Nuk ka rëndësi se çfarë bën Putin, edhe nëse ai do të shfaroste popullin ukrainas deri në fëmijën e fundit, edhe nëse do ta zhyste popullin rus përsëri në mjerim, "shkaku përfundimtar" do të ishte gjithmonë mëkati origjinal i Amerikës...
Teksa grupi i Wagner nisi rebelimin dhe marshimin kundër Moskës, gazetat dhe TV filluan të jepnin versione të ndryshme, ndërkohë që në Itali pati dhe protestues që dolën në rrugë.
Kam dëgjuar disa protestues, të cilët para kamerave deklarojnë p.sh se kreu i Wagner, Prigozhin, "u shit te CIA" dhe prandaj rebelimi i tij është dredhi e Amerikës. Kam dëgjuar që NATO të cilësohet si një "organizatë kriminale". Mendoj se shumë prej jush i kanë ndjekur ato kronika dhe i kanë vënë re ato komente.
Ideja se Wagner ka kaluar në shërbim të Amerikës, me një tarifë të arsyeshme, është një teori konspirative që nuk ka fare bazë. Historia e Wagnerit është ajo e një grupi mercenarësh, por të lidhur ngushtë me Vladimir Putinin. Dhe shpesh përdoren prej tij, kur ai nuk donte të ekspozonte drejtpërdrejt forcat e tij të armatosura. Wagner luajti një rol në Siri, ku Putin filloi të rindërtojë ndikimin e Moskës në Lindjen e Mesme, duke mbështetur regjimin e Asadit dhe duke sfiduar Barack Obamën për përdorimin e armëve kimike kundër popullsisë civile. Wagner ishte vendimtar në agresionin e parë kundër Ukrainës, atë të vitit 2014 që rezultoi me aneksimin e Krimesë. Wagner është vendosur në vende të ndryshme afrikane, duke i zëvendësuar ndonjëherë me kontigjente ushtarake franceze, siç ndodhi së fundmi në Burkina Faso dhe Mali.
Edhe në pushtimin e Ukrainës që filloi më 24 shkurt 2022, mercenarët e Prigozhinit janë mbushur prej kohësh me lëvdata nga Putini për sukseset e tyre në terren kundër forcave të Kievit. Admirimi i Carit për mercenarët vazhdoi derisa Putini ndaloi së toleruari sulmet gjithnjë e më të shpeshta dhe të furishme të Prigozhinit ndaj niveleve të larta të forcave të armatosura të rregullta ruse.
Në pjesë të tjera të botës, Wagner vazhdon dhe do të vazhdojë të veprojë si një krah i gjatë për imperializmin rus; në Ukrainë ka pasur një thyerje e lidhur me ecurinë e konfliktit, me dallimet strategjike dhe taktike, me konfliktet e interesit, me korrupsionin, paaftësinë e kështu me radhë.
Si mund të nxirret nga kjo tablo një teori konspirative që Prigozhin u bë papritmas një agjent amerikan? Gjithçka është e mundur për mendjen njerëzore, kush mund të na vërtetojë se Prigozhin nuk është një jashtëtokësor? Apo është Putini në fund të fundit ai që e shiti veten te CIA, e cila gjoja po e përdor atë për të shkatërruar atë që ka mbetur nga sfera e influencës ruse?
Le të rishikojmë zinxhirin e gabimeve strategjike që Putini ka bërë që nga 24 shkurt 2022 , kur ai shpërdoroi një prestigj të lart për të sulmuar Ukrainën dhe “hodhi në erë” reputacionine ushtrisë së tij.
Në dritën e kësaj katastrofe, do të ishte pak më pak e çuditshme të imagjinohej Putini t'u shërbente interesave amerikane, në vend të Prigozhin, i cili u soll me efektivitet më të madh ushtarak. Por të njëjtët njerëz që sot, duke parakaluar në sheshet italiane, e shohin Amerikën si regjisorin okult dhe të gjithëpushtetshëm pas ngjarjeve të fundit, në fillim të luftës dëgjuan të magjepsur analizat e Putinit në emisione: ata që e përshkruan Carin si një gjeni të gjeopolitikës dhe strategjisë, kundër të cilit ishte absurde dhe e rrezikshme të rezistosh. Ata vetë ishin gëzuar për tërheqjen katastrofike të SHBA nga Kabuli në verën e vitit 2021 dhe e përshkruan atë si provë se perandoria amerikane ka përfunduar.
Anti-amerikanizmi ka të gjitha shenjat dalluese të një besimi fetar, është një ndjenjë e thellë, viscerale: nuk ka nevojë të tregojë koherencë apo respektim ndaj fakteve. Teoritë e konspiracionit janë një formë moderne e "të menduarit magjik". Në lashtësi çdo fenomen kishte një shpjegim hyjnor, sot jemi të rrethuar nga njerëz që e përkufizojnë veten si laikë, ndoshta pretendojnë ateizëm dhe thonë se kanë respekt të jashtëzakonshëm për shkencën, por në realitet kanë ndërtuar "mendimin e tyre magjik" të cilit i binden verbërisht.
Sa i përket deklaratës tjetër të dëgjuar në demonstratën italiane, për “NATO-n kriminale”, ky është ndoshta një aludim për ndërhyrjet e Aleancës Atlantike, legjitimiteti i së cilës u kontestua: nga lufta e Kosovës në Afganistan. Secila prej tyre mund të debatohet gjatë dhe kundërshtimet kundër këtyre ndërhyrjeve meritojnë vëmendje. Megjithatë, përkufizimi i NATO-s si "kriminale", si dhe të qenit një ofendim kundër forcave të armatosura italiane që janë pjesë e saj (dhe burrat dhe gratë e të cilëve me uniformë mbrojnë sigurinë tonë) është një lajthitje e dukshme historike.
Nuk ka rëndësi se çfarë bën Putin, edhe nëse ai do të shfaroste popullin ukrainas deri në fëmijën e fundit, edhe nëse do ta zhyste popullin rus përsëri në mjerim, "shkaku përfundimtar" do të ishte gjithmonë mëkati origjinal i Amerikës . Jemi në sferën e dogmave teologjike, të vërtetave të besimit, të cilat pranohen pa i vënë në provë me fakte. Ato, faktet, gjithmonë mund të palosen dhe rrudhen më vonë, për të demonstruar në retrospektivë ekzistencën e komploteve të errëta, komploteve të fshehta, të dukshme vetëm për ata, vështrimi i të cilëve ndriçohet nga besimi. /Përshtati “Pamfleti” nga "Corriere Della Sera”
Lini një Përgjigje