
Delvina u përball me zjarre që përpinë banesat dhe rrezikuan jetën e banorëve.
Hari Konduri, një nga banorët e një prej fshatrave që po digjet në Delvinë, tha për Top Channel, se shtëpia e tij e re u përfshi nga flakët, por të paktën arritën të shpëtonin gjallë.
“Aq shumë lot kemi derdhur, saqë edhe zjarri duhej të fikej nga lotët tona. Shtëpia e re po më digjet atje.Këtë vit ka pasur aq shumë zjarre, saqë nuk kishin forcën që ta përballonin. Zjarri ka qenë shumë i madh, tmerr.
Kishte shumë punonjës, por çfarë të bënin?! Mekanizmat e bëjnë punën.
Na detyruan që të iknim, të largohemi. Nuk e kam menduar ende se ku do iki. Mendoj vetëm shtëpinë time. Shtëpi e re. 5-6 vjet kisha që e kisha ndërtuar. Nuk jetoja aty. Jam emigrant. Vija shpesh dhe qëndroja aty. Ishte shtëpia e kujtimeve, e nostalgjisë fëmijërore. Atje kam lindur, atje jam rritur.
Të paktën shpëtuam kokën”, u shpreh banori.
Flakët e zjarrit në Delvinë janë drejtuar sërish drejt depozitave të gazit në lagjen “Kasapaj”. Aty është situata më e rëndë, ku janë përqëndruar forcat më të mëdha zjarrfikëse.
Pamjet që përcjellin nga Delvina korrensponentët tanë tregojnë më së miri situatën e rënduar në lagjen “Kasapaj”, ku ndodhen depozitat e gazit.
Banorët e kësaj lagjeje janë evakuuar më herët nga forcat e policisë.
Depozitat e gazit rrezikoheshin edhe mbrëmjen e së martës nga flakët, por situata u menaxhuar nga zjarrfikësit.
Por sot duket se zjarri po i rrezikon sërish.
Lini një Përgjigje