Brohoritje, flamuj kuqezi, bori makinash dhe thirrje për një “Shqipëri të Re”. Protesta e ditës së dhjetë po kthehet në një nga mobilizimet më të gjata dhe më të mëdha të viteve të fundit…
Prej më shumë se katër orësh, rrugët e Tiranës vazhdojnë të mbushen nga zëri i protestuesve që marshojnë pa ndërprerje nëpër kryeqytet. Ajo që nisi si një grumbullim në Sheshin Skënderbej dhe më pas para Kryeministrisë, është shndërruar sërish në një marshim të gjatë që po përshkon akset kryesore të qytetit, ndërsa turma nuk po jep asnjë shenjë lodhjeje.
Nga njëri bulevard në tjetrin, nga një lagje në tjetrën, dëgjohen vazhdimisht të njëjtat thirrje që kanë shoqëruar protestën prej ditësh. “Rama ik”, “Shqipëri e Re”, “Atdheu nuk shitet”, “Duam drejtësi”, “Bashkohuni me ne” dhe “Revolucion” janë sloganet që ushtojnë në rrugët e kryeqytetit.
Por protesta nuk po zhvillohet vetëm mes atyre që ecin në marshim.
Në shumë segmente të itinerarit, qytetarë që ndodhen në trotuare, në kafene apo në ballkonet e banesave i përshëndesin protestuesit, ndërsa drejtues automjetesh ndalojnë për pak çaste dhe u bien borive në shenjë mbështetjeje.
Herë pas here, zhurma e borive bashkohet me brohoritjet e turmës, duke krijuar atmosferën e një qyteti të tërë që po jeton ritmin e protestës.
Në krye të marshimit vijojnë të dominojnë të rinjtë, ndërsa pas tyre ecin familje, studentë, pensionistë dhe qytetarë të moshave të ndryshme, të bashkuar nën flamujt kuqezi që shihen kudo përgjatë rrugëve të Tiranës.
Ndryshe nga protestat klasike politike, marshimi i këtyre ditëve ka marrë pamjen e një lëvizjeje qytetare që po zgjeron vazhdimisht bazën e saj, teksa kalimtarë të rastësishëm dhe qytetarë që e ndjekin nga afër vendosin t'i bashkohen turmës gjatë rrugës.
Teksa mbrëmja avancon, një gjë duket e qartë: Tirana vazhdon të gumëzhijë nga protesta.
Dhe ndërsa mijëra qytetarë vijojnë marshimin për orë të tëra, thirrja që dëgjohet më shpesh në rrugët e kryeqytetit mbetet e njëjtë: “Shqipëri e Re!”.
Lini një Përgjigje