TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota22 Dhjetor 2024, 11:08

A do të garantonin trupat evropiane zbatimin e një armëpushimi në Ukrainë?

Shkruar nga Franz-Stefan Gady

A do të garantonin trupat evropiane zbatimin e një armëpushimi

Rusia nuk ka gjasa të pranojë një forcë të madhe perëndimore me një mandat të gjerë në vijën e armëpushimit, ndërsa një forcë tradicionale paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara nuk do të siguronte parandalim të mjaftueshëm.

Lufta ka të bëjë gjithnjë me zgjedhjen e një rreziku ndaj një tjetër. Prej gati 3 vjetësh, Evropa është sjellë në përgjithësi sikur nuk ishte e detyruar ta bënte këtë zgjedhje. Ajo mund ta mbështeste luftën e Ukrainës kundër Rusisë, të mbante të paprekur rendin evropian të sigurisë, dhe të shmangte rrezikimin e popullatës dhe forcave të saj ushtarake.

Por duke pasur parasysh përkeqësimin e situatës ushtarake në Ukrainë, perspektivën për më pak ndihmë ushtarake nga Uashingtoni, dhe gjasat në rritje për një armëpushim të detyruar që e favorizon Rusinë, Evropa s’mund të vazhdojë më me shmangien e vendimeve të dhimbshme.

Sot çështja më emergjente, është se çfarë do ta pasojë një armëpushim. Këtu, Evropa përballet me dy opsione: të angazhohet për të mbrojtur një armëpushim edhe me forcë nëse është e nevojshme, ose të rrezikojë një konflikt më brutal vitet e ardhshme, që mund të mos kufizohet vetëm në Ukrainë.

Në këtë rast është jetike një analizë e ndershme e situatës. Pa një prani të konsiderueshme ushtarake perëndimore në Ukrainë, çdo lloj garancie sigurie për atë që ka mbetur nga Ukraina, ka të ngjarë të shpërfillet nga Rusia. Presidenti i sapozgjedhur i SHBA-së, Donald Trump dhe ekipi i tij, kanë hequr tashmë dorë nga skenari i dërgimit të trupave amerikane, duke thënë se kjo është një përgjegjësi e Evropës.

Për këtë arsye, presidenti francez Emmanuel Macron ka nxitur mbështetjen për një forcë paqeruajtëse evropiane. Së fundmi ai vizitoi për këtë arsye Poloninë, por kjo e fundit nuk e mbështeti. Të njëjtën qasje duket se ka edhe qeveria në largim e Gjermanisë.

Nga ana tjetër Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, ka deklaruar se Italia është dakord me këtë nismë. Evropa nuk mund t’i shmanget përfshirjes në këtë debat, nëse nuk do të humbasë Ukrainën dhe të përballet me një konfrontim më të madh ushtarak me Rusinë në të ardhmen.

Për sa kohë që Ukraina nuk e ka stabilizuar vijën e frontit, diskutimet mbi dërgimin e trupave evropiane janë thjesht teorike. Vetëm kur Rusia të pranojë se nuk mund të arrijë më ndonjë fitore domethënëse në vitin 2025, do të shqyrtojë negociatat për ta ngrirë konfliktin në linjat aktuale.

Dhe mund të arrihet në këtë pikë, nëse administrata e ardhshme e Trump mund të marrë konsideratë strategjinë  “përshkallëzim për të de-përshkallëzuar”. Pra të rrisë presionin ndaj Rusisë përmes shtimit të dërgesave të armëve në Ukrainë, si një mënyrë për të forcuar pozitën  negociuese të Kievit dhe për ta detyruar Moskën të paraqesë në tryezë kushte të arsyeshme.

Megjithatë, do të vijë një moment kur Trump do të deklarojë se Ukraina është problemi i Evropës, dhe Evropa duhet të jetë gati me një plan veprimi. Çdo ide se Evropa mund ta pengojë Rusinë nga shkelja e armëpushimit dhe ripërtëritja e sulmit të saj me praninë e një force të lehtë paqeruajtëse, është një fantazi.

Sepse nuk do të kishte të krahasuar me formacionet ushtarake ruse të mekanizuara e me shumë përvojë në betejë, ndaj do të kishte pak vlerë parandaluese. Opsioni tjetër është një forcë më e fuqishme, e aftë të luftojë dhe të ruajë pozicionet saj në rastin e agresionit rus. Të tilla janë forcat amerikane përgjatë zonës së çmilitarizuar në Gadishullin Korean, apo misioni i NATO-s në Kosovë.

Paradoksi është i qartë: Rusia nuk ka gjasa të pranojë një forcë të madhe perëndimore me një mandat të gjerë në vijën e armëpushimit, ndërsa një forcë tradicionale paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara nuk do të siguronte parandalim të mjaftueshëm.

Në këto kushte, një zgjidhje e mundshme mund të jetë një kombinim i të dyjave: paqeruajtësit tradicionalë, mundësisht nga vendet e Jugut Global, mund të patrullojnë drejtpërdrejt një zonë të çmilitarizuar përgjatë vijës së armëpushimit, teksa një forcë e fuqishme evropiane e reagimit të shpejtë, mund të vendoset më tej brenda pjesës së pa pushtuar të Ukrainës.

Nuk do të kishte trupa amerikane dhe as nën flamurin e NATO-s, duke e bërë misionin potencialisht më të pranueshëm për Rusinë. Duhet të jetë e qartë se Evropa duhet të jetë furnizuesja kryesore e një force të fuqishme dhe me një mandat të fortë.

