Në prag të armëpushimit, presidenti u duk i dëshpëruar. Tani J.D.Vance, Jared Kushner dhe Steve Witkoff përballen me ekipin e Iranit, i cili është i mirëformuar dhe me përvojë të madhe...
Në fund të marsit dhe fillim të prillit, SHBA-ja dhe Irani po shkëmbenin mesazhe përmes ndërmjetësve pakistanezë. Ishin një lloj bisedimesh të tërthorta. Më pas, Donald Trump mori një telefonatë.
Atij iu tha se iranianët po bënin lojëra, duke u tërhequr nga një “marrëveshje” që pala amerikane mendonte se e kishte siguruar. “U thoni se nuk ka problem, mos u shqetësoni. Por u thoni të shohin nga dritarja...” - tha Trump.
Sipas rrëfimit të po vetë presidentit amerikan, ai dha urdhrin për të “shkatërruar” urën më të madhe në Iran. “Dhjetë minuta më vonë”, bomba 1-tonëshe goditën urën B1 të Iranit – 1,050 metra e gjatë dhe 137 metra e lartë - dhe ajo u nda përgjysmë.
Trump tha se zyrtarët që e telefonuan ishin i dërguari i tij special, Steve Witkoff, dhëndri i tij Jared Kushner dhe zëvendëspresidenti JD Vance. Pra, i njëjti ekip që do të mbajë sot bisedime të afërsisë me iranianët në Hotelin Serena në Islamabad.
Të dyja palët nuk do të ulen në të njëjtën dhomë. Përkundrazi, ndërmjetësit pakistanezë do të lëvizin sa te njëri te tjetri me mesazhe, tashmë personalisht dhe jo duke përcjellë mesazhe telefonike. Çështja kryesore është ajo për të cilën Trump thotë se nisi luftën: programi bërthamor i Iranit.
Hendeku mes dy palëve është shumë i madh. Pozicioni fillestar i SHBA-së është: zero pasurim uraniumi nga Irani, përgjithmonë. Ndërkohë, Irani thotë se e ka këtë të drejtë si një komb sovran. Witkoff dhe Kushner janë “skifterë”.
Nga ana tjetër, Vance nuk është shfaqur asnjëherë i kënaqur për sulmin ndaj Iranit. Ai tha dikur, në vitin 2024, se “interesi ynë... është të mos hyjmë në luftë me Iranin”. Prandaj, është ndoshta më i interesuari për të arritur një marrëveshje.
Çdo lloj pakti do të varet nga përplasja mes këtyre të treve dhe, natyrisht, nga sjellja impulsive e vetë Trumpit. Po ashtu, do të varet edhe nga iranianët. Ata kanë dërguar ministrin e Jashtëm, Abbas Araghchi, dhe kryetarin e parlamentit, Mohammad Bagher Ghalibaf, një ish-komandant i Gardës Revolucionare Islamike.
Thuhet se ai është në komitetin prej 5 anëtarësh që drejton Iranin gjatë luftës. Prania e tij është shenjë se iranianët e kanë seriozisht arritjen e një marrëveshjeje. Witkoff është takuar tashmë tetë herë me iranianët.
Titulli i tij i plotë është I Dërguar Special i SHBA-së për Lindjen e Mesme dhe i Dërguar Special për Misionet e Paqes. Më e rëndësishmja, ai është mik i Trumpit prej më shumë se 40 vitesh, shok i tij në lojërat e golfit dhe një koleg miliarder që u rrit në botën e pasurive të paluajtshme në Nju Jork.
Ai ka thënë dikur se mbante një revole në kyçin e këmbës kur mblidhte qiratë e banesave të tij në Harlem dhe Bronks. Po ashtu, mbante gjithashtu në tryezën e tij një kopje të librit “Tough Jews” (Hebrenjtë e Fortë) mbi mafien hebraike. Pra, Steve është lloji i “vrasësit” (killer) në biznes që Trump e respekton.
Por Witkoff do të përballet me një ekip iranian që njihet si negociator i aftë, i kalitur prej vitesh në diplomacinë bërthamore. A është ai në lartësinë e detyrës? Ka pasur disa raporte shqetësuese se Witkoff është “jashtë fushës së tij”. Dhe jo vetëm në Lindjen e Mesme. Thuhet se ai i dha Vladimir Putinit territore që rusët as nuk i kishin kërkuar në negociatat për Ukrainën. Vetë Witkoff e ka pranuar se njohuritë e tij për çështjen bërthamore janë “sipërfaqësore”.
Gazeta “Arms Control Today” ka publikuar një analizë të detajuar mbi shkallën e injorancës së Witkoff-it për çështjen që duhet të negociojë. Witkoff është shprehur i befasuar që Irani prodhon centrifuga - gjë që në fakt e bën prej dekadash.
Ai e quajti centrifugën IR-6 të Iranit “ndoshta centrifugën më të avancuar në botë”, gjë që në fakt nuk është kështu. Gjithashtu, ai i quajti Natanz-in, Fordow-n dhe Isfahan-in “reaktorë industrialë”. E vërteta është se ato janë objekte pasurimi dhe jo reaktorë.
Në një dalje mediatike, ai e quajti Ngushticën e Hormuzit si “Gjiri i Hormuzit”. Ndërkohë, në raundin e fundit të bisedimeve në fund të shkurtit, pretendohet se Witkoff dështoi të kuptonte pozicionin negociues iranian dhe sa afër ishin të dyja palët me marrëveshjen. Nëse është realisht kështu, SHBA dhe Irani shkuan në luftë për shkak të një keqkuptimi.
