Pasi u arrestuan, kolonelët ofruan informacione të reja në lidhje me një përpjekje të mëparshme të rusëve për të marrë peng Zelensky që në fillim të luftës.
Vrasësi ishte tashmë në pozicion kur u informua për objektivin e tij. Ishte data 4 maj, 5 ditë përpara se Rusia të festonte festën e saj kombëtare të fitores në Luftën e Dytë Botërore, kur ai ngriti një qendër kontrolli me dron në një bodrum në rajonin e Kievit. Vetëm në një rast u vendos në gatishmëri, kur eprori i tha atij objektivin.
“Kur të shohësh një autokolonë me një Toyota Land Cruiser të zi dhe një minibus të zi duke mbërritur, më nis koordinatat e saj”, thuhej në një nga urdhrat e tij. Përshkrimi përputhej me gjeneral-lejtnant Kyrylo Budanov, komandantit i ri i shërbimit ushtarak sekret të Ukrainës, HUR, që ka organizuar dhe mbikëqyrur sulmet dhe ndaj komandantëve, propagandistëve dhe bashkëpunëtorëve të lartë rusë si brenda Rusisë ashtu edhe në territorin e pushtuar ukrainas. Plani ishte që ta vrisnin atë në një sulm të koordinuar me raketa dhe dronë.
“Rusët planifikuan që të lëshonin një raketë balistike në ato koordinata, ndërsa operatori i dronit ndodhej në strehën e tij. Dhe pas atij momenti ai duhej ta lëshonte dronin e tij, të filmonte pasojat e sulmit për drejtuesit e tij dhe në fund ta përplaste dronin e tij të pajisur me granata ndaj kujtdo që mund të kishte mbijetuar apo që do të shkonte për të ndihmuar“, tregon një oficer i lartë i kundërzbulimit ukrainas në një intervistë ekskluzive, duke përshkruar për herë të parë detaje të komplotit dhe mënyrën se si e parandaluan atë.
Duke folur në kushte anonimiteti nga bodrumi i një ndërtese neoklasike të epokës sovjetike, dikur selia e KGB-së, anëtari i lartë i shërbimit të sigurisë shtetërore të Ukrainës, SBU, tregon se si spiunët e presidentit Putin, kishin depërtuar deri në nivelet e larta të sigurisë së presidentit Zelensky, në një përpjekje për t’i prerë kokën udhëheqjes së Kievit.
Njëzet minuta më vonë, rusët do të lëshonin një raketë të dytë balistike në një sulm “të dyfishtë” të projektuar për të eliminuar shërbimet e urgjencës, dhe për të fshehur provat e sulmit me dron, shtoi ai. Por për muaj të tërë SBU, i kishte mbajtur nën vëzhgim arkitektët e këtij plani vrastar.
Bëhej fjalë për 2 kolonelë të departamentit të mbrojtjes së shtetit, të ngarkuar me mbrojtjen e zyrtarëve të lartë ukrainas, përfshirë presidentin Zelensky. Ata kishin përgjuar edhe një person të tretë, për të cilin dyshonin se bashkëpunonte për Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB).
Ky ishte edhe vrasësi i paidentifikuar. Ata e dinin se kjo treshe po komplotonin për të vrarë Budanov, dhe se po gjurmonte gjeneral-lejtnant Vasyl Maliuk, kreun e SBU-së, si dhe vetë presidenti Zelensky, rrëfen oficeri i lartë. Të dyshuarit kishin grumbulluar raketa, një minë anti-personel MON-90 dhe dronë kamikazë.
I dyshuari i parë, i identifikuar nga një burim i zbatimit të ligjit si koloneli Andrey Huk, akuzohet se ka punuar për FSB-në që nga viti 2014. Ai dyshohet se ka rekrutuar edhe njeriun e dytë, kolonelin Oleksandr Derkach, si dhe i ka transmetuar grupit urdhrat e FSB-së. Komunikimet midis atentatorit dhe drejtuesve të tij u përgjuan nga SBU duke përdorur teknologji të fuqishme të mbikëqyrjes.
