Ai përmban strategjinë e tij për të detyruar presidentin rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës ndaj vendit të tij, dhe që Perëndimi të garantojë sigurinë afatgjatë dhe zhvillimin e Ukrainës.
Presidenti Volodymyr Zelensky ndodhet në Shtetet e Bashkuara, për përpjekjen e tij ndoshta të fundit përpara zgjedhjeve presidenciale, për të bindur aleatin kryesor të Ukrainës, se është ende e mundur një fitore kundër pushtuesve rusë. Udhëheqësi i shquar i Ukrainës, ka me vete atë që ai e quan “planin e tij të fitores”, që përfshin çdo aspekt të së ardhmes së kombit të tij.
Ai përmban strategjinë e tij për të detyruar presidentin rus Vladimir Putin që t’i japë fund luftës ndaj vendit të tij, dhe që Perëndimi të garantojë sigurinë afatgjatë dhe zhvillimin e Ukrainës. Është një vizion i gjerë, të cilin do t’ia paraqesë të enjten në Shtëpinë e Bardhë presidentit amerikan Joe Biden.
Pavarësisht se kush fiton në nëntor, disa rrethana në fushën e betejës varen shumë nga mbështetja amerikane. Planin parashikon edhe një kohë kur Putini mund të bindet se një “luftë e përjetshme” nuk është më në interesin e Rusisë. Fitorja ka qenë një fjalë, të cilin Uashingtoni ka qenë i prirur ta shmangë.
Joe Biden ka qenë mbështetësi dhe mbrojtësi i zjarrtë i Zelensky-t, që kur trupat ruse kaluan kufirin 2 vjet e 7 muaj më parë, dhe ka premtuar gjithmonë se do ta mbështesë Kievin për aq kohë sa do të jetë e nevojshme. Por a nënkupton kjo deri në fitore?
Kur ishte kryetar i Shefave të Shtabit të Ushtrisë së SHBA-së, gjenerali Mark Milley deklaroi se lufta do të përfundonte me një zgjidhje të negociuar politikisht, dhe jo falë aftësisë ushtarake në frontin e betejës. Dhe kjo qasje i përgjigjej realitetit në terren.
Por me vazhdimin e luftës, nisi të çimentohet pikëpamja politike, jo vetëm në Kiev, se Putini duhet të pengohet nga zbatimi i çdo lloj ambicie agresive në të ardhmen, ndaj Ukraina duhej ta fitojë këtë luftë. Donald Trump u pyet gjatë debatit televiziv me Kamala Harris në Filadelfia, nëse donte që Ukraina të fitonte ndaj Rusisë.
Ai u përgjigj se donte t’i jepte fund luftimeve dhe të ndalte vdekjen e mëtejshme të njerëzve.
Por kjo qasje reflekton shumë pikëpamje private edhe brenda administratës Biden. Prej një kohë të gjatë zyrtarët në Këshillin e Sigurisë Kombëtare, kanë qenë të hapur mbi nevojën që qeveria e Kievit ta pranojë se një zgjidhje e negociuar është një opsion realist.
Problemi ishte se nëse negociatat do të zhvilloheshin midis Kievit dhe Moskës, Ukraina duhej të ishte në një pozicion të fortë në fushën e betejës për të arritur avantazhin maksimal. Këtu del në pah edhe plani i ri i fitores i Zelensky-t.
Ndonëse detajet nuk janë bërë publike, është e qartë se udhëheqësi ukrainas do të argumentojë se tani - pra midis tetorit dhe dhjetorit - është koha që në SHBA dhe NATO të merren vendimet e mëdha. Natyrisht, ai mendon për marrjen e lejes për të përdorur sisteme raketore me rreze të gjatë të dërguara nga Perëndimi për të goditur shumë objektiva në Rusi; dhe që e ardhmja e Ukrainës të jetë si pjesë e aleancës.
