
Kontrata përcakton, që investimet për furnizimin me ujë e energji elektrike të aeroportit të Vlorës, do t’i financojë firma koncesionare, por qeveria ka paguar edhe 5 milionë Euro për ndërtimin e rrjetit e n/stacionit Elektrik të veçantë, në këtë aeroport që do shfrytëzohet 35 vite nga privati...
Mjaftoi 2 orë shi, që Vlora të përmbytej e të pësonte shumë dëme materiale nëpër familje, biznese e infrastrukturë, sepse mungojnë kanalizimet e ujërave, ndërsa ato që ekzistojnë janë të bllokuar.
Rrjeti i kanalizimeve është në administrim nga ujësjellësi dhe ndërmarrjet e Bashkisë së Vlorës, të cilat në 7 vitet e fundit kanë shpenzuar 62 milionë Euro, me tenderë që janë vjedhur, prandaj Vlora ka filluar të përmbytet.
Por vetëm 3 ditë pas përmbytjes dhe ende pa u pastruar qyteti, në vend që Bashkia e Vlorës dhe Qeveria të rehabilitojnë urgjent rrjetin e kanalizimeve, kanë akorduar 530 mijë Euro për ndërtimin e një impianti të veçantë ujësjellësi, në aeroportin e Bexhet Pacollit e dhëndrit të Erdoganit.
Në datën 7 tetor 2024, Shoqëria e Ujësjellës Kanalizimeve të Vlorës, që është 51% në pronësi të qeverisë e 41% në pronësi të Bashkisë së Vlorës, kanë njoftuar se është mbyllur tenderi me vlerë kontrate 530 mijë Euro, për ndërtimin e ujësjellësit për Aeroportin e Vlorës.

Në kontratën koncesionare me afat 35 vite, për ndërtimin dhe shfrytëzimin privat të aeroportit të Vlorës, përcaktohet që investimet për rrjetin të furnizimit me ujë e energji elektrike, do t’i bëjë koncesionari Bexhet Pacolli e dhëndri i Erdogan që fshihet pas kompanisë turke.
Por miku i tyre, kryeministri Ei Rama, ka urdhëruar që rrjeti dhe impiantet e furnizimit me ujë e energji elektrike, të financohen nga buxheti i shtetit, konkretisht nga Ujësjellësi, OST e OSHEE të Vlorës, nëpërmjet fondeve shtesë të dhëna nga qeveria.
Në datën 23 tetor 2023, OSHEE me 720 mijë Euro nga fondet e shtetit, nisi ndërtimin e rrjetit elektrik deri të Aeroporti i Vlorës; ndërsa më 18 korrik 2024, nisi ndërtimi i Nënstacionit Elektrik vetëm për aeroportin e Vlorës, me vlerë 4.2 milionë Euro nga buxheti i shtetit.
Ndërsa tani, 3 ditë pas përmbytjes së Vlorës, Bashkia dhe Qeveria financuan 530 mijë Euro, për ndërtimin e linjës dhe impiantit për furnizimin me ujë të aeroportit privat koncesionar të Bexhet Pacollit e dhëndrit të Erdogan./Pamfleti
Lini një Përgjigje