Një turist italian është vrarë dhe shtatë persona të tjerë kanë mbetur të plagosur në një sulm që është cilësuar si terrorist pranë bregdetit në Tel Aviv. Viktima është identifikuar si Alessandro Parini nga Roma.
Autori është ndaluar nga policia që e ka qëlluar për vdekje në tentativë për ta neutralizuar. Rreth orës 21:25, autori 44 vjeçar që po drejtonte makinën tip ‘Kia’ hyri me shpejtësi mes një turme me këmbësorë para se të përmbysej në lëndinën e kopshtit.
Sipas mediave të huaja, një oficer policie në një pikë karburanti aty pranë dëgjoi zhurmën dhe pasi vrapoi në vendngjarje, pa shoferin e makinës dhe u përpoq ta neutralizonte. Të gjithë të lënduarit nga sulmi ishin turistë. Të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.
Pas incidentit, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mobilizoi policinë dhe rezervistët e ushtrisë si pjesë e përpjekjeve për të luftuar terrorizmin.
Sulmet ndodhën disa orë pasi ushtria izraelite kreu sulme ajrore ndaj objektivave që i përkisnin grupit militant palestinez Hamas në Libanin jugor dhe në Rripin e Gazës.
Lini një Përgjigje