
Mes flakës, tymit dhe përplasjeve fizike të deputetëve të Berishës e Bardhit me gardistët, mazhoranca kaloi sot në parim projekt-buxhetin dhe paketën fiskale të vitit 2024. Seanca zgjati më pak se 5 minuta pasi deputetët të Rithemelimit vunë në zbatim planin e kaosit me karrige pirg në foltore, tymuese e flakë.
Por si e komenton këtë aksion të deputetëve të Rithemelimit dhe miratim në parim të pr/buxhetit 7 miliardë euro pa asnjë diskutim analisti i njohur Mentor Kikia?
“Do të ishte e udhës që opozita të ngrinte flamurin e bardhë, të merrte pjesë në diskutim. Do të duhej që qytetarët të kuptonin më shumë çfarë pritet të ndodhë me shpërndarjen e financave. Nuk e bënë”, tha Kikia për “Report Tv”.
Ai shprehet se përmes kësaj, opozita çoji ujin aty ku donte maxhoranca të miratonte në parim pr/buxhetin pa asnjë vërejtje.
“Do duhej që sot në vend të tymrave shumëngjyrëshe opozita të ishte sot në foltore. Kam dëgjuar shumë deputetë të opozitës duke kritikuar nëpër ekrane e studio duke kritikuar buxhetin, duke thënë se bujqësia në këtë vit ka kaq % më pak se vitit të kaluar. Por politika nuk bëhet nëpër ekrane e nëpër studio duhet të bëhet aty ku e ka vendin. Dhe kur të vinte fjala për të diskutuar këto gjëra opozita duhej të ndalonte këtë sjellje të merrte pjesë në diskutim të pr/buxhetit. Pa diskutim që pr/buxheti do të miratohej se maxhoranca i ka votat por do tia bënte një shërbim publikut duke kundërshtuar pr/buxhetin nga aty ku duhet dhe në format e duhura. Në vend të kësaj zgjodhi të bëjë atë që bëri dhe i dha mundësinë maxhorancës që të miratonte në mënyrën më të thjeshtë të mundshme. Maxhorancës i interesonte ta mbaronte këtë punë shpejt e shpejt dhe opozita ia krijoi këtë mundësi ta miratonte pa vëretje asgjë prej gjëje", vijon ai.
Ndër të tjera nuk fsheh as zhgënjimin për sjelljen e opozitës.
“Ajo që ndodhi është se ne nuk morëm vesh çfarë si dhe kush do të financohet me pr/buxhetin e vitit të ri. Sa dhe si do të financohet shëndetësia për ti mundësuar qytetarëve shqiptarë të shkojnë në spitalet e shtetit dhe të mos marrin kredi për tu shkuar tek privati për të shpëtuar kokën. Apo financimi i sistemit arsimor. Përmes tymit nuk ka transparencë. Unë si qytetar jam thellësisht i zhgënjyer nga sjella e opozitës. Nëse opozita do të kishte hequr dorë nga tymi e të diskutohej për pr/buxhetin dhe më pas ti rikthehej sërish axhendës së saj bllokuese do të fitonte më shumë kredite në opinionin publik”, u shpreh Kikia.
Lini një Përgjigje