
Pas skemës së “KAYO”-s në industrinë e mbrojtjes, qeveria përgatit kalimin e kompanisë së re të transportit publik te kompania private “Albarent Sh.p.k”, në pronësi të ministrit Gonxhe...
Më 1 tetor 2025, kryeministri Edi Rama firmosi krijimin e kompanisë shtetërore “MobAl”, me objekt ofrimin e shërbimeve dhe organizimin e transportit publik rrugor.
Kompania, që do të jetë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, do të mbulojë shërbimin “taxi” dhe transportin urban të udhëtarëve në Tiranë e qytetet e tjera, me linja autobusësh brenda bashkive. Ajo do të kryejë gjithashtu transport rrugor mallrash, transport turistik brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe transport të nxënësve e punonjësve të arsimit, duke ndërprerë kontratat me operatorët privatë.
Sipas vendimit të qeverisë, “MobAl Sh.A” do të krijojë një park të autobusëve dhe mjeteve të transportit të mallrave e taksive, servise për mirëmbajtje, stacione karikimi për mjetet elektrike dhe sistemin e biletave elektronike. Në letër, kjo është një nismë moderne për transportin publik. Por, si gjithmonë, “djalli fshihet në detaje”.
Në vendimin për krijimin e kompanisë shtetërore “MobAl Sh.A”, Edi Rama ka lënë të hapur mundësinë që kjo kompani të jepet me koncesion te privati. Një skemë e njohur, e cila u përdor edhe me kompaninë “KAYO Sh.A”. Kjo e fundit u krijua me 100% kapital shtetëror në Ministrinë e Mbrojtjes për prodhimin e armëve, municioneve dhe automjeteve ushtarake, por vetëm pesë muaj më vonë, 80% e aktivitetit iu dha me koncesion kompanive private “Timak” të izraelitit Ron Yeffet, mik personal i Ramës dhe “MSSC”.
Në të njëjtën mënyrë, edhe “MobAl” pritet të ndjekë të njëjtin skenar. Burime të sigurta konfirmojnë se krijimi i kësaj kompanie është një skemë për ta kaluar më vonë me koncesion te kompania private “Albarent Sh.p.k”, në pronësi të ministrit Blendi Gonxhe.
Nuk është rastësi që vendimi i qeverisë është identik me projektin që Gonxhe, kur ishte drejtor i Transportit Rrugor në tetor 2023, i propozoi vetë qeverisë: krijimin e një shoqërie shtetërore për shërbimin urban, transportin e udhëtarëve, mallrave, turistëve dhe taksive, me qëllim lidhjen e një kontrate koncesionare me subjekte private.
Objekti i “MobAl” është i njëjtë me objektin e kompanisë “Albarent” të Gonxhes.
Sipas vendimit të qeverisë, aktiviteti i “MobAl” do të nisë në shtator 2026, ndërsa gjatë një viti do të krijohen mjediset e punës, do të sigurohen fondet nëpërmjet huave nga privatët dhe do të bashkëpunohet me ta për ndërtimin e infrastrukturës dhe flotës së mjeteve.
Në këtë mënyrë, projekti i Gonxhes është konkretizuar nga Edi Rama, i cili tani pritet të bëjë hapin e fundit, dhënien me koncesion të kompanisë së transportit “MobAl Sh.A” te “Albarent”, për t’i garantuar mikut të tij një tjetër biznes me superfitime./Pamfleti
Lini një Përgjigje