shumë biznes duke i lënë klientët të përdornin kartat e tyre bankare në vend që të rrëmonin për monedha. Sidomos pas covid-19, pagesat me monedha dhe kartëmonedha u bënë aq të rralla në shumë dyqane saqë nuk ia vlente më t’i mbanin.
Një numër gjithnjë në rritje vendosën tabela “pa cash”: në gjithë Europën, 12% e të gjitha bizneseve e refuzuan hapur paranë cash në 2024, nga 4% vetëm tre vite më parë.
Në disa vende, shifra është më e lartë. Më shumë se një në tre kinema në Holandë nuk pranojnë më kartëmonedha dhe monedha. Paraja cash dukej se po hynte në një spirale fatkeqe: gjithnjë e më pak njerëz tërhiqnin euro sepse gjithnjë e më pak dyqane i pranonin, sepse gjithnjë e më pak njerëz i përdornin, dhe kështu me radhë.
Megjithatë, autoritetet tani mendojnë se paraja elektronike mund të jetë më e mirë sesa duhet. Ata do të donin të shihnin, një kthim të shpejtë te cash, të paktën një mënyrë për të siguruar që të vazhdojë të jetë një mjet pagesash i kudogjendur. Në vitin 2021, një vendim i gjykatës më të lartë të BE-së konfirmoi se paratë letër duhet, në parim, të pranohen.
Për të hequr çdo dyshim të mbetur, në dhjetor ministrat e 27 shteteve anëtare të BE-së ritheksuan dëshirën e tyre për t’u ndaluar bizneseve refuzimin e kartëmonedhave dhe monedhave.
Si pjesë e një ligji të ardhshëm, dyqanet dhe restorantet do të jenë ende në gjendje të tregojnë se parapëlqejnë pagesa dixhitale, por do të duhet gjithashtu të pranojnë paranë tradicionale në dorë.
Ndryshimi që mund t’i besosh
Pse ky hap pas? Një shqetësim është se një pakicë e konsiderueshme mbetet e ftohtë ndaj parasë digjitale. Aplikacionet e reja dhe kartat me PIN janë të shkëlqyera për të rinjtë.
Por për të moshuarit, përvoja e menaxhimit të kartave dhe aplikacioneve bankare mund të jetë zhgënjyese. Disa njerëz të varfër e kanë të vështirë madje të hapin një llogari bankare.
Një dyshim më i fundit lidhet me qëndrueshmërinë e sistemeve të pagesave. Sado të përshtatshme të jenë kur gjithçka funksionon, lëvizja e parave në mënyrë “eterike” kërkon energji elektrike dhe lidhje të dhënash.
Spanjollët që u përballën me ndërprerje mbarëkombëtare të energjisë pranverën e kaluar u gjetën të paaftë për të blerë ushqime dhe nevoja të tjera bazë. Po për kërcënimet nga kundërshtarë të huaj?
Disa shqetësohen se mbështetja e tepruar te pagesat digjitale e lë Europën të varur nga Visa dhe MasterCard, kompani amerikane me “zotër” politikë të paparashikueshëm. (BQE po shqyrton një “euro digjitale” si përgjigje, megjithëse kjo do të marrë vite.)
Në vendet baltike dhe nordike, ku ankthi fokusohet te sabotimi rus, sistemet e pagesave digjitale tani mund të funksionojnë për një kohë edhe kur energjia ndërpritet.
Por asgjë nuk e mund paranë cash kur bëhet fjalë për qëndrueshmëri. Suedezët janë këshilluar prej kohësh të ruajnë mjaft kartëmonedha dhe monedha për të përballuar një javë, një hap që tani e rekomandon edhe BE-ja.
Pas vitesh përdorimi kartash për të paguar, Europa po zbulon se disa “kusure” ia vlen t’i mbash./Monitor
Lini një Përgjigje