
Kur kanë mbetur pak më shumë se dy ditë derisa Donald Trump të vendosë dorën mbi Bibël dhe të betohet për herë të dytë si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara, përgatitjet në Uashington janë të ethshme. Brenda pak ditësh aty janë zhvilluar si ratifikimi i rezultatit të zgjedhjeve presidenciale ashtu edhe varrimi i ish-presidentit Carter. Autoritetet Federale, ndonëse kanë përvojë të konsiderueshme në ngjarje të tilla, rrallë herë kanë organizuar tre të tilla me nivelin më të lartë të sigurisë në një periudhë kaq të shkurtër kohore.
Moti i ftohtë ndryshon ritualin
Inaugurimi i Trump do të bëhet në ambiente të mbyllura të hënën, sipas burimeve të cituara nga rrjeti ABC. Shkak janë bërë temperaturat polare që do të mbizotërojnë në Uashington të hënën, të cilat sipas parashikimit do të jenë më të ulëtat në 40 vitet e fundit. Modelet meteorologjike tregojnë se do të jetë ftohtë dhe në momentin e betimit në natyrë do të jetë ndoshta -15 . Sipas CNN, parada tradicionale mund të mbahet në stadiumin Capital One. Ky do të jetë vetëm inaugurimi i dytë me dyer të mbyllura që nga mandati i dytë i Ronald Reagan.

Vihet re se presidenti i fundit që u betua në ambiente të mbyllura ishte Ronald Reagan në vitin 1985 për shkak të temperaturave të ftohta. Reagan u betua brenda rotondës së Kapitolit dhe parada e tij e inaugurimit u anulua.
“Era arktike përfshin vendin. Prandaj, kam vendosur që fjalimet të mbahen në rotondën e Kapitolit, siç u bë me Ronald Reagan në 1985”, tha Trump në një postim në Truth Social. Fjalimet, lutja dhe betimi do të bëhen në rotondën e Kapitolit. “Personalitetet dhe mysafirë të ndryshëm do të jenë brenda Kapitolit”, shtoi Trump. Ai shpjegoi gjithashtu se, për të njëjtën arsye, parada presidenciale do të mbahet në një stadium aty pranë, Capital One Arena.
Masat e sigurisë
Krahasuar me inaugurimin e parë të Donald Trump në 2017, autoritetet lokale raportojnë se vizitorët do të jenë më pak se 1 milion se herën e parë. Pavarësisht kësaj, rrugët përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë tashmë janë mbyllur dhe kontrollohen të paktën katër herë në ditë nga njësitë speciale antiterror me qen.

Një total prej 48 kilometrash barrikada do të bllokojnë të gjithë aksesin në këtë pjesë të veçantë të Uashingtonit, ndërsa më shumë se 25,000 policë tashmë janë njoftuar dhe janë zhvendosur në kryeqytet për t'u vendosur në pikat kyçe.
Urdhrat e marra nga forcat e sigurisë, ku përfshihen edhe elementë të gardës kombëtare, janë që askush të mos përjashtohet nga protokolli i kontrolleve që do të jenë përtej të gjithanshme dhe që kërkojnë kohë. Kohëzgjatja dhe procedura janë informuar në detaje për të ftuarit e të gjitha niveleve – madje edhe udhëheqësit e vendeve – dhe atyre u është kërkuar që të mbërrijnë me një rend të caktuar dhe në një kohë të caktuar shumë përpara fillimit të ceremonisë. Planifikimi fillestar që kanë në dorë autoritetet e Kryeqytetit Amerikan përfshin më shumë se 250 mijë persona, numër që të dhënat krijojnë një “dhimbje koke” operacionale shtesë.

Vihet re se deri më sot autoritetet e Uashingtonit nuk kanë anuluar asnjë nga kërkesat që kanë marrë nga grupet për të demonstruar në rrugët përreth zonës gjatë inaugurimit.
Në gatishmëri është edhe infrastruktura në qytet, ku hotelet javën e kaluar deklaruan se akomodimet në to arritën në 70%, megjithëse pritet të rritet. Megjithatë, kjo është një përqindje më e ulët se 92% që u regjistrua në inaugurimin e parë të Trump.

Shumë hotele kanë shpallur çmime speciale për inaugurimin, duke përfshirë Ëatergate: Për 73,500 dollarë mund të flini në suitën presidenciale dhe të keni në dispozicion një helikopter.
Lini një Përgjigje