Maliuk njoftoi menjëherë Budanov. Një ekip reagimi u vërsul mbi atentatorin ndërsa SBU përgatiti një operacion të shpejtë për të neutralizuar bashkëpunëtorët e tij të dyshuar.
“Synimi ynë ishte të kryenim një arrestim të njëkohshëm, në mënyrë që ata të mos mundnin të informonin njëri-tjetrin, pra të mos arratiseshin”, rrëfen oficeri.
Njëri nga kolonelët ishte në apartamentin e tij në Kiev, ndërsa tjetri ishte duke vizituar miqtë në rajonin Sumy në verilindje të Ukrainës. Që të dy ishin të armatosur. Për të shmangur një përleshje të rrezikshme me armë, SBU i joshi të dilnin përmes një thirrje të papritur në punë.
Një forcë e operacioneve speciale dhe e reagimit të shpejtë, e veshur si policët e zakonshëm që patrullojnë në rrugë, u vendos në pikat e kontrollit nga ku do të kalonin 2 ushtarakët. Në Ukrainën e kohës së luftës, pikat e kontrollit janë të zakonshme, dhe një ndalesë atje nuk do të ngjallte domosdoshmërisht dyshime.
Burri i parë u arrestua me lehtësi. I dyti nuk parkoi, vazhdoi të lëvizte me makinën e tij, uli xhamin dhe tregoi kartën e identifikimit zyrtar. “Ne zgjodhëm një djalë të madh, fizikisht të aftë, të veshur me uniformë policie që të kryente arrestimin. Ai bëri sikur nuk e shihte dot letërnjoftimin dhe u afrua më pranë makinës. Pastaj me njërën dorë futi dorën brenda xhamit dhe hapi derën, ndërsa me krahun tjetër kapi kokën e ushtarakut. Ishte shumë e rëndësishme që ai të neutralizohej menjëherë, pasi kishte armë në makinë”, tregon ai.
Oficerët e tjerë të SBU u grumbulluan për ta ndaluar makinën dhe e nxorën me forcë burrin nga automjeti i tij, duke përfunduar arrestimin. Më pas ekipet speciale bastisën apartamentet e dy burrave. Atje ata gjetën eksplozivët dhe elementët e dronit të fshehur brenda gomave rezervë, si dhe një depo me një telefon sekret, tregon zyrtari i kundërzbulimit.
Gjatë marrjes në pyetje, të dy personat rrëfyen të gjithë komplotin. Telefoni sekret përfshinte komunikime që identifikonin automjetet dhe rrugët e përdorura nga Zelensky dhe Maliuk, ndoshta në pritje të goditjes së tyre në një mënyrë të ngjashme, si dhe komunikime rreth lëvizjeve të tyre.
Pasi u arrestuan, kolonelët ofruan informacione të reja në lidhje me një përpjekje të mëparshme të rusëve për të marrë peng Zelensky që në fillim të luftës. “Në shkurtin e vitit 2022, agjentit nr.1 iu dha detyra për të identifikuar oficerët e tjerë të mbrojtjes shtetërore, besnikë ndaj Rusisë, për të vrarë ata që ishin besnikë ndaj Ukrainës dhe marrë peng presidentin. Më pas do ta detyronin Zelenskyn të bënte një deklaratë video, ku do të shpallte kapitullimin, duke i thënë popullit se nuk kishte arsye për të luftuar. Nëse nuk pranonte do të vritej”, rrëfen ai.
