
Përqendrimi i Evropës tek çështja e sigurisë, vetëm sa do të shtohet ndërsa ajo ecën përpara. Në përgjithësi, zgjedhjet e këtij viti do të konfirmojë qëndrueshmërinë e Evropës, dhe tërheqjen e vazhdueshme ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE-ja.
Ndërsa votuesit shkojnë në kutitë e votimit në zgjedhjet e BE-së dhe më pas ato kombëtare, Evropa përballet me polarizimin, dhunën, tentativat për vrasje, teoritë e konspiracionit dhe informacionin e rremë. Zgjedhjet kombëtare pritet të mbahen në Austri, Belgjikë, Bullgari, Kroaci, Lituani dhe Rumani, si dhe në Islandë, Gjeorgji dhe Britaninë e Madhe.
Lufta në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe trazirat politike të brendshme, problemet ekonomike dhe angazhimi i lëkundur i SHBA-së ndaj Evropës, po nervozojnë kandidatët dhe votuesit. Zgjedhjet e fundit, kanë prodhuar rezultate të përziera.
Disa kanë treguar forcën dhe qëndrueshmërinë e demokracisë, ndërsa të tjerat kanë sjellë forcimin e partive politike ekstremiste. Ato janë zakonisht euroskeptikë dhe kundër migrimit, politikave pro ruajtjes së klimës, mbrojtjes së mjedisit dhe mbështetjes për Ukrainën.
Disa janë pro-ruse dhe ca të tjera kundër izolimit ekonomik të Kinës. Megjithatë, disa liderë të partive tradicionale janë zhvendosur tek e djathta ekstreme, duke çuar në kompromise me partitë që më parë konsideroheshin si të pamundura.
A është kjo një ndërprerje e përkohshme elektorale në rrugëtimin drejt një Evrope më të gjelbër, konkurruese, të ndërlidhur dhe më të drejtë, apo nënkupton një ndryshim më të thellë mbi atë që i shqetëson më shumë njerëzit? Dy skenarë përshkruajnë të ardhme të kundërta për BE-në, dhe në një vit kur në votime po shkon gjysma e elektoratit të botës.
Një kthim prapa
Ky skenar, përshkruan një Evropë ku politika e ekstremit të djathtë nis të pranohet gjerësisht. Partitë e ekstremit të djathtë në Francë dhe Itali, përpiqen të projektojnë një imazh më të moderuar për vetën, për të zbutur disi ankthet e votuesve. Ndërsa ato në Hungari dhe Sllovaki, nuk tregojnë shenja të zbutjes së pozicioneve të tyre.
Në Itali, Holandë dhe Skandinavi, qeveritë e koalicionit përfshijnë parti të qendrës së djathtë dhe të ekstremit të djathtë, duke promovuar politika që dikur konsideroheshin të papranueshme. Zgjedhjet duket se po e konfirmojnë pretendimin e francezes Marine Le Pen, se votuesit preferojnë partitë autentike të së djathtës ekstreme në vend të imitimeve të qendrës së djathtë.
Kjo ka një ndikim si brenda ashtu edhe jashtë vendit. Bashkimit Evropian është i njohur për “fuqinë e tij të butë”, duke promovuar modelin e vet ekonomik dhe social për të ndikuar tek vendet e tjera. Por forcimi i populistëve e dëmton besueshmërinë e këtij modeli, duke e reduktuar ndikimin e BE-së në fusha si standardet e punës, të drejtat e njeriut, klima dhe rregullimi i mënyrës së përdorimit të Inteligjencës Artificiale.
Politika ndaj Kinës, kalon nga rivaliteti strategjik tek bashkëpunimi, pasi në krye zgjidhen politikanë dashamirës ndaj Pekinit, pavarësisht shqetësimeve mbi të drejtat e njeriut dhe situatën në Tajvan. Dhe kjo nga ana tjetër, e thellon përçarjen mes Evropës dhe Shteteve të Bashkuara.
Sipas këtij skenari, mbështetja e BE-së për Ukrainën mund të dobësohet ndjeshëm, duke rrezikuar jo vetëm ndihmën ushtarake dhe atë financiare, por edhe aspiratat e Ukrainës për anëtarësim në BE. BE-ja i bëri ofertë për anëtarësim Ukrainës dhe fqinjëve të saj pak muaj pas fillimit të pushtimit rus, si një provë se ajo mund të veprojë edhe “gjeopolitikisht”.