Koncepti i propozuar nga Macron, është që një koalicion shtetesh evropiane të vendosë në mënyrë të përhershme forcat tokësore në Ukrainë. Bazuar në llogaritjet e mia, kjo do të kërkonte të paktën 5 brigada me afro 25.000-30.000 trupa. Madhësia e kësaj force, mund të shkojë në 75.000-90.000 trupa të nevojshme për shkak të praktikës standarde midis trajnimit, vendosjes aktive dhe prapavijës.

Personeli mbështetës do ta rriste edhe më tej këtë numër. A do të mundet Evropa të përballojë

një mision të tillë ushtarak? Nga perspektiva ushtarake, përgjigja është një “Po” por me paralajmërime të rëndësishme. Së pari, duke pasur parasysh mungesën e gjerë të gatishmërisë, forcave evropiane do t’u duhen të paktën disa muaj përgatitje.

Së dyti, Evropa do të ketë nevojë për një strategji të qartë daljeje. Sepse forca nuk do të ishte e përhershme. Përkundrazi, vendosja e saj do t’i jepte mundësi Ukrainës të rindërtonte dhe forconte ushtrinë e saj si një mënyrë parandalimi ndaj një sulmi tjetër rus.

Së treti, duke pasur parasysh gjendjen e dobët të kapacitetit dhe gatishmërisë ushtarake evropiane, do të jenë të nevojshme shkëmbimet. Kombet që nuk dëshirojnë ose nuk janë në gjendje të dërgojnë trupa në Ukrainë, mund të binden të marrin përgjegjësi më të mëdha në misionet ushtarake evropiane në Ballkanin Perëndimor ose Afrikë, duke i liruar nga ky angazhim trupat e vendeve të tjera.

Kjo mund të nënkuptojë tërheqjen e forcave evropiane nga misionet aktuale paqeruajtëse të OKB-së në Lindjen e Mesme dhe gjetkë, si dhe ricaktimin e përkohshëm të disa forcave të NATO-s nga shtetet baltike.

Së katërti, mbështetja e SHBA-së do të jetë thelbësore në këtë mision, edhe nëse Uashingtoni refuzon të sigurojë vetë trupa. Kjo përfshin ndihmën në planifikimin e misionit, logjistikën, inteligjencën dhe dërgimin e armëve shtesë.

Edhe nëse nuk vendos vetë forca, Shtetet e Bashkuara mund të mbështesin evropianët me parandalim shtesë, ndoshta duke ri-dislokuar ose kërcënuar se do të ri-dislokojë njësitë e saj të pajisura me sistemin e ri strategjik të zjarrit me rreze të mesme dhe raketa hipersonike nga Gjermania në Poloni.  

Së fundi, Evropa duhet të ketë një kuptim të qartë se çfarë përfshin një mision i tillë, dhe cilat janë rregullat specifike të angazhimit. Ky operacion s’do ishte i krahasueshëm me dislokimet evropiane në Afganistan apo Irak. Forcat evropiane duhet të përgatiten për operacione luftarake me intensitet të lartë dhe në shkallë të gjerë kundër Rusisë, dhe jo për operacione në shkallë të vogël kundër kryengritësve të armatosur lehtë.

Dhe kjo do të thotë se duhet të kenë një plan të qartë për t’iu përgjigjur provokimeve të pashmangshme ruse, përfshirë aktet e sabotazhit prapa linjës së armëpushimit apo sulmet raketore “aksidentale” që vrasin dhe plagosin personelin evropian. Po si do të ishte një forcë e tillë?

Brigadat evropiane do të duhet të mekanizohen, përfshirë tanket kryesore të betejës, autoblindat e  personelit, mjetet luftarake të këmbësorisë dhe artilerinë vetëlëvizëse. Për më tepër, duhet të kenë aftësi të rëndësishme mbështetëse, si sistemet e mbrojtjes ajrore dhe raketore, mjetet e luftës elektronike dhe pajisjet inxhinierike për të krijuar pozicione të forta mbrojtëse në rast se rifillojnë armiqësitë.

I nevojshëm do të ishte operacioni i avionëve luftarakë evropianë dhe avionëve të tjerë brenda hapësirës ajrore të Ukrainës. Një pyetje tjetër, është nëse forcat evropiane do të mbeten të ndara apo të integruara me formacionet luftarake ukrainase. Por pyetja kryesore është: A do të luftonin evropianët ndaj forcave ruse për të zbatuar linjën e armëpushimit? Mbi të gjitha, lufta është një garë vullnetesh. Po sikur politikanët evropianë të mos kenë vullnet për të luftuar?

Po sikur një vend të jetë gati të luftojë, por një tjetër jo, dhe të tërheqë forcat? A do të mundet Putini të injorojë praninë e trupave evropiane? Çfarë ndodh nëse ai hedh raketa në Ukrainë mbi kokat e evropianëve, vetëm për të testuar përgjigjen e tyre? Këto dhe shumë pyetje të tjera duhet të zgjidhen dhe të përgjigjen, përpara çdo lloj vendosjeje trupash në Ukrainë.

Viti i ardhshëm mund të jetë vendimtar në arritjen e një statuskuoje të re për Ukrainën dhe Evropën. Nëse evropianët duan të shmangin luftën e ardhshme, ata duhet të jenë të gatshëm të angazhohen drejtpërdrejt në Ukrainë, pavarësisht nga rreziqet e dukshme. Veprimet ushtarake mbartin rreziqe. Por mosveprimi mund të jetë një rrezik edhe më i madh për sigurinë e Evropës. /Përshtati “Pamfleti” nga “Foreign Policy”

Shënim:Franz-Stefan Gady, këshilltar për fuqinë kibernetike dhe konfliktet e ardhshme në Institutin Ndërkombëtar për Studime Strategjike.

Lini një Përgjigje