TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Janar 2026, 18:43

A do të sulmojë SHBA, Iranin? “Axios": Trump ende nuk ka marrë një vendim

Shkruar nga Pamfleti
A do të sulmojë SHBA, Iranin? “Axios": Trump ende nuk ka
Donald Trump

Presidenti amerikan Donald Trump nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar mbi një ndërhyrje ushtarake kundër Iranit, ndërsa kanali diplomatik mbetet ende i hapur, raporton Axios, duke cituar burime nga Shtëpia e Bardhë.

Trump i ka bërë thirrje Teheranit të arrijë “sa më shpejt një marrëveshje” për programin bërthamor, duke paralajmëruar se çdo goditje e ardhshme amerikane do të jetë “shumë më e rëndë” se sulmi i fundit. Përmes një urdhri të ditëve të fundit, presidenti ka përforcuar dukshëm praninë ushtarake amerikane në rajon, duke rritur tensionin në Iran, Izrael dhe vende të tjera të Lindjes së Mesme.

Pavarësisht kësaj, zyrtarë të lartë amerikanë theksojnë se Trump nuk ka ndërmarrë ende një vendim për sulm, dhe diplomacia mbetet një opsion real. “Jemi të gatshëm të negociojmë nëse Irani është i interesuar për bisedime”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Në një zhvillim domethënës, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kanë deklaruar se nuk do të lejojnë përdorimin e hapësirës së tyre ajrore nga SHBA për sulme ndaj Iranit, çka e vështirëson skenarin e një operacioni ushtarak të gjerë.

Nga ana tjetër, Irani ka shfaqur një qëndrim të dyfishtë, duke shprehur gatishmëri për dialog, por edhe vendosmëri përballë kërcënimeve. Ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi deklaroi se Teherani nuk ka kërkuar nisjen e negociatave dhe se “diplomacia nën kërcënimin e forcës nuk mund të jetë efektive”. Ndërkohë, përmes një deklarate në rrjetin X, Misioni iranian pranë OKB-së theksoi se Irani është i hapur për dialog në bazë të respektit reciprok, por do të mbrohet dhe do të përgjigjet si kurrë më parë nëse sulmohet.

Aktualisht nuk ka negociata të drejtpërdrejta mes SHBA dhe Iranit, por disa vende të rajonit, si Arabia Saudite, Turqia dhe Katari, po luajnë një rol ndërmjetësues joformal, duke transmetuar mesazhe mes palëve. Skena mbetet e tensionuar, me një përballje ushtarake që nuk përjashtohet, por as një kthesë drejt dialogut që ende nuk është mbyllur.

donald trump shba iran

Lini një Përgjigje