
Vendimet agresive dhe të njëanshme të Trumpit janë të përhapur në të gjitha fushat. Por tani gjyqtarët po përpiqen ta frenojnë. A është ky një ekuilibër pushtetesh apo një përplasje politike?
Në filmin “The Apprentice”, i cili tregon historinë e ngritjes së sipërmarrësit të ri Donald Trump në Nju Jorkun e viteve 1970, avokati Roy Cohen, i konsideruar si një nga mentorët e manjatit, i ofron atij tre rregullat e tij të paskrupullta që ai përdor për të fituar në gjykatë dhe për të mbrojtur interesat e klientëve të tij. E para është sulm, sulm, sulm.
Dhe duket se në muajt e parë të presidencës së tij, Donald Trump, nuk e ka shmangur këtë rregull të vjetër: nga tarifat tek politika e jashtme, nga emigracioni te emërimet qeveritare, nga marrëdhëniet me botën e kulturës tek reforma tatimore, nuk mund të thuhet se Trump po vepron në mbrojtje.
Ai kërcënon (dhe zbaton) me shkurtime të fondeve për universitetet progresive, kërcënon (dhe zbaton) detyrime dhe tarifa për produktet e importuara në SHBA, propozon (dhe imponon?) armëpushime të brishta në Gaza, dëbon (duke i detyruar të largohen nga vendi përpara se gjyqtarët të arrijnë të bllokojnë masat) emigrantët e paligjshëm që janë anëtarë të bandave të dhunshme të Amerikës së Jugut, vendos kontrolle të rrepta në kufirin me Meksikën, duke sjellë rënien drastike të hyrjeve të paligjshme në SHBA.
Strategjia e një sulmi të gjithanshëm, po e mban të izoluar kundërshtarin. Pasi doli e mundur rëndë në zgjedhjet e nëntorit 2024, Partia Demokratike është aktualisht në një krizë identiteti. Ajo ka humbur mbështetjen midis punëtorëve, veçanërisht midis burrave dhe të rinjve.
Po ashtu, nuk ka më shumicën e mbështetjes tek pakicat, ndërsa disa shtete të mëdha bastione të demokratëve (si Kalifornia) po humbin popullsi në favor të shteteve me shumicë republikane (Teksasi), që janë aktualisht më tërheqëse për shkak të sigurisë së tyre më të madhe dhe taksave më të ulëta.
Mbi të gjitha, Partia Demokratike nuk është në gjendje të gjejë një udhëheqës që mund të bashkojë të moderuarit, që do të donin më shumë kujdes në çështjen e të drejtave transgjinore dhe migracionit, me krahun më progresist, të lidhur me aktivizmin LGBTQ+ dhe lëvizjet pro-palestineze dhe lëvizjen Black Lives Matter të afro-amerikanëve.
Ndoshta një opozitë më efektive është ajo që Universiteti i Harvardit po i bën kërkesave të qeverisë konservatore. I udhëhequr nga kancelari i ri Alan Garber (kancelari i mëparshëm, progresistja Claudine Gay, u detyrua të jepte dorëheqjen për shkak të sulmeve antisemite që nuk u kundërshtuan në mënyrën e duhur, por edhe për shkak të akuzave për plagjiaturë në veprat e saj), një figurë e moderuar dhe që ka pranuar disa gabime të bëra nga administrata e universitetit në dështimin për të luftuar anti-semitizmin dhe në përkrahjen e disa teorive të lëvizjes radikale “Zgjohu”.
Ndërkohë, ai është edhe një mbrojtës i vendosur i autonomisë së universitetit të famshëm. Duke emëruar një ekip ligjor jashtëzakonisht agresiv (të përbërë nga avokatë konservatorë), ai po sfidon aktet e ndryshme të administratës Trump në gjykata dhe ka filluar një sfidë të hapur ndaj Trump, rezultati i së cilës nuk mund të parashikohet.
Megjithatë, aktualisht pengesat më të rëndësishme për strategjitë e presidentit Trump po vijnë përmes gjykatave: një panel prej 3 gjyqtarësh i Gjykatës së Tregtisë Ndërkombëtare të SHBA-së, ka shpallur të paligjshme shumë nga tarifat e vendosura nga presidenti.
Gjykata theksoi në vendimin e saj, se vendosja e këtyre tarifave i tejkalon kompetencat e qeverisë, pasi rregulli mbi të cilin u mbështet Trump, e lejon presidentin të vendosë embargo dhe tarifa vetëm në situata të jashtëzakonshme dhe jo masa tarifore të përgjithësuara.
Qeveria ka njoftuar tashmë se do të apelojë vendimin, dhe beteja mund të arrijë shumë shpejt në Gjykatën e Lartë. Por tarifat nuk janë e vetmja masë e Trump që është bllokuar nga gjyqtarët.
Të paligjshme janë cilësuar edhe disa urdhra dëbimi për emigrantë të paligjshëm (shpesh të akuzuar për krime ose si pjesë e bandave të dhunshme), gjë që ka ngritur dyshime në lidhje me respektimin e të drejtës së mbrojtjes së emigrantëve të dëbuar. Pak më vonë, një gjyqtar tjetër pezulloi urdhrin që i hiqte Universitetit të Harvardit aftësinë për të sponsorizuar viza për studentët ndërkombëtarë, duke kufizuar një nga veprimet e qeverisë kundër universitetit.
Është e qartë se kundërshtimi ndaj qeverisë ndodh kryesisht përmes gjyqësorit. Prandaj, lind një pyetje: a po shohim një përpjekje për një balancim legjitim të pushteteve, të ushtrimit të atyre kontrolleve dhe balancave që e lejojnë demokracinë të funksionojë vërtet dhe të mos bëhet një “diktaturë e shumicës”.
Apo jemi në një rast ku qeveria e zgjedhur legjitimisht, dhe me një mandat të qartë popullor, po bllokohet nga një pakicë e vogël njerëzish në pozicione kyçe në administratë dhe gjyqësor? Përgjigja ndoshta nuk është aq e thjeshtë, dhe sigurisht që nuk është e mundur të jepet në një artikull të vetëm./ Përshtati "Pamfleti" nga “Il Sussidiario”
Lini një Përgjigje