
Ankaraja zyrtare ka reaguar ashpër pas sulmit izraelit ndaj një delegacioni të Hamasit në Doha të Katarit, duke e cilësuar aktin si “terrorizëm shtetëror” dhe “provë të qartë të politikave ekspansioniste të Izraelit në rajon”.
Në një deklaratë zyrtare nga Ministria e Jashtme e Turqisë, thuhet se “ky sulm është një tregues i qartë se Izraeli nuk ndjek paqen, por dëshiron të përjetësojë luftën në Lindjen e Mesme”. Ankaraja nënvizon se goditja ndaj një delegacioni negociator në momentin kur po zhvillohen bisedime për armëpushim, është një provokim flagrant që minon çdo përpjekje për zgjidhje politike.
Turqia akuzon Izraelin për përdorim sistematik të dhunës si mjet diplomatik dhe për shkelje të rënda të së drejtës ndërkombëtare. “Ky veprim është dëshmi e adoptimit të terrorizmit si politikë shtetërore nga ana e Izraelit”, theksohet në deklaratë.
Në të njëjtën kohë, Ankaraja ka bërë thirrje për një mobilizim të komunitetit ndërkombëtar, duke kërkuar presion të menjëhershëm ndaj Izraelit që të ndalë “agresionin e vazhdueshëm ndaj Palestinës dhe destabilizimin e qëllimshëm të rajonit”.
Deklarata vjen në një moment kritik të marrëdhënieve izraelito-turke, të cilat prej muajsh janë përkeqësuar pas ofensivës izraelite në Gaza. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, e ka quajtur publikisht Izraelin një “shtet terrorist”, ndërsa ka refuzuar të ndalë mbështetjen politike për kauzën palestineze, përfshirë dhe Hamasin, të cilin Ankaraja nuk e klasifikon si organizatë terroriste.
Lini një Përgjigje