
Kemi të bëjmë me korrupsion të legalizuar me letra. Kryebashkiakja Sefa i jep tendera Dashnor Sinanaj, ndërsa Dashnor Sinanaj i jep para bashkëshortit të Sefës. Paratë publike ndahen brenda familjes...
Pas arrestimit të ish kryebashkiakut Fatos Tushe, abuzimi me tenderat duket se po i përndjek socialistët që marrin drejtimin e Lushnjes.
Në këto zgjedhje, PS garon sërish me Eriselda Sefën, e cila është gruaja e parë që drejton Lushnjen, që prej vitit 1992.
Sefa, anëtare e Asamblesë Kombëtare të PS, u zgjodh si kryetare e komanduar pas arrestimit të Fatos Tushes.
Në vetëm pak kohë drejtim të bashkisë, bie në sy se Sefa ka lidhur një numër të konsiderueshëm kontratash tenderuese me kompaninë “ZDRAVO shpk”, me administrator Dashnor Sinanaj, madje edhe tendera që janë konsideruar me ‘flamur të kuq’.
Dashnor Sinanaj njihet ndryshe edhe si Dashnori i Tenderave.
Por, çfarë e lidh kryebashkiaken me kompaninë ‘ZDRAVO’?
Bashkëshorti i saj Aurel Duli është i punësuar pranë kësaj kompanie me pagë 186.480 lekë.
Pra, kemi të bëjmë me korrupsion të legalizuar me letra. Kryebashkiakja Sefa i jep tendera Dashnor Sinanaj, ndërsa Dashnor Sinanaj i jep para bashkëshortit të Sefës. Paratë publike ndahen brenda familjes.
Në korrik të vitit 2022, Sefa lidhi kontratë tenderuese me “ZDRAVO” për ndërhyrje në infrastrukturën e rrugës Unazë e ish depos së duhanit me fond limit 28.725.352 lekë.
Në garë u futën 14 kompani, disa u skualifikuan për gabime aritmetike në vlera gjatë aplikimit e të tjerë për mungesën e certifikatë ISO.
Kështu Sefa e kaloi këtë tender në duart e kompanisë ‘ZDRAVO’.
Po atë vit, Bashkia e Lushnjes hap tenderin për rehabilitimin e palestrës së shkollës ‘Foto Puka’. Fitues shpallet sërish kompania ‘ZDRAVO’ me fond 21.720.840 lekë për punimet e palestrës së shkollës.
Ndërkohë mes operatorëve të skualifikuar nga gara, kompanitë “2N” shpk, “Boshnjaku B” shpk ofronin një vlerë me të ulët për të kryer po të njëjtat punime.
“ZDRAVO” në pronësi të Faik, Dashnor dhe Kastriot Sinanaj dhe Ylli Zdrava dhe Arben Zdrava, fitoi në mënyrë të dyshimtë dhe klienteliste, kontratat me firmë të Eriselda Sefës, e cila bie në konflikt interesi për tenderat që brenda vetëm dy viteve ka dhënë ndaj kompanisë ku është i punësuar bashkëshorti. /Prapaskena
Lini një Përgjigje