TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia27 Maj 2025, 12:49

A është koncerti i Noizyt, pretekst për kullat e miqve të Edi Ramës: Ylli Ujka dhe Ilir Trebicka?

Shkruar nga Pamfleti

A është koncerti i Noizyt, pretekst për kullat e miqve të

4.3 hektarë park i masakruar në Tiranë, masakër urbane në emër të interest personal dhe heshtjes së institucioneve...

Dhjetë ditë para zgjedhjeve të 11 majit, Bashkia e Tiranës i dha reperit Noizy, mikut të afërt të kryeministrit Edi Rama, një leje të përkohshme për përdorim hapësire publike në parkun e madh të Liqenit Artificial.

Në letër, leja e nënshkruar nga Sekretarja e Përgjithshme e Bashkisë, Jonida Halili, autorizonte përdorimin e vetëm 120 metrave katrorë për skenën e koncertit dhe 50 metra për hapësirën e reklamave. Por në realitet, në terren, janë uzurpuar mbi 42 mijë metra katrorë gjelbërim, ku janë shkulur pemë, është niveluar terreni dhe është shtruar me çakëll, duke e kthyer zonën në një kantier ndërtimi të hapur.

A është koncerti i Noizyt, pretekst për kullat e miqve të

Ky nuk është një devijim i vogël për një aktivitet kulturor, por një operacion i mirëkoordinuar i mafies së ndërtimit, e mbështetur nga vetë kryeministri, për të përgatitur terrenin për ndërtime të reja në zemër të parkut.

Fakti që nuk është përdorur ndonjë shesh publik apo sallë koncertesh, të cilat Bashkia i ka në administrim, e provon qartë se koncerti ishte thjesht një mbulesë për ndërtimin e mëvonshëm të kullave në këtë zonë. Pas koncertit të Noizyt qëndrojnë dy emra të njohur në rrethin e Ramës, ndërtuesit Ilir Trebicka dhe Ylli Ujka, të cilët kanë marrë më parë leje ndërtimi për projekte luksoze në Tiranë, përfshirë kullën Grand Park Skyline dhe hotelin Philipp Plein, brenda perimetrit të parkut dhe ngjitur me Gardën e Republikës.

Masakrës mjedisore i janë bashkuar me heshtje të plotë edhe institucionet që duhet të kishin reaguar të parat. Policia e Shtetit, IKMT dhe Ministria e Mjedisit nuk kanë dhënë asnjë deklaratë, nuk kanë bërë asnjë inspektim dhe nuk kanë ndalur asnjë mjet pune, megjithëse ligji është shkelur në mënyrë flagrante. Leja për përdorim të përkohshëm është shndërruar në një justifikim për të përgatitur një truall ndërtimi mbi hapësirën e gjelbër që i përket qytetarëve të Tiranës.

Në gjithë këtë skenar politik dhe financiar, Noizy ka luajtur rolin e “bilbilit elektoral” të Bablokut, i kthyer në mjet propagande në fushatë dhe në ndërhyrës pa pengesë në një nga zonat më të ndjeshme të Tiranës. Ai nuk është vetëm artist, por një figurë e promovuar publikisht nga kryeministri Rama, i mbrojtur nga hetimet dhe i favorizuar nga çdo strukturë shtetërore. Lidhja e tij me pushtetin është e pandashme dhe e padiskutueshme, siç është edhe heshtja e institucioneve që duhej të kishin vepruar për këtë shkatërrim.

Pas përfundimit të koncertit më 8 qershor 2025, në vend që të rikthehet gjelbërimi, sipërfaqja pritet të lihet e hapur dhe të kalojë me vendim të Agjencisë së Zhvillimit të Territorit në zonë zhvillimi urban. Marrëveshja mes Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Mjedisit dhe zyrës së kryeministrit për të hequr parkun nga harta dhe për ta kthyer në tokë ndërtimi është arritur në heshtje dhe me urdhër nga lart. Kjo nuk është hera e parë që ndërhyrjet në emër të zhvillimit bëhen në mënyrë të tillë mafioze. Por është një nga rastet më flagrante ku një zonë e tërë publike, me vlerë të jashtëzakonshme për qytetin, përdhunohet në emër të interesit privat dhe heshtjes institucionale.

Nëse drejtësia nuk reagon për këtë rast, atëherë mbrojtja e parkut është kapitulluar përfundimisht. Nëse SPAK dhe Prokuroria nuk fillojnë hetimin për abuzimin me kompetencat, uzurpimin e territorit publik dhe transformimin e tij në truall ndërtimi, atëherë mbeten bashkëfajtorë me ndërtuesit dhe me politikanët që e urdhëruan këtë krim. Sepse Tirana nuk ka më nevojë për koncerte propagandistike, por për mbrojtjen e atij pak gjelbërimi që ka mbetur./Pamfleti

koncerti i noyzit edi rama kulla ylli ujka ilir trebicka

Lini një Përgjigje