TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 8 Tetor 2024, 10:15

Emri i tij përmendet në dosjen ‘Zarka’, deputeti i PD thirret në SPAK

Shkruar nga Pamfleti
Emri i tij përmendet në dosjen ‘Zarka’, deputeti i PD
Isuf Çela

Deputeti demokrat, Isuf Çela është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme. 

Ende nuk dihen arsyet, por mendohet se ai është thirrur për dosjen 'Zarka'.

Dosja 'Zarka' është arrestimi i drejtuesit të Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka me akuzën e "ushtrimit të ndikimit të paligjshëm" me urdhër të SPAK.

Zarka akuzohet për ushtrim të ndikimit të paligjshëm si dhe për korrupsion aktiv dhe pasiv në bashkëpunim me një oficere të Policisë Gjyqësore dhe dy persona të tjerë për lehtësimin e akuzës dhe mbylljen e hetimit pasuror për të pandehurit e dosjes së bujshme të njohur si “Toyota Yaris”, për sabotimin e letër-porosive të ardhura nga autoritetet belge si dhe për pushimin e një procedimi pasuror ndaj Suel Çelës.

Dosja “Toyota Yaris” lidhet me bllokimin e bujshëm të 3.4 milionë eurove në qershor të vitit 2018 në portin e Durrësit – një dosje që u hetua fillimisht nga Prokuroria e Krimeve të Rënda për pastrim parash, por pas disa piruetave procedurale u transferua në Prokurorinë e Tiranës dhe u mbyll me akuzën e “mosdeklarimit të të hollave në kufi”.

Kreu i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka akuzohet se në bashkëpunim me oficeren e Policisë Gjyqësore, Eriona Daupaj, avokatin Radovan Çela dhe të afërmin e të pandehurve, Astrit Vladin kanë ushtruar ndikim të paligjshëm dhe veprat penale të korrupsionit aktiv dhe pasiv për të ndikuar ecurinë e çështjes “Toyota Yaris” dhe lirimin e të pandehurve.

Ky zbulim ngre hije të zeza dyshimi mbi një grup prokurorësh dhe gjyqtarësh të Krimeve të Rënda dhe Tiranës, që i hetuan dhe i shqyrtuan këto çështje.

isuf Çela

Lini një Përgjigje