Një interpretim tjetër i asaj që ndodhi atëherë është se Witkoff - “vrasësi” - mendoi se SHBA po kërcënohej dhe donte t’i tregonte Trumpit se sa i ashpër mund të ishte. Deklaratat e tij publike janë në përputhje me këtë.
Ai ka thënë se Irani ka një “furnizim të pafund” me uranium të pasuruar dhe se ishte “ndoshta një javë larg posedimit të materialit bërthamor të gradës industriale”. Dhe shtoi se pa veprimin e SHBA-së, Irani do të kishte “30 ose 40 bomba bërthamore” brenda një viti.
Edhe më shumë se Witkoff, dhëndri Jared Kushner ka ndikim te Trump. Ai mori një titull zyrtar qeveritar vetëm në shkurt, si i Dërguar Special për Paqen, por është përdorur për misione delikate diplomatike që nga fillimi i mandatit të dytë të Trumpit.
Kjo pavarësisht konflikteve të mëdha e të dukshme të interesit. Disa muaj pasi u largua nga Shtëpia e Bardhë në fund të mandatit të parë të Trump si këshilltar i lartë, në vitin 2020, Kushner mori 2 miliardë dollarë nga Arabia Saudite për fondin e tij të investimeve.
Ai ka marrë edhe 1.5 miliardë dollarë të tjerë nga Katari dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, dhe tani raportohet se fondi kap vlerën e 6.2 miliardë dollarëve. Ai merr 1.25 për qind në vit për menaxhimin e tij, pra 157 milionë dollarë tarifa nga qeveritë e huaja deri më tani, sipas Komitetit të Financave të Senatit.
Dhëndri i presidentit po përfiton dhjetëra miliona tarifa të garantuara çdo vit nga autokracitë e Gjirit Persik, ndërkohë që modelon politikën e SHBA-së ndaj tyre. Këto monarki kanë një interes të madh mbi rezultatin e negociatave.
Ato janë rivale tradicionale të Iranit. Lideri saudit, Mohammed bin Salman, thuhet se ka lobuar intensivisht që SHBA-ja të hyjë në luftë. Interesat e monarkive të Gjirit mund të jenë të ndryshme nga ato të Shteteve të Bashkuara në këto negociata.
Kë do të dëgjojë Kushner?
Edhe Vance ka një interes shumë personal në rezultatin e këtyre bisedimeve. Ai është një ish-marins që ka shërbyer në Irak. Më pas nisi karrierën e tij politike duke folur kundër marrëzisë së “luftërave të pafundme”.
Më shumë se çdo figurë tjetër e lartë në administratë, ai lidhet me qëndrimin e mëparshëm të Trumpit për shmangien e përfshirjeve të SHBA-së në konflikte të huaja. Pesë javë të këtij konflikti kanë qenë jashtëzakonisht të sikletshme për të, duke çuar në një humbje të madhe të mbështetjes nga baza e MAGA. Nëse ai mund të arrijë paqen me Iranin, kjo mund të shërbente si platformë për kandidimin e tij për president në vitin 2028.
Ekzistojnë dy korniza konkurruese për negociatat. SHBA ka një plan me 15 pika dhe, sipas rrjedhjeve të informacionit, ai përfshin një zotim të përhershëm të Iranit për të mos prodhuar kurrë armë bërthamore.
Kjo nënkupton çmontimin e objekteve bërthamore në Natanz, Isfahan dhe Fordow; dorëzimin e të gjithë uraniumit të pasuruar te IAEA; dhe monitorimin nga IAEA të gjithë infrastrukturës bërthamore të mbetur. Po ashtu, plani i SHBA-së përfshin kufizime mbi raketat balistike; dhënien fund të mbështetjes për Hezbollahun, Hutit, Hamasin dhe milicitë në Irak; si dhe njohjen e të drejtës së Izraelit për të ekzistuar.
Nga ana tjetër, Teherani ka një plan me 10 pika, i cili përfshin pranimin nga SHBA të së drejtës së Iranit për pasurimin e uraniumit dhe kontrollin e vazhdueshëm iranian mbi Ngushticën e Hormuzit. Irani kërkon dëmshpërblime lufte, një zotim nga SHBA për të mos sulmuar më kurrë, heqjen e të gjitha sanksioneve dhe tërheqjen e forcave luftarake të SHBA-së nga rajoni.
Do të jetë e vështirë që këto dy lista të pajtohen brenda dy javëve që presidenti Trump ka dhënë si afat për pauzën e operacioneve luftarake të SHBA-së. Shpresa është se mund të bëhet progres i mjaftueshëm gjatë kësaj kohe, në mënyrë që armëpushimi të zgjatet sërish. Kjo varet nëse Witkoff, Kushner dhe Vance mund të hartojnë një marrëveshje që nuk përbën një poshtërim shumë të dukshëm për Trumpin.
Në prag të armëpushimit, Trump u shfaq gjithnjë e më i dëshpëruar. SHBA është shumë më e fortë se Irani ushtarakisht, por siç e zbuloi edhe ai, mund të fitosh çdo betejë dhe sërish ta humbasësh luftën. Pyetja tani është: A do ta lejojë Irani Trumpin që të ruajë fytyrën?/Pamfleti nga “The i Paper”
Lini një Përgjigje