
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka reaguar për lidhur me vrasjen e policit Novruz Cenalia në Fier.
Me anë të një deklaratë për shtyp, Rrumbullaku është shprehur se policia do të bëjë gjithçka që autori të dalë para ligjit. Ai gjithashtu ngushëlloi familjen e efektivit të vrarë, teksa theksoi se kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë do të marrë përgjigjen më të ashpër.
"Policia e Shtetit dhe unë personalisht ndjehemi thellësisht të tronditur nga vrasja e punonjësit të policisë Novruz Cenalia, mesditën e 13 Majit 2024. Ndarja e parakohshme nga jeta e një djali të ri si Novruz Cenalia na ka hidhëruar të gjithëve, familjen e tij, është në lot e zi, dhe familjen e madhe të Policisë së Shtetit. Për të gjithë ne, kjo dhimbje bëhet edhe më e hidhur kur jeta e një punonjësi të Policisë së Shtetit ndërpritet nga dora e një vrasësi, që ende është i lirë.
Unë zotohem në emër të Policisë së Shtetit se. do të bëjmë gjithçka për ta vendosur para ligjit autorin e vrasjes së Novruz Cenalisë. Shpreh bindjen se i gjithë opinioni publik ndodhet sot përkrah familjes Cenalia dhe Policisë së Shtetit dhe do të ndihmojë në kapjen e autorit të krimit. E kam theksuar me forcë, edhe pak ditë më parë, gjatë ceremonive perkujtimore për të rënët e policisë, se uniforma e Policisë së Shtetit është e shenjtë. Kushdo që guxon të cenoje uniformën e policisë, shëndetin dhe jetën e punonjësve të saj, do të marrë përgjigjen më të ashpër ligjore", thuhet në reagimin e Rrumbullakut.

Lini një Përgjigje