
Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan në 30 dhjetor, se pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor, i gjithë qyteti do të furnizohej me ujë brenda orës 17:00 të të njëjtës ditë...
Vlorës nuk i ndahet ‘syri i keq’, sipas një konstatimi që bëri Kryeministri Edi Rama, duke e përkufizuar kështu mungesën e ujit në banesat e qytetarëve për 5 ditë.
Ndonëse defekti i shkaktuar në tubacionin kryesor të Ujësjellësit arriti të riparohej, sërish gjysma e qytetit nuk ka arritur të furnizohet me ujë.
Dhe shkaku, sipas Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës, ishte vjedhja e saraçineskës, në stacionin e ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, pranë Stacionit të Trenit të Mallrave në Vlorë.
Sipas njoftimit, vjedhja e saracineskës së stacionit, ka bërë të pamundur funksionimin normal të rrjetit të shpërndarjes duke lënë pa ujë lagjen “24 Maji”, zonën e Petroliferës, zonën e TEC-it, Portin e Peshkimit dhe Zvërnecin.
Autoritetet bëjnë thirrje që të mbrohet prona publike, duke theksuar se dëmtimi i infrastrukturës së ujësjellësit sjell pasoja direkte për furnizimin e komunitetit me ujë.
Ky defekt i ri në rrjetin e ujësjellësit pason atë që la për 5 ditë pa ujë qytetin, situatë që shkaktoi revoltën e banorëve, që protestuan jo vetëm në sheshin para Bashkisë së Vlorës, por hynë dhunshëm edhe në mjediset e Teatrit “Petro Marko” atje ku autoritetet vendore kishin vendosur të organizonin një mbrëmje gala.
Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan në 30 dhjetor, se pas riparimit të defektit në tubacionin kryesor, i gjithë qyteti do të furnizohej me ujë brenda orës 17:00 të të njëjtës ditë. Por në mbrëmjen e së martës, në rrjetet sociale denoncohej se zona të shumta në qytetin e Vlorës nuk kishin ujë, madje akuzoheshin drejtuesit lokalë për mashtrimin e rradhës.
Ndërkohë pasditen e 31 dhjetorit, Ujësjellës Kanalizimet e Vlorës njoftuan për defektin e ri, disa orë përpara natës së ndërrimit të viteve.
Dhe duket se vlonjatët në këtë natë, duhet të luten që ‘babagjyshi’ ti sigurojë një furnizim normal me ujë në banesat e tyre.

Njoftimi i plotë:
"Ujësjellës Kanalizime Rajoni Vlorë njofton se gjatë mesnatës së kaluar është grabitur saracineska e stacionit të ujësjellësit në lagjen “24 Maji”, zona pranë Stacionit të Trenit të Mallrave. Si pasojë, ka pasur ndërprerje të furnizimit me ujë në zonat që furnizohen nga ky stacion:
Lagja 24 Maji (zona e Stacionit të Trenit të Mallrave)
Petrolifera
TECI
Porti i Peshkimit
Zvërnec
Grupet tona kanë ndërhyrë menjëherë pas konstatimit të rastit për zëvendësimin e saracineskës dhe rikthimin e furnizimit normal me ujë. Për këtë ngjarje është bërë denoncim pranë Policisë së Qarkut Vlorë.
U bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve të mbrojnë pronën publike dhe të mos e dëmtojnë atë, pasi këto veprime dëmtojnë gjithë komunitetin.
Faleminderit për mirëkuptimin!"

O Vlonjatë vazhdoni të votoni për Edi Ramën dhe ÇETEN E HAJDUTVE SE KANË PER TJUA LËRUAR . SI NUK KENI KUPTUAR O TË MJERË SE AI JU MASHTRON DITËN DHE NATËN DUKE U TALLUR KUR JU THA SE "PLASI SYRI I KEQ"
Skandal