TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota28 Janar 2026, 17:35

Trump kërkoi marrëveshje nga Teherani, reagon Merz: Regjimi iranian i ka ditët e numëruara!

Shkruar nga Pamfleti

Trump kërkoi marrëveshje nga Teherani, reagon Merz: Regjimi iranian i

Kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se regjimi iranian nuk ka më legjitimitet për të qeverisur, duke theksuar se ai mbahet në pushtet vetëm përmes dhunës dhe terrorit ndaj popullsisë së vet.

“Një regjim që mund të mbijetojë vetëm përmes forcës brutale dhe terrorit i ka ditët e numëruar”, u shpreh Merz, duke shtuar se, edhe nëse rënia e tij mund të zgjasë disa javë, humbja e legjitimitetit është e qartë.

Merz kujtoi dhjetëra mijëra viktima gjatë protestave të fundit antiqeveritare si dëshmi se regjimi i mullahëve sundon përmes frikës dhe represionit.

Në të njëjtën kohë, Presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj Teheranit, duke paralajmëruar pasoja të rënda nëse Irani nuk bashkëpunon.

“Nëse Irani nuk ulet në tryezën e negociatave, sulmi i ardhshëm do të jetë shumë më i keq”, shkroi Trump, teksa iu referua sulmeve amerikane ndaj objektivave bërthamore iraniane në qershorin e kaluar.

Ai theksoi se qëllimi është arritja e një marrëveshjeje të drejtë, pa armë bërthamore, duke shtuar se “koha është thelbësore”.

Ndërkohë, përpjekje diplomatike për të ulur tensionet janë ndërmarrë nga Irani dhe Turqia. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij turk, Hakan Fidan, ku u diskutuan mënyrat për të shmangur përshkallëzimin e situatës mes protestave të brendshme dhe kërcënimeve për ndërhyrje ushtarake.

Sipas Ministrisë së Jashtme iraniane, të dy ministrat hodhën poshtë kërcënimet dhe ndërhyrjet e jashtme, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit rajonal. Biseda u konfirmua edhe nga autoritetet turke.

Lini një Përgjigje