
Ju ftojmë të ndiqni lajmet më kryesore deri në mesditë, ku veçojmë:
1. Rritet numri i të prekurve me grip
Mjekët: Bëni kujdes, zgjat deri në 10 ditë
Sezoni i gripit po shkon drejt pikut të tij. Në dyert e mjekëve të familjes apo atyre infeksionist ka çdo ditë me dhjetëra pacientë që paraqiten për të kërkuar ndihmë pasi simptomat e gjendjeve virale janë rënduar.
Bluzat e bardha referojnë se simptomat e gripit janë të shumta, por është parë që temperaturat e lartë që nuk bie është më e shprehura.
Mjekët infeksionistë shprehen se gripi këtë vit është me simptoma si kolla, dhimbje fyti, vështirësi në frymëmarrje dhe dhimbje muskulare. Madje gripi mund të shfaqet edhe me diarre e te vjella.
Mjekët apelojnë që të mos nënvlerësohet një gjendje gripale, pasi mund të kemi komplikacione nga të lehtat deri tek ato më të rëndat.Disa grupe janë veçanërisht më të rrezikuar për të bërë forma të rënda, ndaj edhe kontakti me mjekun duhet të jetë që në fillim.
Ndjekja e këshillave të mjekut, regjimi i shtratit, regjimi ushqimor dhe vaksinimi kundër gripit kanë format më të mira që mund të parandalojnë jo vetëm shtrimet në spitale por edhe fatalitetet nga gripi
2. Braçe denoncon skandalin
Lufra po shkatërron fermerët, favorizohet nga qeveria
Deputeti socialist Erion Braçe ka publikuar denoncimin e një fermeri nga zona e Myzeqesë i cili është në prag të falimentit për shkak të praktikave “hileqare” të kompanisë së përpunimit të qumështit, Lufra.
Në një mesazh drejtuar Braçes, fermeri akuzon kompaninë se po i “shkatërron” me strategji. Konkretisht, pasi fillimisht uli ndjeshëm çmimin e grumbullimit të qumështit, sipas tij kompania Lufra tashmë ka nxjerrë si justifikim praninë e aflatoksinës për të refuzuar produktin e tyre.
Erion Braçe e cilëson këtë si një krizë të paralajmëruar dhe thekson se rrënjët e problemit qëndrojnë te politikat fiskale dhe ekonomike të ndjekura nga qeveria Rama.
Ai shprehet gjithashtu se skema e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) dhe aksioni kundër informalitetit, i ndërmarrë në korrik shërbeu si instrument për të favorizuar importin dhe fabrikat e mëdha, në dëm të prodhuesve të vegjël dhe blegtorëve vendas.
Sipas Braçes, justifikimi i aflatoksinës është një pretekst, ndërsa fabrikat e mëdha do të orientohen drejt lëndës së parë nga importi, i cili favorizohet nga politikat aktuale fiskale dhe kursi i këmbimit valutor. Deputeti i cilësoi politikëbërësit si “magjistarë të financave publike”, të shkëputur nga realiteti i vështirë i fermerëve dhe blegtorëve shqiptarë.
3. Hapet gara për zv.drejtorin e BKH
Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët
Hapet procedura e konkurrimit për postin e zv.drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Pas emërimit të Joni Ketës në krye të BKH, ky pozicion ka mbetur vakant. Të drejtën për të aplikuar e kanë vetëm hetuesit aktualë të BKH.
Sipas njoftimit zyrtar, kandidatët për postin e Zëvendësdrejtorit duhet të dorëzojnë dokumentacionin përkatës, i cili përfshin: kërkesën për aplikim; një platformë mbi kuptimin e funksionit të zv.drejtorit, rolin në menaxhim, menaxhimin e burimeve njerëzore, komunikimin, punën në grup dhe marrëdhëniet ndërinstitucionale; jetëshkrimin; vlerësimin e fundit nga eprori direkt; dokumentacion që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimin shtesë dhe vlerësimet profesionale; si dhe certifikatë për njohjen e gjuhës angleze.
Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht në Drejtorinë e Burimeve Njerëzore pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, brenda datës 22 Janar.
4. Ish-këshilltari i Trump ‘fundos’ Berishën
“Non grata” jo rezultat i lobimeve, por mbi bazë faktesh
John Bolton, ish-këshilltari për Sigurinë Kombëtare i presidentit Donald Trump, gjatë mandatit të parë presidencial, ka fundosur ish-Kryeministrin Sali Berisha, lidhur me shpalljen "non grata" nga administrata Biden.
Bolton shprehet se politika e Shteteve të Bashkuara për shpalljen e personave “non grata” nuk përdoret si mjet për goditje politike, por bazohet vetëm në interesat e sigurisë kombëtare amerikane.
Në emisionin “Off the Record”, Bolton theksoi se vendimet për sanksione dhe shpallje “non grata” merren mbi baza faktike dhe gjeopolitike, dhe jo si rezultat i lobimeve apo debateve të brendshme politike në vendet e prekura.
Sipas tij, edhe pse këto vendime mund të kenë pasoja politike lokale, kjo nuk është arsyeja që i motivon Shtetet e Bashkuara.
Duke folur për marrëdhëniet Kosovë–Serbi, Bolton sqaroi se administrata e parë Trump mbështeste idenë që palët të gjenin vetë një zgjidhje të përhershme, pa imponim nga jashtë.
Për më shumë klikoni tek lajmet e orës 12.00
Lini një Përgjigje