Ish-prokurori Ervin Karanxha, ka komentuar mbrëmjen e së dielës, zgjedhjen e kreut të ri të SPAK-ut.
Ai tha se të katërt kandidatët që synonin drejtimin e SPAK kanë kaluar prej vitesh filtrat institucionalë.
Nga studio e emisionit “Terminal” në A2cnn, Karanxha tha se të gjithë janë prokurorë të SPAK-ut dhe kanë mbi gjashtë vite që i janë nënshtruar një vlerësimi të vazhdueshëm profesional dhe etik.
Karanxha nënvizoi se vendimmarrja i përket Këshillit të Lartë të Prokurorisë, si shprehje e vullnetit individual të secilit anëtar, ndërsa prania e ndërkombëtarëve në proces është plotësisht e ligjshme dhe e parashikuar në Kushtetutë.
Ai kujtoi se janë vetë deputetët që sot kritikojnë këtë prani, të cilët më parë kanë votuar ndryshimet kushtetuese që u japin ndërkombëtarëve rol asistues në reformën në drejtësi.
Sipas tij, ata nuk votojnë, por vëzhgojnë dhe shërbejnë si garanci që SPAK të mos cënohet nga interesa politike.
Duke iu referuar kritikave për përfshirjen e Altin Dumanit në disa çështje, Karanxha sqaroi se ligji parashikon ngritjen e grupeve hetimore për çështje të rëndësishme, ku përfshihet edhe drejtuesi i institucionit.
Kjo, sipas tij, e forcon seriozitetin e hetimit dhe bashkëpunimin profesional.
Në fund, Karanxha i uroi suksese prokurorit Altin Dumani në detyrën e re, duke theksuar se sfida e pasardhësit të tij do të jetë jo vetëm vazhdimësia e punës, por edhe thyerja e “mitit” të krijuar rreth figurës së Dumanit, për të çuar më tej besimin e publikut te drejtësia.
Lini një Përgjigje