
Bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit pritet të zgjasin deri në orët e vona të natës dhe mund të vazhdojnë edhe të dielën, sipas një burimi pakistanez të cituar nga CNN.
Negociatat po zhvillohen në Islamabad, me Pakistanin që luan rolin e ndërmjetësit mes dy palëve. Prej më shumë se dy orësh palët kanë nisur negociatat ballë për ballë dhe sipas gjasave ato do të zgjasin.
Kujtojmë se delegacioni i Iranit në bisedimet e Islamabadit po udhëhiqet nga një treshe figurash të larta politike dhe diplomatike, sipas raportimeve nga mediat iraniane në terren.
Kryetari i Parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, një figurë e fuqishme brenda sistemit politik të Iranit, po drejton ekipin dhe po mbikëqyr drejtimin e përgjithshëm të negociatave.
Ministri i Jashtëm Abbas Araghchi sjell përvojë të gjerë nga negociatat e kaluara bërthamore me fuqitë perëndimore. Ali Bagheri Kani , një negociator kyç i linjës së ashpër, ka luajtur gjithashtu një rol qendror në bisedimet e mëparshme bërthamore me Shtetet e Bashkuara.
Delegacioni iranian përbëhet nga rreth 70 anëtarë në total. Përveç negociatorëve kryesorë, 26 anëtarë janë pjesë e komiteteve teknike në fushat ekonomike, të sigurisë dhe politike, me qëllim ofrimin e konsultimeve të nevojshme, raportuan mediat iraniane.
Nga krahu tjetër, zëvendëspresidenti JD Vance po kryeson delegacionin amerikan, së bashku me të dërguarin special Steve Witkoff dhe dhëndrin e presidentit, Jared Kushner.
Lini një Përgjigje