TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 7 Prill 2025, 22:53

“BE-ja u krijua për të zhvatur SHBA-në”, Trump shpërthen në kritika ndaj Europës dhe mohon pauzën e tarifave!

Shkruar nga Pamfleti

“BE-ja u krijua për të zhvatur SHBA-në”, Trump

Presidenti i SHBA-së tha se BE-ja ishte krijuar vetëm për t’i bërë dëm Amerikës.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka hedhur poshtë lajmet se SHBA-ja do të heqë tarifat për një periudhë 3 mujore. Ai deklaroi se nuk po e shikojnë këtë mundësi.

"Ne nuk po e shikojmë këtë opsion", deklaroi ai duke hedhur poshtë shpresat për një pauzë.

Trump shtoi se shumë vende kanë negociuar me Uashingtonin dhe ata do të përpiqen të bëjnë marrëveshje të drejta me secilën prej tyre. Sipas tij, SHBA ka 36 trilion dollarë borxh për një arsye dhe administrata e tij do të bisedojë me shumë vende, përfshirë Kinën, për ta rregulluar këtë.

"Ne do të marrim marrëveshje të drejta me çdo vend dhe nëse nuk e bëjmë, ata nuk do të jenë në gjendje të marrin pjesë në tregti me SHBA. SHBA-ja është grabitur nga shumë vende gjatë viteve. Nuk mund ta bëjmë më. Nuk mund të jemi më budallenj", shto ai.

Nga Zyra Ovale, Donald Trump hodhi akuza të forta mbi Bashkimin Evropian. Presidenti i SHBA-së tha se BE-ja ishte krijuar vetëm për t’i bërë dëm Amerikës.

“Blloku u formua për t'i bërë dëm SHBA-së. Vendet u formuan së bashku për të krijuar një situatë monopoli – një forcë të unifikuar kundër SHBA-së për tregti. Ata kanë NATO-n dhe kanë përfituar nga ne në aspektin e dollarit dhe ushtarakisht”, tha Trump.

Ai shtoi se vendet e BE-së të cilët ai i goditi me tarifa 20% javën e kaluar ishin ato që dëmtonin ekonominë amerikane dhe që vetëm i kanë sjellë të këqija asaj.

"Ata nuk i marrin makinat tona, nuk i marrin produktet tona bujqësore dhe megjithatë dërgojnë miliona makina në SHBA. Nuk do të jetë kështu. Nuk është e drejtë, tregtia me BE-në duhet të jetë "e drejtë dhe reciproke", tha Trump.

Nga ana tjetër BE-ja tha më herët ditën e sotme se i kishte ofruar presidentit të SHBA-së, Donald Trump, një marrëveshje tarifore “zero për zero” për të shmangur një luftë tregtare, ndërsa ministrat e BE-së ranë dakord t’u japin përparësi negociatave, por njëkohësisht të përgjigjen me kundërmasa javën e ardhshme.

Ministrat përgjegjës për tregtinë u takuan në Luksemburg të hënën për të debatuar për përgjigjen e BE-së dhe për të diskutuar marrëdhëniet me Kinën. Shumë prej tyre thanë se përparësi ishte nisja e negociatave për të hequr tarifat e Trumpit, në vend që t’i luftonin ato.

Komisioneri për Tregtinë i BE-së, Maros Sefçoviç, tha se diskutimet me Uashingtonin ishin në faza të hershme dhe se ai kishte ofruar tarifa “zero për zero” për makinat dhe produkte të tjera industriale, duke thënë se shpreson se diskutimet mund të fillojnë së shpejti.

BE-ja pritet të miratojë këtë javë një set fillestar kundërmasash për importe nga SHBA-ja në vlerë deri në 28 miliardë dollarë, që përfshijnë nga fije dentare deri te diamantet, si përgjigje ndaj tarifave të Trumpit për çelikun dhe aluminin, dhe jo për tarifat më të gjera.

Blloku pritet të përgatisë një pako më të madhe kundërmasash deri në fund të prillit, si përgjigje ndaj tarifave amerikane për makinat dhe mallrat e tjera.

Lini një Përgjigje