TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 3 Shtator 2025, 18:34

“Ata shpresonin që unë po e shikoja”/ Trump reagon pas paradës së Xi, mesazh edhe Putinit: Nuk do t’i pëlqejë reagimi im!

Shkruar nga Pamfleti

“Ata shpresonin që unë po e shikoja”/ Trump reagon pas

Trump paralajmëron Putinin pas kërcënimit nga Pekini

Donald Trump ka reaguar ashpër pas deklaratës së Vladimir Putinit në Pekin, i cili, për herë të parë publikisht, pranoi se nëse nuk arrihet marrëveshje për paqe me Ukrainën, Rusia do të marrë “me forcë atë që i takon”.

Në një fjalim të mbajtur nga Kina, në kuadër të samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), Putini deklaroi se “Rusia ka duruar mjaft gjatë, dhe nëse Ukraina nuk pranon zgjidhjet tona diplomatike, do ta zgjidhim me mjetet që kemi në dorë”, një paralajmërim i hapur për pushtim të mëtejshëm territorial.

Vetëm pak orë më vonë, nga Shtëpia e Bardhë, Trump lëshoi një deklaratë të koduar por të fortë. I pyetur nëse kishte një mesazh për Putinin, ai tha: “Jo, nuk kam ndonjë mesazh për të. Ai e di saktësisht ku qëndroj unë. Do të marrë një vendim, të drejtë apo të gabuar. Nëse është vendim që s’na pëlqen, do të shihni çfarë do të ndodhë". 

I ulur pranë presidentit polak Karol Naërocki, Trump shtoi më tej: “Marrëdhëniet e mia me të gjithë këta njerëz janë të mira. Do të shohim sa të mira janë në javët e ardhshme”.

Ai nuk la jashtë as paradën ushtarake në Pekin, për të cilën tha se ishte “shumë mbresëlënëse” dhe shtoi se ishte e qartë që ishte organizuar për t’i treguar atij fuqinë kineze. “Ata shpresonin që unë po e shikoja. Dhe po, unë e pashë”, tha ai.

Në këtë deklaratë, më shumë sesa analizë, pati paralajmërim. Trump u përpoq të transmetonte qëndrueshmëri dhe përgatitje për veprim, duke nënkuptuar se “faza e dytë dhe e tretë” e reagimeve amerikane është gati për zbatim, nëse Putini kalon vijën e kuqe në Ukrainë.

Ndërkohë, vetë Putini, në Pekin, jo vetëm që nuk dha asnjë sinjal tërheqjeje nga agresioni rus, por përforcoi pozicionin e tij me një ofensivë diplomatike të qartë ndaj Perëndimit. Përmes takimeve të shumta me Presidentin Xi Jinping dhe liderë të tjerë të rajonit, ai e prezantoi veten si një lider që nuk është i izoluar, por përkundrazi, më i fuqishëm se kurrë.

Në krye të axhendës ishte marrëveshja për ndërtimin e tubacionit “Power of Siberia 2”, që do të dërgojë miliarda metra kub gaz drejt Kinës me çmime të favorshme. Kjo i jep Moskës frymëmarrje ekonomike në kohë sanksionesh, dhe Pekinit – energji të sigurt për dekadat në vijim. Po ashtu, u njoftua heqja e vizave për qytetarët rusë që duan të udhëtojnë drejt Kinës, një tjetër sinjal i forcimit të aleancës.

Por më e rëndësishmja ishte mesazhi indirekt që Putini i dërgoi Trumpit: “Ne nuk jemi më të dobëtit në tavolinë”. Përmes paradës ushtarake, marrëveshjeve strategjike dhe deklaratave kërcënuese, Putini shpalosi muskujt e tij gjeopolitikë në një nga kryeqendrat më të rëndësishme të botës lindore.

Në këtë sfidë të heshtur midis Trumpit dhe Putinit, që zhvillohet mes rreshtave të deklaratave dhe takimeve ndërkombëtare, është e qartë se asnjëri prej tyre nuk dëshiron të japë shenja dobësie. Trump përpiqet të ruajë autoritetin e SHBA si forcë botërore e pamposhtur, ndërsa Putini tenton të rikthejë Rusinë si pol të pavarur të fuqisë globale përkrah Kinës.

Lini një Përgjigje