Presidenti rus ka reaguar pas qëndrimeve të Macron dhe Stoltenberg për të dërguar ushtarë në Ukrainë dhe për të lejuar Kievin të godasë në territorin rus...
Presidenti rus Vladimir Putin ka paralajmëruar luftë globale nëse NATO dërgon trupa ushtarake në Ukrainë.
Lajmin e bën të ditur Ria Novosti, duke cituar liderin e Kremlinit në një konferencë shtypi nga Uzbekistani, ku ndodhet për një vizitë zyrtare. Ai ka kërcënuar sërish me armë bërthamore.
“Përshkallëzimi i vazhdueshëm i situatës në Ukrainë nga vendet perëndimore mund të ketë pasoja, vetëm mbani mend barazinë bërthamore midis Rusisë dhe SHBA-së. Një hap tjetër drejt konfliktit në Evropë dhe një lufte globale", tha ai.
Nga ana tjetër ai ka goditur Sekretarin e NATO, Jens Stoltenberg, i cili ka sugjeruar që Ukraina të godasë brenda territorit rus. “Më kujtohet kur ishte kryeministër (norvegjez) dhe ai ende nuk vuante nga demenca”, tha kreu i Kremlinit, cituar nga Tass.
Sipas tij, përdorimi i raketave perëndimore për të goditur thellë në territorin rus do të sjellë "pasoja të rënda". Këto raketa, shtoi Putin, do të udhëhiqen ende nga personeli i NATO-s, sepse përdorimi i tyre kërkon "informacion të inteligjencës satelitore" që vetëm Aleanca ka në dispozicion. Vendet evropiane, veçanërisht ato "me një territor të vogël dhe një densitet të lartë popullsie" duhet të kuptojnë se çfarë rrezikojnë "para se të flasin për sulme thellë brenda territorit rus", shtoi presidenti.
Më tej ai deklaroi se tashmë NATO ka dërguar instruktorë në Ukrainë. Sipas tij, janë ata që operojnë me armët që ka dërguar Perëndimi.
“Armët me precizion të lartë të furnizuara nga Perëndimi në Ukrainë operohen nga instruktorë me maskën e mercenarëve. Por Rusia do të bëjë "atë që e sheh të arsyeshme, pavarësisht se kush është në territorin e Ukrainës", tha ai.
Më tej Putin paralajmëroi edhe Poloninë. “Nëse ushtarët polakë hyjnë në Ukrainë, ata nuk do të kthehen kurrë në shtëpi”, tha ai. /Pamfleti
Lini një Përgjigje