
Analisti Ilir Demalia thotë se vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja është pasojë e një fenomeni të krijuar nga Partia Demokratike gjatë kohës që ka qenë në pushtet, problemi me pronat.
Në Report Tv, Demalia tha se vrasja e gjyqtarit Kalaja është e paamnistueshme, por theksoi se shumë shqiptarë si autori i ngjarjes, Elvis Shkëmbi, janë të lodhur dhe frustruar pasi nuk arrijnë të marrin pronat që u përkasin.
“Unë nuk i jap të drejtë atij prap, sepse nuk ka të drejtë të marrë jetën e dikujt, por edhe kjo stërzgjatje e pronarëve ndërkohë që zaptuesit e tokës së xanun kanë marrë gjithë qendrën e Tiranës dhe i shesin me nga 5 mijë euro metri katror dhe shkojnë aty janë strehuar gjithë politikanët, gjithë gjykatësit, gjithë prokurorët, atëherë si do të rrijë të mos reagojë tjetri”, tha Demalia.
Për Demalinë, kryedemokrati Sali Berisha është “nxitësi” i vrasjes së gjyqtarit Kalaja.
“PD-ja sot nuk duhet të hapë gojën, Sali Berisha nuk duhet të hapë gojën. Ai është shkaktari kryesor i shkatërrimit të pronës, ai është shkaktari kryesor dhe e ka bërë me qëllim. Pronat u shkatërruan në vitet ’92 – ’97 kur ishte Sali Berisha, që erdhën nga të gjitha anët dhe sulmuan me bregdet dhe sot hajde t’i shohim kush janë pronarët, ça të drejte kanë, hynë, zaptuan, i legalizoi me Shaban Meminë dhe tani ja ku jemi, dhe tani nuk i jeo zgjidhje më kësaj punë, s’ka Zot që e zgjidh”, tha Demalia.
Lini një Përgjigje