
Gazetarja Anduena Llabani foli mbrëmjen e së hënës mbi ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e djeshme në Elbasan, ku mbeti i vrarë biznesmeni Edmond Mëhalla.
Në Euronews Albania, Llabani tha se ngjarjet e fundit të ndodhura në vendin tonë janë ngjarje që ndjekin skenarin e njëra-tjetrës.
“43-vjeçari ishte me precedent penal, i hetuar në Itali, jo vetëm për trafik ndërkombëtar, por edhe për pastrim parash, hetuar në Shqipëri, i mbyllur me vendim gjykate në vitin 2023 dhe i shpallur i pafajshëm.
Pjesa tjetër ka lidhje me gjithë veprimtarinë që ai ka kryer ndër vite. Biznesi që ai kishte lidhet me një kompani taksish dhe deri diku e kishte legjitimuar biznesin e tij.
Por të ardhurat që kishte siguruar më parë për të ushtruar aktivitetet që kishte si biznesmen ishin një pasqyrë e një realiteti tjetër, çka Prokuroria e Elbasanit në vitin 2020 nisi një procedim penal për pastrim parash ndaj tij.
Mendohet që, falë ndërhyrjes dhe pagesave që janë bërë në pjesën e hetimit, procesi ndaj tij është mbyllur me kërkesë të prokurorisë dhe gjykata e ka shpallur të mbyllur procesin ndaj tij.
Që prej asaj kohe, ai ka vazhduar ndërmjet Italisë dhe Shqipërisë, ku mendohet se është përfshirë në një aksion të trafikimit të lëndëve narkotike. Një informacion që është nxjerrë nga policia është se ky individ është përfshirë katër ditë më parë në një sherr me persona të cilët dyshohet se janë autorët e ngjarjes.
Viktima ka shumë hesape të palara, shumë problematike ndër vite, dhe është e vështirë të dilet me një pistë të vetme”, është shprehur gazetarja.
Lini një Përgjigje