
Administrata amerikane u dërgoi pyetësorë agjencive humanitare të Kombeve të Bashkuara, duke u kërkuar atyre të përgjigjen nëse kishin besime ose përkatësi "anti-amerikane".
Ndër 36 pyetjet në formulara, të dërguara nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit të SHBA-së (OMB) njëra ishte: a keni lidhje me komunizmin?
Pyetësori u mor nga disa prej organizatave më të mëdha humanitare në botë, duke përfshirë Agjencinë e OKB-së për Refugjatët dhe Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, raporton BBC.
Administrata e presidentit amerikan Donald Trump ka nisur një fushatë për të ulur kostot e qeverisë federale.
Ajo gjithashtu pezulloi pjesën më të madhe të ndihmës së saj të mëparshme të huaj.
Grupet e OKB-së kanë frikë se masa është një shenjë se SHBA po planifikon të mbyllë plotësisht punën humanitare apo edhe vetë OKB-në.
SHBA u tërhoqën nga Organizata Botërore e Shëndetësisë në ditën e parë të mandatit të dytë presidencial të Trump.
Në fillim të kësaj jave, Sekretari i Shtetit Marco Rubio njoftoi se shumica dërrmuese e programeve të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) janë pezulluar .
Sondazhet tregojnë se shumica e amerikanëve besojnë se vendi shpenzon shumë për ndihmën e huaj.
SHBA shpenzon një përqindje më të ulët të PBB-së për ndihma sesa vendet evropiane, por, për shkak të ekonomisë së saj të madhe, ajo ende siguron 40 për qind të fondeve botërore për agjencitë humanitare.
Shumë prej agjencive humanitare të OKB-së, të cilave iu dërgua formulari, marrin fonde jo vetëm nga USAID-i, por direkt nga qeveria amerikane.
“A mund të konfirmoni se organizata juaj nuk punon me entitete të lidhura me partitë komuniste, socialiste apo totalitare, apo ndonjë parti që përkrah bindjet antiamerikane”, është një nga pyetjet në formular?
Agjencive të OKB-së u kërkohet gjithashtu të konfirmojnë se nuk marrin fonde nga Kina, Rusia, Kuba apo Irani.
Formulari kërkon që agjencitë e ndihmës së OKB-së të sigurojnë se asnjë projekt nuk përfshin elemente të DEI ( diversitet, barazi dhe përfshirje ) ose ndonjë gjë që lidhet me ndryshimin e klimës.
Agjencitë e ndihmës që punojnë në operacione komplekse humanitare janë në një pozitë edhe më të vështirë.
"Është njësoj si të pyesin 'a ke ndaluar së rrahuri fëmijën tënd, po apo jo?", tha një punonjës i ndihmave.
Lini një Përgjigje