Megjithatë, një zhvendosje e fortë në të djathtë, mund të zmadhojë pengesat për anëtarësimin e mundshëm të këtyre vendeve. Rajoni i Ballkanit, përballet ende me problemet e vjetra të keqqeverisjes, pavarësisht nga inkurajimi i BE-së për t’u përmirësuar. Në përgjithësi, në këtë skenar, do të ndalen përpjekjet integruese të BE-së, dhe udhëheqësit e saj do të ndjekin një qasje transaksionale ndaj politikave si Marrëveshja e Gjelbër, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
Një rinisje e reformave të mëdha
Sipas këtij skenari alternativ, partitë euroskeptike nuk do të arrijnë të bashkohen, ndërsa në krye të unionit do të vendosen udhëheqës të përkushtuar ndaj vlerave thelbësore të BE-së. Ndërprerja që shkaktojnë zgjedhjet është e shkurtër, dhe BE-ja rifillon me shpejtësi politikat e saj kryesore, duke iu dhënë atyre një kthesë të madhe gjeo-ekonomike.
Prioritetet më të menjëhershme janë standardet e jetesës, punësimi, kostoja e jetesës, investimet, teknologjia dhe eksportet. BE-ja angazhohet për rindërtimin e Ukrainës, duke siguruar që infrastruktura e re të përmbushë standardet evropiane të gjelbra dhe dixhitale.
Kjo do të ndihmojë Kievin të afrohet më shumë me Brukselin. Po ashtu, BE-ja do të ofrojë ndihmë humanitare për Gazën kur të ndalen luftimet, teksa buxheti për rindërtimin e Rripit do të jetë pjesë e programin e saj të ndihmës së vendeve të huaja. Komisioni i ri Evropian do të mbështesë programin e tij tek propozimet e ish-kryeministrave italianë Enrico Letta dhe Mario Draghi, të mbështetur nga Berlini dhe Parisi.
Synimi është të shfrytëzohet tregu i madh i vetëm i BE-së, për të konkurruar në një mënyrë më efektive me Kinën dhe SHBA-në. Përfaqësuesja e re e Lartë e BE-së, do t’u bëjë thirrje vendeve evropiane që ndajnë të njëjtën qasje që të punojnë së bashku në nismat e huaja dhe ato të mbrojtjes nën ombrellën e BE-së.
Çdo kthim prapa ndaj angazhimeve thelbësore, siç është Marrëveshja e Gjelbër Evropiane, gjatë fushatës zgjedhore, do të jetë i përkohshëm. Shumica e legjislacionit mbi këtë çështje është miratuar tashmë, dhe është e vështirë të ndryshohet. Bizneset kanë investuar shumë në tranzicionin e gjelbër, dhe premtojnë ta mbajnë BE-në përgjegjëse për angazhimet e saj.
Pas zgjedhjeve, sfida nga e djathta ekstreme do të nxisë qendrën, në tkurrje të vazhdueshme, të lërë mënjanë dallimet dhe të punojë së bashku me të për një program të besueshëm për 5 vitet e ardhshme.
Bashkëpunimi industrial, për të reduktuar varësinë nga furnizuesit e huaj dhe jo të besueshëm, prodhimi i përbashkët i sistemeve të avancuara të armëve, blerja e energjisë dhe materialeve shumë të rëndësishme nga BE, dhe objektivat e vitit 2030 mbi reduktimin e emetimeve ndotëse në atmosferë, do të jenë prioritetet kryesore të komisionit të ri.
Bisedimet e anëtarësimit me Ukrainën dhe Moldavinë do të nisin në fund të këtij viti, pavarësisht përpjekjeve të presidencës hungareze për t’i shtyrë ato. Këshilli Evropian do t’i kërkojë Komisionit propozime për bashkëpunimin me Britaninë e Madhe, pasi qeveria e saj e re të marrë detyrën pas zgjedhjeve parlamentare të 4 korrikut.
Rruga që na pret përpara
Beteja për të drejtat dhe liritë themelore, do të dominojë Evropën edhe për vitet në vijim, por ngritja e së djathtës ekstreme nuk do ta dëmtojë kontinentin. Përqendrimi i Evropës tek çështja e sigurisë, vetëm sa do të shtohet ndërsa ajo ecën përpara. Në përgjithësi, zgjedhjet e këtij viti do të konfirmojë qëndrueshmërinë e Evropës, dhe tërheqjen e vazhdueshme ndaj vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE-ja./Përshtati "Pamfleti" nga “Euractiv”.
Shënim: Sër Michael Leigh, ish-zyrtar i BE-së, i ngarkuar me zgjerimin e unionit, sot lektor në Universitetin Johns Hopkins (SAIS) në Bolonja, itali.
Lini një Përgjigje