TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet 3 Korrik 2025, 08:56

Vijon djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, tymi toksik vë në rrezik jetën e qytetarëve

Shkruar nga Pamfleti

Vijon djegia e mbetjeve në landfillin e Elbasanit, tymi toksik vë

Vijon të jetë ende aktiv zjarri në landfillin e Elbasanit.

Edhe pse në sipërfaqe flakët janë shuar, zjarri vazhdon në thellësinë e të gjithë sipërfaqes, ndërsa shtëllunga të mëdha tymi dalin vetëm në pjesën perëndimore te saj.

Mësohet se mbi sipërfaqe janë hedhur të paktën 10.000 m3 dhera, të cilat bënë të mundur izolimin e flakëve në sipërfaqe.

Zjarri në landfill është tashmë në ditën e tij të tretë, duke rrezikuar seriozisht shëndetin e banorëve me grimcat e dëmshme që lëshohen në ajër.

Landfilli dhe inceneratori jo-funksional i Elbasanit, që gjenden rreth 2 kilometra në të djathtë të aksit rrugor që lidh Bradasheshin me Unazën e qytetit, vazhdon të jetë në flakë për rreth 3 ditë.

Landfilli menaxhohet nga kompania publike “Eco-Elb”, në pronësi të 7 bashkive përbërëse të qarkut Elbasan dhe administrohet nga Leli Kaja.

Aktualisht, “Eco-Elb” e Leli Kajës është nën hetim nga Prokuroria e Elbasanit, një hetim që mori pikënisje pikërisht nga një zjarr vënie e qëllimshme. Hetimi fillimisht nisi në vitin 2023 për “Shkatërim i pronës me zjarr” dhe “Ndotjes së ajrit”, por tashmë rezulton të jetë shtrirë thellë në aktivitetin ekonomik të kësaj kompanie dhe në 7 bashkitë që janë pronare.

Megjithëse “Eco-Elb” është nën hetim nga Prokuroria për zjarrvënie të qëllimshme, ndotje dhe shkatërrim prone, Ministria e Mbrojtjes dhe autoritetet lokale kanë dështuar në menaxhimin dhe parandalimin e katastrofës ekologjike në zemër të qytetit.

Ndërkohë që zjarri në landfill vijon të digjet prej ditësh, me ndërhyrje të ngadalta, forcat zjarrfikëse dhe zyrtarët e bashkisë Elbasan po tregojnë paaftësi për të izoluar flakët. Forcat e Armatosura janë angazhuar në operacion, por situata mbetet jashtë kontrollit, duke nxjerrë në pah mungesën e një plani të qartë dhe koordinimi efektiv nga ana e Ministrisë së Mbrojtjes.

Lini një Përgjigje