Prokurorët e SPAK hapin tenderët e Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë...
Ujësjellës Kanalizimet Tiranë vijon të jetë lëndinë abuzimesh. Ndonëse nga viti në vit kjo shoqëri ka ndryshuar status, duket se përdoret për punësime dhe mbushje xhepash. Por mësohet se SPAK ka hapur disa dosje hetimore në këtë shoqëri.
Sinjalet u dhanë dje. SPAK dërgoi për gjykim Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja punonjës të UKT-së, si dhe Bledar Shemaj ortak dhe administrator.
Nga hetimet e kryera rezulton se, të pandehurit Ledia Ramo, Ortjon Dhami dhe Engjëll Dedja, kanë marrë pjesë si anëtarë të Komisionit të Shqyrtimit të Ankesave dhe më pas, si anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, në procedurat për prokurimin me objekt “Blerje kimikate dhe karbon aktiv për UKT sh.a”, me procedurë të hapur marrëveshje kuadër, të datës 11.01.2019, me vlerë 143.618.333 lekë pa TVSH.
Sipas SPAK personat më lart akuzohen se gjatë procedurës së shqyrtimit të ankesave kanë ndryshuar njërin nga specifikimet, që kishte të bënte me figurimin në listëpagesa të një punonjësi manovrator të mjeteve të rënda (duke e hequr si kërkesë), për qëllime të favorizimit të shoqërisë “W Center” sh.p.k. Më pas gjatë vlerësimit të ofertave e kanë kualifikuar këtë shoqëri pavarësisht se nuk përmbushte njërin nga specifikimet e kërkuara, atë të pasjes nga ana e manovratorit të mjeteve të rënda të një leje drejtimi të vlefshme.
Sipas burimeve, SPAK po heton dhe raste të tjera abuzimesh, ku po shqyrtohen disa tenderë. Po ashtu janë hapur raportet e KLSH dhe janë sekuestruar shumë dosje. /Pamfleti
Lini një Përgjigje