Zelensky shpreson që sulmet mbi bazat ajrore dhe vendndodhjet e raketave në thellësi të Rusisë, duke përdorur raketën franko-britanike Storm Shadow dhe raketat amerikane ATACMS, plus prania e vazhdueshme e trupave ukrainase në një pjesë të madhe të Kurskut në Rusinë Perëndimore, do ta bindin më në fund Putinin që të ndërgjegjësohet mbi rrezikun serioz nga vazhdimi i konfliktit.
Me fjalë të tjera:ai dëshiron të negociojë nga pozitat e forcës. Kjo është ajo që Uashingtoni ka thënë për muaj të tërë, dhe kjo është ajo që po kërkon Zelensky. Ndoshta është për të ardhur keq që ai zgjodhi ta quajë planin e tij një “plan fitoreje”, sepse fitorja nënkupton që pala tjetër do të mposhtet.
Dhe Putini nuk është një udhëheqës që do ta pranojë ndonjëherë humbjen në Ukrainë. Në fakt, ndërsa fronti ukrainas po reziston për momentin, trupat ruse kanë përparuar më tej në Ukrainën Lindore. Po ashtu, ai e ka frenuar pushtimin e mëtejshëm të Kurskut nga forcat ukrainase, dhe do të ndihet me siguri i kënaqur që ka pasur rezultat paralajmërimi i tij për një luftë ballore me NATO-n, nëse Biden do ta lejojë Kievin të përdorë raketat perëndimore me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektiva brenda Rusisë.
Për këto arsye, është kaq shumë e rëndësishme vizita e fundit e Zelensky-t në SHBA. Përveç takimit me Biden, ai do të ketë bisedime të veçanta me kandidatët presidencialë Kamala Harris, Donald Trump dhe figura të njohura në Kongres. Mbetet të shihet nëse do të mundet ta përdorë elokuencën e tij të padiskutueshme për ta bindur Biden dhe presidentin e ardhshëm amerikan, kushdo qoftë ai, që të mbështesë atë që do të ishte edhe basti më i madh i kësaj lufte:të përdorin ndaj Rusisë të gjitha armët e rënda konvencionale (pra jo bërthamore), për ta detyruar Putinin të ulet në tryezën e bisedimeve.
Deri më sot Biden e ka kundërshtuar këtë skenar. Edhe zëvendëspresidentja e tij, nuk ka treguar asnjë shenjë se do të mbajë ndonjë qëndrim tjetër nëse fiton zgjedhjet. Ndërsa Trump e ka bërë të qartë se dëshiron që t’i imponojë si Kievit ashtu edhe Moskës planin e tij për t’i dhënë fund luftës sa më shpejt që të jetë e mundur.
A do të bëjë diferencën plani i tij i fitores? Vetëm 12 ditë më parë, Biden hezitoi sërish kur u takua me kryeministrin britanik Keir Starmer në Shtëpinë e Bardhë, dhe diskutoi mbi lejimin apo jo të Zelensky-t për të përdorur raketat amerikane dhe britanike me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në Rusi.
Vetë Starmer këmbënguli se takimi kishte të bënte më shumë me strategjinë, sesa me raketa të caktuara. Megjithatë në mendjen e Zelensky-t “Storm Shadow” dhe “ATACMS” janë të lidhura pazgjidhshmërisht me strategjinë e tij për ta fituar luftën.
Nëse plani i fitores së Zelensky-t përballet me ndjenja të përziera në Uashington, ai do të kthehet në Kiev në fund të javës, me vetëdijen e hidhur se nuk do të ketë alternativë tjetër, veçse të luftojë si deri tani, me shpresën se mos arrijë ndonjë avantazh në fushën e betejës para fillimit të dimrit. Pastaj të presë dhe shohë se kush do të fitojë zgjedhjet në SHBA, dhe më pas të nisë një raund tjetër prezantimesh të planeve të tij për fitoren./ Përshtati "Pamfleti" Nga “The Spectator”
Lini një Përgjigje