Tashmë 70 vjeç, dhe me zërat e vazhdueshme mbi gjendjen e keqe shëndetësore, Lukashenko ka folur muajt e fundit mbi nevojën për një ndryshim brezash në politikën bjelloruse, duke nxitur hamendësimet se ky mund të jetë mandati i tij i fundit presidencial.
Siç do t’ju thotë çdo bjellorus opozitar, zgjedhjet presidenciale të së dielës nuk janë të vërteta. Mediat e pavarura janë mbyllur ose janë detyruar të largohen jashtë vendit. Opozita nuk përfaqësohet nga kandidatë të besueshëm, dhe votimi është thjesht një ushtrim për të konsoliduar pushtetin e presidentit Alyaksandr Lukashenko.
Pra ato do të jenë gjithçka tjetër, përveçse jo të lira apo të ndershme. Pasi 2 politikanëve iu refuzua garimi, mbeten vetëm 5 kandidatë, përfshirë Lukashenkon, në pushtet që nga viti i largët 1994. Prej tyre, 3 kandidatë përfaqësojnë parti pro-qeveritare dhe njëra, Hanna Kanapatskaya, është zyrtarisht e pavarur, por e akuzuar nga shumë njerëz në opozitë si një kukull e regjimit.
Në zgjedhjet e fundit presidenciale të 2020-ës, ndodhi diçka që nuk ishte parë prej vitesh. Pasi disa udhëheqës të opozitës u burgosën përpara fushatës zgjedhore, në skenë u shfaq një lider tjetër, Svyatlana Tsikhanouskaya. Dhe nëse do të kishte zgjedhjeve relativisht të ndershme, ajo mendohej se kishte një shans të mirë për të fituar.
Në fund, Tsikhanouskaya humbi në një palë zgjedhje që komuniteti ndërkombëtar i cilësoi si të manipuluara. Por fushata e saj fitoi një simpati të jashtëzakonshme, duke e rigjallëruar opozitën e sëmurë bjelloruse dhe duke nxjerrë një rrugë dhjetëra mijëra njerëz për të protestuar kundër rezultatit të zgjedhjeve.
Protestat u shtypën brutalisht. Mijëra njerëz u arrestuan nga forcat e sigurisë, ku shumë prej tyre pretenduan se ishin keqtrajtuar ose torturuar në ambientet e paraburgimit. Tsikhanouskaya u detyrua të largohej nga vendi dhe të vazhdonte misionin e saj nga Lituania.
Tani, përballë arrestimit të sigurt nëse rikthehet në Bjellorusi, duart e Tsikhanouskayas janë të lidhura. Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve që të mos protestojnë në rrugë, nga frika se do të ketë një shtypje edhe më të përgjakshme të tyre.
Ndaj ajo u ka bërë thirrje bjellorusëve të votojnë “Kundër të gjithëve” në fletëvotimet e tyre ose të abstenojnë plotësisht. Goditja e 2020-ës ka pasur një efekt shumë të rëndë mbi opozitën bjelloruse, duke i shuar edhe shpresat më të zbehta për liberalizimin e vendit.
Shumë protestues të opozitës u larguan nga vendi ose u burgosën. Mediat e pavarura, përfshirë Radio Evropa e Lirë, ose u mbyllën, u bllokuan, ose u detyruan të vepronin nga jashtë. Sipas monitorimit të organizata Lawtrend, mbi 1.161 OJQ janë detyruar të mbyllen që nga viti 2020.
Në Bjellorusi, regjimi i Lukashenkos po i dënon kritikët duke ua marrë fëmijët. Ajo ka aktualisht rreth 1.300 të burgosur politikë, përfshirë aktivistin fitues të Çmimit Nobel për Paqe, Ales Byalyatski dhe 3 gazetarë që kanë punuar për shërbimin bjellorus të RFE/RL.
Të burgosur në kushte mjerane, atyre u mohohet qasja në kujdesin mjekësor apo kontakti me të afërmit. Përpara zgjedhjeve, është rritur shumë presioni ndaj opozitës. Autoritetet kryen mbi 100 bastisje vetëm në nëntor 2024 lidhur me Këshillin Koordinues të opozitës.
