
Më e frikshmja, përtej asaj çfarë po ndodh është reagimi i opinionit publik, që e justifikojnë krimin si drejtësi e vonuar.
Gjyqësori në Shqipëri po përjeton ditë të vështira dhe krimi ka marrë “krahë”. Vrasja e gjyqtarit të Apelit Astrit Kalaja ka nxitur dhunë dhe rebelizëm ndaj sistemit.
Konkretisht vetëm sot u shënuan dy 2 episode dhune, ku pre ranë rojet e sigurisë në gjykata.
Në Apelin në Tiranë Gentian Mali u nervozua teksa priti rojën për pak çaste dhe përfundoi duke e kërcënuar.
Është e njëjta karrige prej së cilës punonjësi Banush Koxhaj nuk lëvizi kur detektori pulsoi për armën që Elvis Shkambi futi në sallë të gjyqit.
Mali u shoqërua në polici.
Ndërsa në Vlorë, avokati që mbron edhe Monika Kryemadhin, Redi Llanaj goditi punonjësin se nuk e la të hyjë në godinë pa i ardhur radha e gjyqit.
“Nuk iu kanë thirrur në seancë”, pretendoi roja, por përgjigjen e mori me grushte. Avokati përfundoi në polici ku iu vunë prangat.
Më e frikshmja, përtej asaj çfarë po ndodh është reagimi i opinionit publik, që e justifikojnë krimin si drejtësi e vonuar.
Pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja, rrjetet sociale janë përfshirë nga një valë reagimesh që kanë kaluar kufijtë e arsyes dhe moralit.
Dhjetëra komente në platformat online kanë tentuar të justifikojnë apo mbështesin veprimin e autorëve, Elvis dhe Gjon Shkambi, ndërsa madje çmenduria është se u hap edhe një faqe “GoFundMe” me qëllim mbledhjen e fondeve për ta.
Ky fenomen është një alarm për normalizimin e dhunës dhe glorifikimin e autorëve të krimit, duke goditur ndjeshmërinë publike dhe besimin tek drejtësia.
Sistemi gjyqësor në Shqipëri ndodhet në “pikë të hallit”. Aty ku duhet të drejtohemi për të gjetur zgjidhje, sot ka frikë, kërcënime, dhunë e deri në ekstrem, edhe vrasje.
Drejtësia në pikë të hallit! E keqja i ka ardhur nga vetja e saj, korrupsioni! Pyetje: pse shumë gjyqtare e prokurorë dolën nga sistemi drejtësisë gjatë Vetingut për mos justifikim të pasurisë? Ku e moren atë pasuri dhe luks? Nga mosdhënia e drejtësisë! Korrupsioni dhe vendimet e padrejta kanë krijuar në popull opinion negativ. Drejtësia e vonuar dhe e mohuar nuk tregon se sistemi i drejtësisë është pastruar nga e keqja! Fatkeqesisht mund të kemi raste të tjera me përfaqesues të shtetit! Hendeku në mes popullit dhe shtetit është shumë i madh!