Gjatë ditëve të para kaotike të pushtimit, koloneli i parë kishte shkuar aq larg sa kishte mbledhur truproja të tjerë presidencialë, të cilëve u sugjeroi të hidhnin armët kur të mbërrinin rusët. “Ai u tha atyre: Ne nuk jemi forcat e armatosura. S’kemi një detyrë të veçantë për të mbrojtur Ukrainën, dhe unë nuk jam paguar mjaftueshëm për të organizuar këtu Kalanë e Brestit”. Mbrojtja në vitin 1941 e Kalasë së Brestit nga Ushtria e Kuqe përballë një sulmi të befasishëm nga nazistët, çoi në vdekjen e më shumë se 2,000 ushtarëve të Bashkimit Sovjetik, dhe kapjen rob të 7.000 të tjerëve. Në atë kohë, kolegët e tij i cilësuan komentet e tij si një reagim emocional ndaj pushtimit duke i injoruar ato.
Duke qenë se ishte oficer i lartë, ata nuk e kishin sfiduar. Pas arrestimit të tij, kur e kuptuan se ai po vepronte me urdhër të FSB-së, u tronditën. Familja e Huk, e cila kishte ikur në Evropë dhe shumë fort pro-ukrainase, u shokua nga arrestimi i tij. “Ai po i gënjente që të gjithë. Gruaja e tij mendonte se ai po mbronte vendin e tij. Fëmijët e tij mendonin se babai i tyre ishte një hero i vendit”, shtoi oficeri.
Megjithatë, ai kishte lindur në Rusi, çka përbën një shpjegim të mundshëm për tradhtinë e tij të dyshuar. Në një video të marrjes në pyetje të tij të publikuar nga SBU, ai deklaron se kishte marrë 3.000 dollarë në muaj nga FSB-ja ruse, dhe 1.000 dollarë të tjera shtesë për të kryer udhëtime për të përmbushur porositë e tyre.
Ndërkohë Derkach, kishte marrë pjesë në komplot thjesht për paratë, duke shpresuar se Huk do ta ndihmonte për një karrierë më të mirë. Këshilltari i Zelenksy-t, Mykhailo Podolyak, thotë se ka pasur “një duzinë” komplotesh kundër jetës së presidentit. Megjithatë, depërtimi shumë pranë tij, duket të jetë përpjekja më e avancuar e FSB-së.
Përpjekja për të vrarë Budanov tregon një ndryshim të madh në rolin e agjencisë në luftën kundër Ukrainës dhe aleatëve të saj, nga mbledhja e inteligjencës tek sabotimet dhe atentatet, një rol i dominuar dikur nga shërbimi i inteligjencës ushtarake ruse, GRU.
Arkitekti i strategjisë së re agresive të FSB-së, besohet se është zëvendësdrejtori i agjencisë, Sergei Korolev, një i preferuari i Putinit, i cili raportohet se ka lidhje të thella me mafian ruse. Një dosje për të, që e zotëron gazeta, e përpiluar nga dega e inteligjencës ushtarake të Ukrainës, HUR, e përshkruan atë si “ujkun e Putinit”, i ngarkuar me mbledhjen e informacionit për anëtarët e tjerë të qeverisë ruse, dhe largimin e rivalëve të mundshëm që udhëheqësi rus dëshiron të shkarkohen me mjete ligjore.
Në dosje thuhet gjithashtu se ai është një personazh enigmatik, rreth 60 vjeç, i lindur në Kirgistan dhe që preferon të punojë në hije. HUR e akuzon atë për orkestrimin e komplotit të fundit si dhuratë për Putinin përpara festimeve të 9 majit. SBU tha se përpjekja për vrasje u miratua dhe u koordinua personalisht nga drejtori i FSB-së, Alexander Bortnikov.
"Sulmeve terroriste, sabotazheve dhe atentateve, në përpjekje për të krijuar një lëvizje të rezistencës pro-ruse”, thotë oficeri i kundërzbulimit, duke vënë në dukje se deri tani SBU-ja ka demaskuar rreth 2500 agjentë rusë në Ukrainë. "Në fakt, sot në Ukrainë nuk ka asnjë lëvizje pro-ruse. Shërbimet e inteligjencës ruse janë shumë të fuqishme, por deri më tani SBU ka arritur t’i mposhtë ato”, thotë ai./ Përshtati: "Pamfleti", Nga: “Sunday Times”
Lini një Përgjigje