Njëzet akademikë, gazetarë dhe aktivistë, u shpallën fajtorë për lidhje të dyshuara me Tsikhanouskaya dhe u dënuan në mungesë. Nuk ka dyshim se qeveria është e shqetësuar për një përsëritje të protestave të 2020-ës, dhe në mesazhet e saj po përhap narrativen, se zgjedhjet janë një fakt i kryer dhe jo një referendum me rreziqe të mëdha mbi popullaritetin e Lukashenkos.
Në vend të politikës së egër, mediat shtetërore dhe llogaritë pro-qeveritare të mediave sociale, nxjerrin në pah cilësitë “njerëzore” të Lukashenkos, duke shfaqur pamjet e presidentit duke luajtur hokej mbi akull apo duke prerë dru. Edhe Lukashenko nuk duket se mendon se zgjedhjet presidenciale janë aq të rëndësishme.
Në një video progandistike në TikTok - ku regjimi po përpiqet me kujdes të angazhojë të rinjtë – Lukashenko i përmend zgjedhjet, por thotë troç “Nuk ka nevojë të angazhohemi aq shumë!”. Në një video tjetër po në TikTok, presidenti bjellorus Lukashenko pyet se për çfarë arsye duhet t’i paguajnë njerëzit akademikët.
Megjithatë, autoritetet po marrin masa paraprake, duke dhënë programe në televizionin shtetëror në lidhje me masat e gjera të sigurisë ditën e votimit, në një përpjekje për të mbajtur në shtëpi protestuesit e rinj.
Në rast protestash masive, Lukashenko ka kërcënuar se do të mbyllë internetin, teksa autoritetet i kanë ndaluar njerëzit që të fotografojnë fletët e votimit, një dukuri që u pa gjerësisht në vitin 2020 nga qytetarët për të nxjerrë në pah manipulimet.
Këtë vit nuk do të ketë qendra votimi jashtë vendit, dhe kjo është me gjasë një përpjekje për t’i mbyllur gojën diasporës që është kryesisht kundër Lukashenkos. Më 17 janar, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se “mjedisi shtypës” në Bjellorusi, parandalon mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale legjitime dhe demokratike.
Ndërkohë më 22 janar, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë që i denoncoi paraprakisht si farsë zgjedhjet të cilës. Gjithsesi, hëpërhë deklarata të tilla nuk ka gjasa që të ndryshojnë ndonjë gjë në Bjellorusi dhe nuk do të kenë pasoja për Lukashenkon.
Gjatë dekadave të fundit, lideri bjellorus i ka bërë herë pas here propozime Perëndimit për bashkëpunim, dhe për tu shkëputur nga ndikimi i Moskës. Por ato ditë kanë ikur. Që nga viti 2020, Minsku i ka thelluar lidhjet e tij me Moskën, sidomos në sferën ushtarake, duke lejuar përdorimin e territorin e tij për sulmet ruse ndaj Ukrainës dhe duke organizuar stërvitje të përbashkëta ushtarake.
Ndërsa BE-ja dhe SHBA-ja kanë vendosur sanksione ndaj Bjellorusisë, përfshirë ngrirjen e aseteve, ndalimin e udhëtimit dhe kufizimet tregtare, ekonomia bjelloruse i ka përballuar goditjet e ndihmuar nga mbështetja e Rusisë, duke përfshirë gazin e lirë, lehtësimin e borxhit dhe qasjen me përparësi në tregun rus.
Tashmë 70 vjeç, dhe me zërat e vazhdueshme mbi gjendjen e keqe shëndetësore, Lukashenko ka folur muajt e fundit mbi nevojën për një ndryshim brezash në politikën bjelloruse, duke nxitur hamendësimet se ky mund të jetë mandati i tij i fundit presidencial.
Ka pasur spekulime se njëri prej djemve të tij mund të marrë frenat e pushtetit, sidomos më i vogli, Mikalay, i njohur si Kolya, i cili është vetëm 20 vjeç. Po ashtu, thuhet se Lukashenko t’i japë më shumë pushtet Këshillit të Sigurimit ose Asamblesë Popullore Gjith-Bjelloruse. një organ këshillues i drejtuar nga Lukashenko, dhe që në vitin 2022 u ngrit në cilësinë e një organi kushtetues.
Sidoqoftë, nëse nuk ka një ndryshim dramatik të udhëheqjes në Moskë, Bjellorusia ka të ngjarë të vazhdojë të thellojë lidhjet e tij me Moskën, duke u bërë gjithnjë e më shumë një vasale e Rusisë. /Përshtati “Pamfleti” nga “Radio Free Europe”
Lini një Përgjigje