
Mario Përlleshaj, i cili mbahet i arrestuar për vrasjen e bashkëmoshatarit të tij Martin Cani, kërkon lirinë në Gjykatën e Lartë.
Përlleshaj, përmes avokatit të tij mbrojtës, ka dorëzuar rekurs në Gjykatën e Lartë ku kërkon heqjen e masave të arrestit në burg të caktuar nga të dyja shkallët e gjykimit.
Çështja do të shqyrtohet nga gjyqtari Ilir Panda, por ende nuk ka caktuar një datë.
Gjykata e Apelit në Tiranë rrëzoi më 10 shkurt kërkesën e Përlleshajt për zëvendësim të masës së sigurisë "arrest në burg". Përlleshi ndodhet në qeli pasi akuzohet si autori i vrasjes së bashkëmoshatarit të tij 14-vjeçarit, Martin Cani pranë shkollës "Fan Noli" në kryeqytet. Përlleshi akuzohet për kryerjen e veprave penale “Vrasja me dashje e kryer ndaj të miturit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Ai mbahet te burgu i të miturve në Kavajë.
Vrasja e 14-vjeçarit
Martin Cani humbi jetën mesditën e 18 tetorit pasi u qëllua me thikë në bark nga bashkëmoshatari i tij, Mario Përlleshaj. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pas një konflikti mes dy të miturve që ka degraduar në përdorimin e thikës. Mario Përlleshaj dyshohet se ka qenë në klasë paralele me viktimën, në shkollën 9-vjeçare 'Fan Noli'. Konflikti mes të miturve raportohet se ka nisur në oborrin e shkollës, ndërsa ka agravuar jashtë ambienteve të saj.
Autori ka nxjerrë thikën dhe ka qëlluar mbi 14-vjeçarin, Martin Cani. Pasi është goditur me thikë, Cani është afruar tek shkolla, ka ecur disa metra dhe pasi ka nisur të humbë gjak, është rrëzuar në trotuarin para shkollës. Si pasojë e plagëve të marra, Cani ka ndërruar jetë në spital. I plagosur nga ky sherr ka mbetur edhe shoku i ngushtë i viktimës, Luis Meçja i cili nuk mësonte në të njëjtën shkollë me to, po stërviteshin në të njëtin klub futbolli. I plagosur mbeti edhe vetë autori, i cili mori dëmtime në dorë dhe u trajtua në spital privat për disa ditë pas ngjarjes së rëndë.
Lini një Përgjigje