TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Shtator 2025, 16:44

“The Sun”: Si bandat kriminale në Shqipëri veprojnë “nën hundën” e kryeministrit!

Shkruar nga Pamfleti

“The Sun”: Si bandat kriminale në Shqipëri veprojnë

Revista britanike “The Sun” i ka kushtuar një artikull të gjatë veprimtarisë kriminale në Shqipëri. Gazetarët e saj kanë mbërritur në Tiranë, ku kanë parë nga afër investimet e klanit Çopja. Në artikull përmendet dhe fakti se si një prej lokaleve të tyre që përdorej për pastrim parash, operonte vetëm 500 metra larg zyrës së Edi Ramës.

Në një kodër të qetë shqiptare, midis ullinjve dhe hardhive të rrushit, ndodhet një restorant i madhërishëm me pamje panoramike dhe arkitekturë moderne që i ngjan një oazi rural për turistët.

“Solis Farm”, vetëm 20 minuta larg nga Tirana, ngjan si një shembull i zhvillimit të qëndrueshëm bujqësor dhe kulinarisë vendase. Por përtej pamjes idilike, ky kompleks është kthyer në simbolin më të dukshëm të mënyrës se si krimi i organizuar shqiptar pastron miliona euro nga tregtia ndërkombëtare e drogës — në sy të të gjithëve, pa frikë e pa ndalim.

Kompleksi, që është sekuestruar tashmë nga autoritetet shqiptare, është një nga pronat e dy vëllezërve të njohur të botës së krimit, Franc dhe Hajdar Çopja. Ata janë dy nga emrat më të fuqishëm të trafikut të kokainës në Europë, të lidhur me kartelet e Amerikës Latine, rrjetet e korruptuara të doganave në portet evropiane dhe me atentate të shumta mafioze në Belgjikë, Shqipëri e përtej.

Në Britani, ata ndërtuan perandorinë e tyre nga një shtëpi e thjeshtë në Tottenham të Londrës. Franc Çopja, 33 vjeç, vepronte nga një banesë me dy kate, por në të kishte krijuar një “qendër komanduese” kriminale. Ai kalonte ditët i lidhur në telefon me kontaktet në Kolumbi e Paraguaj, duke porositur dërgesa kokainë, duke paguar në mënyrë të fshehtë zyrtarë portesh dhe duke urdhëruar transportin e drogës të fshehur në karroca kuajsh ose kontejnerë industrialë. Ndërkohë, vëllai i tij Hajdar, 40 vjeç, koordinonte nga Shqipëria logjistikën dhe pastrimin e parave përmes investimeve luksoze në vila, restorante, toka dhe kriptomonedha.

Tregu britanik, me çmime dyfish më të larta për kokainën krahasuar me pjesën tjetër të Europës, u kthye në terren perfekt për fitime marramendëse. Por gjithçka nisi të shembet kur 50 kilogramë kokainë “u zhdukën” gjatë transportit, çka shkaktoi një konflikt brutal me një tjetër klan shqiptar të quajtur Alibej. Konflikti përfundoi në një seri atentatesh, përfshirë vrasjen e trefishtë në Bradashesh të Elbasanit, ku anëtarët e klanit rival u qëlluan me kallashnikov brenda një Range Rover-i luksoz.

Nuk mbaroi me kaq. Franc Çopja u akuzua si organizatori i vrasjes së Ardi Spahiut, kreut të familjes Alibej, në Belgjikë, një atentat në mes të ditës, në qendër të qytetit, ku Spahiu u godit me 18 plumba, tetë prej të cilëve në trup. Deri në 14 atentate ose tentativa vrasjesh i atribuohen grupit të tyre, të dokumentuara më vonë përmes aplikacionit të koduar “Sky ECC”, që u dekriptua nga Europol dhe u bë çelësi për çmontimin e të gjithë strukturës së tyre kriminale.

Dëshmia që tronditi prokurorinë shqiptare erdhi nga një anëtar i klanit Alibej, Erion Alibej, vëllai i një prej viktimave, i cili pranoi se ishte rekrutuar nga Çopjat për të shlyer borxhet e vëllait të tij. Ai udhëtoi ilegalisht drejt Londrës dhe punoi në rrjetin e shpërndarjes së drogës që drejtohej nga Franc Çopja në Tottenham. Alibej tregoi sesi mallrat mbërrinin nga Belgjika dhe Holanda përmes linjave të kontrolluara nga Hajdar Çopja, dhe sesi dërgesat menaxhoheshin me një precizion ushtarak.

Ndërkohë, në Shqipëri, ata shfaqeshin si “sipërmarrës” të suksesshëm. Në Baldushk ngritën “Solis Farm”, një kompleks modern agroturizmi me qindra rrënjë ullinj dhe hektarë me vreshta, por që sot shfaqen të braktisura, me rrushin që kalbet në hardhi dhe vetëm një Mercedes luksoz në parkim nën kujdesin e një “kujdestari”.

Një ndër faktet më tronditëse është se Çopjat nuk operonin në hije, por në dritën e diellit, përballë syve të institucioneve. Një nga vilat e tyre ndodhej vetëm 500 metra larg zyrës së Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në një zonë elitare të Tiranës. Në atë zonë, flamuj shqiptarë, britanikë dhe amerikanë valëviteshin në oborre të rregullta, ndërkohë që miliona euro të drogës qarkullonin në formë investimesh “të ligjshme”.

Autoritetet shqiptare, nëpërmjet SPAK, kanë sekuestruar tashmë pasuritë e tyre: toka, vila, apartamente, kompani, llogari bankare dhe kriptovaluta që kapin vlerën e dhjetëra milionave euro. Sipas hetuesve, nëse Çopjat dënohen, gjithçka do konfiskohet përfundimisht dhe do shitet në ankand. Por kjo nuk ndal tronditjen që ka pësuar opinioni publik: si është e mundur që një rrjet i tillë funksiononte për vite me radhë në zemër të Shqipërisë dhe të Britanisë?

Franc Çopja ndodhet tashmë i ekstraduar në Belgjikë për të përballur drejtësinë për akuzat e vrasjes dhe trafikimit ndërkombëtar të drogës. Hajdar Çopja është në arrati, dyshohet se fshihet në Amerikën Latine, pranë lidhjeve të tyre me kartelet e drogës. Mesazhet e koduara të siguruara nga Europol tregojnë edhe planin grotesk të fshehjes së eurove nën rrënjët e ullinjve të “Solis Farm” në Shqipëri, një detaj simbolik për mënyrën se si paratë e krimit janë mbjellë thellë në truallin shqiptar. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Sun

Lini një Përgjigje