44 milion euro tendera dhe kulla në zemër të Tiranës

Kur bie fjala për “peshq të mëdhenj” që i kanë futur duart në thesarin e shtetit, Hamz Islamaj është një ndër ata që lundron i qetë në ujërat e tenderave shtetërorë. Pronari i BE-IS shpk, kompania që ka kapur kontratat më të majme nga Rindërtimi, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Ministria e Infrastrukturës, ka ‘gllabëruar’ 44 milionë euro në vetëm pesë vite!
Si ndodh kjo? Thjesht: një dorë lan tjetrën! Kompania e tij ka siguruar financime shtetërore pa konkurencë reale, pasi lidhjet e tij të forta sigurojnë që gjithçka të shkojë "vaj".
Hamz Islamaj nuk ka fituar miliona duke pritur rastësisht. Ai ka miq dhe ortakë në vendet e duhura. Një prej tyre është Ermal Nufi, që e gjen kudo ku ka para publike. Nufi nuk është vetëm një avokat i zakonshëm, ai është drejtor kabineti në Ministrinë e Infrastrukturës, Anëtar Bordi në Kadastër, “Albpetrol”, anëtar bordi në ARRSH dhe te kompania “Alabbar” në Durrës. Vëllai i tij, Edmir Nufi, është ortak me Hamz Islamajn në kompaninë e transportit të kontenierëve “MARITIME LOGISTICS”. Pra, një dorë firmos tenderat, ndërsa tjetra mbledh fitimet!

BE-IS shpk nuk mjaftohet me kaq: pasi ka mjelë shtetin, po pastron edhe gjurmët! Sikur të mos mjaftonte korrupsioni me tendera, Islamaj tani ka hedhur sytë nga ndërtimi i një kulle 27-katëshe në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës. Një pronë luksoze, ku metri katror shitet deri në 4000 euro. Më saktë KKTU ka dhënë Leje Ndërtimi për objektin: “Godinë banimi dhe shërbimi 27 kate mbi tokë”, me vendndodhje në Bashkinë Tiranë, me subjekt zhvillues shoqëritë “2T” sh.p.k dhe “Be-Is” sh.p.k.
Sa për kujtesë, kompania “2T” Sh.p.k është e Gramos Sakos, ish kreu i gardës i cili ka ndërtuar falas pallatin 4 kate të Linda Ramës mbi një lulishte pranë Institutit të Higjienës në Tiranë.
Pyetja që ngrihet është e thjeshtë: Si mundet një kompani që gllabëron miliona nga buxheti i shtetit të shndërrojë paratë publike në investime private me vlerë miliona euro? Kulla 27-katëshe është një piramidë e re, ku paratë e shqiptarëve zhduken në themelet e betonit luksoz.
E thënë troç: nëse paratë e përfituara nga tenderat e BE-IS shpk kanë kaluar te kompanitë private të lidhura me zyrtarët publikë, atëherë kemi kemi të bejmë me një skemë të pastër pastrimi parash. Milionat e vjedhura nga thesari zhduken në investime të paluajtshme, dhe kështu, gjithçka duket “e ligjshme”! /Pamfleti
Lini një Përgjigje